Drejtori i Pergjithshem i ALUIZNI-t, Artan Lame shpërndau sot pasdite leje legalizimi ka për njësinë bashkiake nr. 1 dhe 3.
Në këtë takim ku u ndanë 120 leje legalizimi ishin të pranishem Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolli dhe Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Në fjalën e tij, Lame tha se një nga arsyet e legalizimit është që të mbyllen sherret midis njerëzve.
"Përtej këtyre 700 e ca dosjeve që janë përpunuar që do të thotë praktikisht 1/3 e dosjeve është përpunuar dhe është në procesin e dhënies së lejes së legalizimit, janë edhe dosje të tjera të cilat presin dhe do të vazhdojë me të njëjtin ritëm. Ndoshta mund të sjelli edhe buzëqeshje kjo që do të them tani, po nuk çështje fushate", tha ai.
Lame premtoi se do të vazhdohet me të njëjtin ritëm, pa ndryshim edhe pas zgjedhjeve duke shtuar se "kam një premtim që e kam marrë nga kjo qeveri që është mbyllja e zonave masive për t'u legalizuar brenda këtij mandati. Në 2017 zonat masive që presin legalizimin siç janë praktikisht këto zona që ne jemi, do ta kenë mbyllur procesin e legalizmit. Nuk do të jetë më problem, të themi politik".
Kreu i ALUIZNI-t vuri në dukje një problem tjetër që e kanë realisht shumë familje në këto zona, dhe që është studimet që ka bërë Bashkia Tiranë mbi bazën e asaj që ata e quajnë Plani Rregullues.
"Mbi bazën e ligjit të legalizimit nuk mund të bëhet legalizimi në këto zona, sepse kur ka pronarë dhe ka studime të larta, procesi i legalizimit ndërpritet. Kemi folur me Erjonin dhe deputetët, ose më mirë të themi janë dhe deputetët ata që na kanë ngacmuar disa herë për këtë çështje dhe besoj se pas 21 qershorit nuk ka gjasa që ky problem nuk do të zgjidhet", garantoi Lame
Lidhur me problemin që kanë të bëjnë me Hipotekën, Lame tha se ka probleme shumë të trashëguara, probleme që vijnë: zona të pahedhura në sistem, zona që janë akoma me gabime, zona me mbivendosje e gjëra të tilla. Momente në të cilat çdo qytetarë ka të drejtë të thojë: zgjidhini me njëri tjetrin, jeni institucione, ne duam të mbarojmë punë. Është problem vërtet midis nesh, institucioneve dhe problem që është duke u avancuar për t'u zgjidhur"./