DIBËR- Policia e Dibrës ka arrestuar të dyshuarin kryesor për vrasjen e 36-vjeçarit I.Z. në fshatin Arras, ngjarje e ndodhur më 30 shtator 2018. Aleksandër Balla u arrestua gjatë natës, pas disa ditësh kërkim intensiv.
Balla akuzohet për vrasjen e I.Z nga fshati Sinë. Pas një konflikti për motive të dobëta, në bashkëpunim me vëllain e tij, Vangjel Balla, ata dyshohet se e kanë goditur disa herë me thikë të riun, i cili ka humbur jetën rrugës për në spital. Dy ditë më parë, u arrestuan edhe pronarët e lokalit ku kishte ndodhur vrasja.Ende edhe sot nuk dihen arsyet e konfliktit mes të rinjve.
Njoftimi i plotë:
Dibër
Ndalohet autori kryesor i dyshuari për vrasjen me thikë të 36 vjeçarit në fshatin Arras
Policia e Dibrës gjatë orëve të natës, falë një pune të mirëorganizuar bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative ka bërë të mundur lokalizimin dhe gjetjen e vendodhjes së autorit të dyshuar të vrasjes ndodhur në datë 30.09.2018.
Ndalohet shtetasi:
Aleksandër Balla, 23 vjeç, banues në fshatin Muhur.
Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se shtetasi Aleksandër Balla, gjatë një konflikti për motive të dobëta në një lokal në fshatin Arras në bashkëpunim me vëllain e tij Vangjel Balla( i arrestuar) kanë vrarë me thikë shtetasin I.Z, 36 vjeç, banues në fshatin Sinë, njësia Administrative Arras.
Materialet hetimore do ti kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Dibër për veprën penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 78 dhe 25 të Kodit Penal.