Foto: Skënder Hita 

Drejtues Madhor Skënder Hita gjatë fjalës së tij në ceremoninë mortore për Enea Mekolli, tha se efektivi që u vra në krye të detyrës nuk ishte thjesht një efektiv policie, ai ishte një punonjës shembullor në çdo strukturë ku shërbeu, duke lënë pas gjurmët e një profesionisti të palodhur dhe të një njeriu me integritet të lartë.

"Sot, Policia e Shtetit, Korça, Maliqi dhe mbarë Shqipëria përulen me respektin më të thellë përpara Dëshmorit të Policisë, Inspektor Enea Mekollit. Një djalë i ri, vetëm 34 vjeç, babai i një fëmije të shtrenjtë që sot mbeti pa krahun e tij më të fortë, një bashkëshort, një bir dhe një koleg i jashtëzakonshëm. Enea nuk ishte thjesht një efektiv policie, ai ishte një punonjës shembullor në çdo strukturë ku shërbeu, duke lënë pas gjurmët e një profesionisti të palodhur dhe të një njeriu me integritet të lartë. Dje, ai ra heroikisht në krye të detyrës, gjatë një operacioni për kapjen e një personi të kërkuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai u flijua në përmbushje të misionit tonë të shenjtë, mbrojtjen e ligjit, të jetës së qytetarëve, të rendit dhe sigurisë publike.

Çdo punonjës policie, në çdo cep të vendit, e ka ndjerë këtë humbje si një plagë të vetën", tha Hita, teksa theksoi se kjo valë solidariteti tregoi se ne nuk jemi thjesht një institucion shtetëror, ne jemi një familje e madhe, e lidhur nga misioni, sakrifica dhe ideali i përbashkët, ti shërbejmë Shqipërisë. Në Malin Bode, aty ku ligji dhe krimi u përballën egërsisht, Enea nuk bëri asnjë hap pas.

Teksa shprehu ngushëllimet familjarëve Hita tha se kjo ngjarje është edhe një thirrje për qytetarët në mbarë vendin që duan ligjin, rendin dhe sigurinë, dhe që çmojnë vlerën e uniformës e të detyrës që kryejnë punonjësit e Policisë.

"Jam i tronditur nga kjo që ndodhi dhe e di mirë se nuk ka fjalë që mund t’jua lehtësojnë dhimbjen apo t’ju ndalin lotët sot. Kurajo, forcë dhe krenari për humbjen e Eneas, sepse ju nuk  jeni vetëm. Siç e dëshmoi reagimi i sinqertë i mijëra kolegëve në mbarë Shqipërinë, Policia e Shtetit do të jetë pranë jush në çdo kohë. Fëmija i Eneas dhe e gjithë familja e tij do të kenë përherë mbështetjen tonë të pakursyer. Ju rritët një bir të denjë të këtij vendi, një njeri që e deshi uniformën dhe detyrën deri në sakrificën më të madhe. Për këtë, ne do t’ju jemi mirënjohës përjetë.

Nga ana tjetër kjo ngjarje është edhe një thirrje për qytetarët në mbarë vendin që duan ligjin, rendin dhe sigurinë, dhe që çmojnë vlerën e uniformës e të detyrës që kryejnë punonjësit e Policisë. Ata burra dhe gra, djem dhe vajza që shihni çdo ditë në rrugë, janë ata që në momentet e rrezikut nuk largohen, por ecin drejt tij për të mbrojtur jetën, sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve.

Enea tashmë radhitet mes më të mirëve të këtij kombi, mes atyre që flijuan jetën për të mirën e vendit dhe zbatimin e ligjit. I dashur Enea, koleg, vëlla dhe nga sot, Dëshmor i Atdheut!

Ti e përfundove misionin tënd tokësor në mënyrën më heroike, por misioni ynë vazhdon. Modeli yt si një punonjës i shkëlqyer në çdo detyrë që mbajte, dhe uniteti që dëshmuan sot kolegët e tu, do të mbeten frymëzim për ne që të mos ndalemi kurrë në luftën kundër krimit dhe në shërbim të qytetarëve, sepse uniforma e Policisë së Shtetit nuk do të përkulet kurrë para krimit.

Sakrifica jote nuk do të harrohet kurrë. Kujtimi yt do të jetojë në zemrat tona dhe do të shërbejë si dritë udhëheqëse për çdo efektiv që vesh uniformën e Policisë së Shtetit.

Lamtumirë, Heroi ynë!", tha Hita.


Lajmi kryesor:

U vra në krye të detyrës, kolegë e familjarë i japin lamtumirën mes lotësh policit Mekolli! Xhaxhai: E dërguan në operacion pa asnjë mbrojtje! Dyshime se s'kishin antiplumb