SARANDË - Një jaht me flamur holandez, rreth 16 m i gjatë, i nisur nga ishulli i Korfuzit, është mbytur mesditën e sotme 2.5 milje larg bregdetit të Sarandës. Menjëherë pas lëshimit të sinjalit 'SOS' pranë vendit të quajtur Qefal në ujërat e detit Jon, në drejtim të jahtit janë nisur tre mjete të forcave të policisë kufitare të Sarandës. Ndërhyrja e menjëhershme e policisë ka bërë që të shpëtohet kapiteni i skafit, një shtetas italian, G.D, 40-vjeç nga Napoli.
Siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga Report Tv, italiani ia ka dalë të mbijetojë në det të hapur falë varkës së shpëtimit të cilën e ka përdorur pas mbytjes së jahtit. Kanë qenë tre mjete lundrues të policisë kufitare, dy skafe dhe një gomone që kanë bërë të mundur evakuimin e italianit. Pas shumë lëvizjesh dhe kontrolli në det, njëra nga patrullat e Policisë Kufitare me mjetin e Policisë BP 01 në thellësi të ujërave, drejtimi “Gjiri i Inerteve”, ka konstatuar një mjet shpëtimi tip “sader” (plastik, mushama) pa motor dhe një person mbi të. Mësohet se 40-vjeçari ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë rrezikut për jetën.
Pasi është shoqëruar në komisariat, ai ka deklaruar se ishte nisur për turizëm dhe se udhëtonte i vetëm me jahtin e tij. Kjo konfirmohet edhe nga autoritetet portuale greke. Ai ka deklaruar se ishte nisur nga një port italian disa ditë më parë me destinacion fillimisht Korfuzin. Nga ishulli grek, italiani ka udhëtuar në drejtim të Shqipërisë mëngjesin e sotëm, por gjatë lundrimit në det jahti ka pësuar defekt çka ka bërë që të fundoset brenda pak minutash.
Shtetasi italian ka falenderuar Policinë Kufitare që reagoi në kohë dhe i shpëtoi jetën pasi ndihej i rrezikuar për t'u mbytur. Nga ana tjetër policia kufitare ka nisur hetimet mbi shkaqet e mbytjes së mjetit lundrues, ndërsa po hetohet edhe pista e një udhëtimi që kishte tjetër qëllim nga turizmi.