Ka vendosur të shfaqet para syve të publikut me ekspozitwn “Lakuriq”, duke e ftuar atë të dialogojë drejtpërdrejt me artin dhe me veten. Oltsen Gripshi ka zgjedhur pikërisht trupin si territor të përvojave të brendshme e ku secili mund të ndërmarrë një udhëtim intim dhe universal përmes veprave multimediale, që artisti prezanton.
Titulli ‘Lakuriq’ nuk ka të bëjë vetëm me trupin e zhveshur, por me një lakuriqësi shpirtërore, me ndjesitë, kujtesën dhe sfidat me të cilat përballet qenia njerëzore. Ekspozita përbëhet nga 14 vepra të realizuara në mediume të ndryshme, instalacion, video-art, pikturë dhe performancë, duke ndërtuar një rrugëtim simbolik të jetës njerëzore, nga lindja deri në fundin e saj.
“Kjo ekspozitë lind nga reflektimi mbi shoqërinë bashkëkohore dhe mënyrën se si trupi sot ekspozohet në realitetin virtual. Përballë kësaj, arti sjell njeriun në realitetin e tij të vërtetë, të brishtë. Ekspozita flet edhe për temat e forta të kohës sonë: luftërat, dhuna, shkatërrimi i trupit njerëzor dhe nevoja për një sinjal social çlirimi.”, thotë kuratori Massimo Scaringella.
Në qendër të ekspozitës qëndron njeriu si qenie e ekspozuar ndaj sistemeve, ideologjive dhe fenomeneve shoqërore që shpesh e dehumanizojnë.
“Jam shumë i emocionuar sepse kjo ekspozitë është kurorëzimi i dy viteve hulumtime. Çdo vepër është një përpjekje për t’i dhënë formë ideve dhe ndjeshmërive të padukshme, të cilat përmes artit bëhen të prekshme dhe të komunikueshme.”, thotë artisti Olsten Gripshi.
Rrugëtimi artistik nis me simbolikën e ngjizjes së jetës dhe vijon drejt temave të indoktrinimit, dhunës, brishtësisë dhe identitetit njerëzor, duke i lënë publikut hapësirë për interpretim personal.
“Ekspozita është ndërtuar si një dialog. Çdokush mund të gjejë një copëz të jetës së vet në këto vepra. Qëllimi im ka qenë t’i jap zë secilit për të parë të vërtetën e vet përballë artit.”
“Lakuriq” nuk është vetëm një ekspozitë, por një thirrje për reflektim dhe përballje me realitetin njerëzor, duke e vendosur trupin dhe shpirtin në qendër të vëmendjes artistike dhe shoqërore.
Komente










