Aktori amerikan Ben Jones, i njohur për rolin e mekanikut të dashur Cutter Davenport në serialin e famshëm televiziv “The Dukes of Hazzard”, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.

Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur bashkëshortja, Alma Viator, e cila tregoi se aktori pësoi një atak të rëndë në zemër të dielën.

“Humba dashurinë e jetës sime sot. Ben ndërroi jetë nga një atak në zemër. Ben pati një jetë të mrekullueshme, të pasur dhe të plotë. Ai e donte dhe u dashur nga kaq shumë njerëz. Do të na mungojë. E doja aq shumë”, shkroi Viator në Facebook.

Ben Jones u bë i njohur për publikun amerikan falë rolit të Cutter Davenport në “The Dukes of Hazzard”. Ai u shfaq në të shtatë sezonet e serialit, nga viti 1979 deri në vitin 1985.

Seriali, i transmetuar nga CBS, u kthye në një prej prodhimeve televizive më të njohura amerikane të asaj periudhe dhe la një gjurmë të fortë në kulturën popullore.

Përveç “The Dukes of Hazzard”, Jones u shfaq edhe në produksione të tjera filmike dhe televizive, mes tyre “Smokey and the Bandit”, “Moonrunners” dhe “As the World Turns”.

Pas karrierës së tij në aktrim, Ben Jones iu drejtua politikës. Në vitin 1988, ai kandidoi për Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së në Distriktin e 4-t të Xhorxhias dhe fitoi zgjedhjet. Ai u rizgjodh në vitin 1990 dhe shërbeu gjithsej për dy mandate në Kongres.

Më vonë, Jones kandidoi pa sukses kundër republikanit Newt Gingrich.