TIRANË - Rikonstruksioni i thellë që po nënshtrohet kryeministria këto ditë, ka disa shkaqe dhe po bëhet nga njerëz vullnetarë. Është Artan Lame, studiuesi i trashëgimisë kulturore shqiptare, ai i cili i tregon këto arsye gjatë një interviste të dhënë në studion e A1 Report. Për Lamen, gjendja në të cilën ndodhej godina e kryeministrisë ishte e mjerueshme.

“Një termet po të binte në Tiranë nuk kishte asgjë të sigurtë për mbajtjen e saj. Nuk është puna që u shemb dyshemeja e kryeministrisë, por kjo është godina që duhet të bjerë e fundit jo e para. Ne e kujtojmë tërmetin në Haiti, kur e gjithë bota qeshi pasi godina e Presidencës ra e para”, tha gjatë intervistës së tij, studiuesi Lame.
Sipas tij, asnjë kryeministër nuk mund të mburret e të thotë që nuk harxhova asnjë lek, duke i pasur raportet në tryezë, ku thuhej që godina kishte nevojë për rikonstruksion.

PSE U HOQ MURI RRETHUES
Studiuesi i trashëgimnisë kulturore, Artan Lame ka dhënë edhe arsyet se pse u hoq rrethimi i kryeministrisë. “Hapja kishte dy funksione. E para, ajo godinë ka lindur e hapur që kur është projektuar, që para 70 vjetësh dhe nuk shkon që ne ta rrethojmë me tela me gjemba pas 70 vjetësh. Sepse ne shkojmë përpara e jo pas”, tha Lame në studion e A1 Report, përballë gazetarit, Edvin Parruca.

“E dyta ka të bëjë me faktin se rrethimi i kryeministrisë është bërë pa leje në vitin 2004 dhe heqja e tyre në një farë mënyrë është jo thjeshtë është kthim në identitet por është edhe heqja e një ndërtimi pa leje. Në duam të shkojmë përpara, dhe përpara nuk shkohet duke shtuar gardhe, por duke i hequr”, deklaroi Lame.

PËR LEJEN E NDËRTIMIT
Duke folur për ndërtimet që janë duke u bërë në kryeminstri, i pyetur për lejen e ndërtimit, Lame thotë se, leja do të merret kur të bëhet ndërhyrje e thellë në godinën e Kryeministrisë dhe hapësirave të saj që e rrethojnë, asaj strukturore dhe marrjes në dorë të të gjithë ambienteve të saj.

“Punimet në godinë nuk shkojnë më shumë se 10-15 ditë për pjesën përballë. Kjo pasi ka edhe një pjesë tjetër, atë pas saj, që është e kthyer në një kakofoni ndërtimesh pa sens, që zoti Rama ka në plan ta kthejë në një park publik. Shpresojmë që të mos na kërkohet leje për ndërtimin e këtij parku” ka theksuar Lame.

Për studiuesin e monumenteve të kulturës, dikush që nuk merr leje për vete që të punojë, nuk mund ti kërkojë leje të tjerëve. “Unë kam qenë një nga ata njerëz, që për më shumë se 1 vit kam kërkuar nga kryebashkiaku Lulzim Basha, se ku e ka lejen për zgjerimin e rrugës së Elbasanit, për shkatërrimin e Parkut të Tiranës, pjesës historike të Pallatit të Brigadave. E tani të shohësh këto njerëz që të kërkojnë tani leje, është suerreale”, tha Lame.

KUSH PO JEP NDIHMËN NË RIKONSTRUKSION
Sipas Artan Lames, janë shumë njerëz që po japin ndihmën e tyre. “Edhe une vetë jam një donator vullnetar, pasi po bëj një punë që nuk paguhem, por e bëj për kënaqësinë time më të madhe për tu marrë me ketë gjë. Ke këto ndërtesa që kaq pak na kanë mbetur edhe vjen dikush dhe të thotë hajde. Donator kam qenë edhe në kohën e Berishës, pasi dua të merrem me këtë  gjë”, deklaroi Lame.

Në studion e A1 Rerport, Lame thotë se, “donacionet janë të disa kategorive, dikush lulet, dikush pllakat, dikush pastrimin etj. Donacione e mëdha janë tjetër gjë, kur të nisim restaurimin me themel do të vihet një pllakë ku do të vihet emri i donatorit”.

PËR PIRAMIDËN
Për studiuesi, Artan Lame, gjendja e piramidës ka ardhur si pasojë e metodologjisë së ish-kryeministrit, Sali Berisha. “Ka qenë metologjia e Berishës, që e bastardonte një gjë deri në fund, pasi atëherë kërkonte vetëm largimin e saj, pasi ishte kthyer në gërmadhë. Janë bërë shumë premtime për ndërtime aty, por asnjë nuk është bërë. Janë bërë 20 premtime por asgjë nuk u bë, veç shkatërrimit të piramidës”.

Lame flet edhe për rikonstruksionin e saj dhe të zonës përrreth.  “Kërkon një mendim të thellë, pasi ajo u zhvesh, iu hoq mermeri, pasi është shumë e vështirë ti gjesh një funksion një godine që është shkatërruar. Për këto arsye shërben ajo lloj prekje e godinës, pasi do ta ndryshojmë këtë gjë. E para për ti dhënë një mesazh ndryshimi dhe e dyta për ti tërhequr vëmendjen popullit, pasi ajo godinë ka histori. Nga ajo godinë në 70 vjet janë dhënë vendime nga të gjithë”, tha gjatë intervistës së tij në studion e A1 Report, studiuesi Artan Lame.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)