Lajme të mira dhe Punë

Lajme të mira dhe Punë
Ne të Shqiptarja.com në 6 vite të ekzistencës sonë kemi qenë dhe jemi përherë të vëmendshëm ndaj shijeve, kerkësave të lexuesve tanë. Në bazë të komenteve që vijnë poshtë shkrimeve, shkrimeve më të lexuara , videove, fotove më të klikuara e të shpërndara, kemi krijuar një identikit të lexuesit tonë, të cilin përherë e më shumë duam ta respektojmë.

Lexuesi i Shqiptarja.com dhe i videove e fotove edhe të Report TV, materialet e të cilit ne shpërndajmë, është një lexues në kërkim të vazhdueshëm të përmirësimit individual. I interesuar për zhvillimet politike, ekonomike, sociale në vend, klikon disa herë, në përditësim e sipër lajmet më të rëndësishme të ditës, por nuk lë pas edhe të tjera lajme si nga natyra, punësimi, shembujt pozitivë, moda e spektakli e kultura.
Kemi vënë re me kujdes se lexuesi i Shqiptarja.com nuk pëlqen vulgaritetin dhe shmang fotot me përmbajtje të hapur erotike, ndaj, duke pasur parasysh këtë, si një website i mirëfilltë informativ, jemi ndër të parët që shmangim përditë e më shumë foto e përmbajtje të tilla.

Një eksperiencë surprizuese për ne ishte publikimi i suplementit Drejt Punës, ku gazetarët tregonin histori suksesi të të rinjve që me ide të reja kishin krijuar profesionin e jetës. Këto shkrime, në ditë të caktuara, në renditjen në të djathtë të Home page, lehtësisht i shihnim të arrinin majat e shkrimeve më të lexuara.
Mendojmë se lexuesi ynë është ëndërrimtar dhe planifikues për të ardhmen e tij dhe të familjes. Jo pak herë gjithashtu, ka qëlluar, që lajme të informacionit imobiliar, të ofruara nga marketingu ynë në bashkëpunim me firmat më prestigjoze në vend, kanë rezultuar  të një interesi të lartë.

Të klikuara e të lexuara janë edhe lajmet nga ndërmarrjet më të mëdha në vend, sa herë ato prezantojnë plane të shpërndarjes, fuqizimit apo të kërksave për të punësuar në degë të reja apo zhvillime më të mëdha që kanë.
Pastaj arkitektura, mobilimi i këndshëm, veshja e bukur dhe e thjeshtë, edhe me buxhete modeste, përbëjnë tema që përherë e më shumë tregojnë interes.

Pikërisht për këtë arsye, duke vlerësuar dhe falenderuar nga zemra për 335.000 like që kemi arritur deri tani, vendosëm të hapim e “të ushqejmë” dy rubrika të reja që në kryre e të dallueshme në Homepage: Lajme të Mira dhe Style & Punë, në të cilat përmes gazetarëve tanë, por edhe në bashkëpunim me ekselencat e prodhimeve dhe realiteteve Made in Albania do të synojmë gjithnjë e më shumë të rrisim e të japim informacionin pozitiv, konstruktiv.
E dimë që “lufta” online e mediave për të marrë sa më shumë klikime është e ashpër dhe shpesh antietike, por ne të Shqiptarja.com, kemi vendosur të ecim me seriozitet e profesionalizëm, duke synuar jo vetëm shtimin gjithnjë e më shumë të lexuesve, por edhe rëndësinë dhe peshën e të gjitha klikimeve. Për ne ka tepër rëndësi që një like të vijë nga zemra, më shumë se nga instiktet.

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)