Lamtumirë me përulje efektivit 
Rama: Dëshmor, simbol i paqes

Lamtumirë me përulje efektivit <br />Rama: Dëshmor, simbol i paqes
TIRANË - Krerët më të lartë të shtetit, politikanë, drejtues të policisë, kolegë, miq, të afërm e familjarë i dhanë lamtumirën e fundit efektivit Ibrahim Basha, 31-vjeçarit i cili humbi jetën nga breshëria e plumbave të një grupi të armatosur në fshatin e Lazaratit.

Pas përcjelljes me faljen e xhenazes në xhaminë e E’them Beut nga qindra besimtarë myslimanë, besim të cilit i përkiste edhe speciali i RENEA-s i rënë në detyrë agjërueshëm, në Pallatin e Brigadave u zhvillluan homazhe për t’i dhënë lamtumirën me nderimet më të larta. Basha do të prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, si një simbol i sakrificë e dëshmor i paqes, siç vetë kryeministri Rama e cilësoi të rënin në krye të detyrës.

Të parët që u përulën para trupit të të ndjerit në arkivolin e mbuluar nga flamuri kombëtar, ishin kolegë të Bashës, i cili kishte vetëm një vit që ishte bërë pjesë e RENEA-s ndërsa kishte marre pjese dhe në misionin paqeruajtës në Afganistan dhe Irak, e një nga vendet më të rrezikshme në Kandahar. 

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama, kryeparlamentari Meta, ministri i brendshëm Saimir Tahiri, ministrja e Mbrojtjes Kodheli, i mirëqenies Sociale Blendi Klosi, kryebashkiaku i ri i Tiranës Erion Veliaj, nënkryetarja e Bashkisë Nevila Xhindi e personalitete të tjera të politikës nderuan efektivin e rënë dëshmor në mbrojtje të sigurisë së vendit.



Rama: Përulje për një dëshmor të paqes e një simbol të sakrificës
“Në paqe djemtë varrosin baballarët. Në luftë baballarët varrosin djemtë” - me këtë thënie të filozofit Herodoti e ka nisur fjalën e tij ngushëlluese kryeministri Edi Rama, teksa u shprehu ngushëllimet me ndjenjën më të sinqertë të respektit familjarëve.
 
Basha, tha ai, - ka qenë 2 herë në operacione të NATO-s jashtë vendit ku ka dhënë kontributin e tij dhe sot ai po varroset si dëshmorë i rënë në paqe. Rama tha se nuk e ka njohur Ibrahim Bashën e as nuk do e njohë atë dhe se prania e tij në ceremoni është për një përulje të madhe për një dëshmor të paqes e një simbol të sakrificës, i cili dhe jetën në krye të detyrës.

rama te homazhi i ibrahim bashes

“Ibrahimi siç na e kujtoi xhaxhai i tij mbrëmë mund të ishte i varrosur si dëshmorë i rënë në luftë sepse ka qënë 2 herë në operacione të NATOS dhe i ka kryer ato me sukses. Por ai sot po varroset si dëshmorë i rënë në paqe. Ne të gjithë ngremë kokën të pafuqishëm për të parë lojën tekanjoze të fatit.  Është një stërmundim ekstrem që ne të kërkojmë fjalë për familjen që është mbledhur grusht. Ky stërmundim ata i mbledh dhe i j’ua bën të pakuptimta këto fjalë. Unë nuk e kam njohur Ibrahimin dhe as kolegët e tij. Nuk i njohim dëshirat e tij. Ne nuk e njohëm atë e as do e njohim ndonjëherë. Prania jonë pranë tij sot nuk do jetë gjë tjetër veç përuljes. Fjalët tona nuk mund ta zbusin zemrën e bërë gurë të familjarëve të tij. E ardhmja dhe ëndrrat e tij kanë mbaruar sepse jeta e tij mbaroi për shkak të detyrës. Ne jemi sot këtu për të përcjellë jo njeriun që nuk njihnim por njeriun i cili ra në krye të detyrës. Ne sot përulemi përpara një simboli të sakrificës. Trupi që kemi sot këtu nuk është ai i një të vdekuri, por është simbol i një ideali. Është vlera e një paqe dhe sigurie të patjetërsueshme. Ne nuk mund ta dimë të ardhmen tonë, por mund të ndihmojmë dhe të mësojmë fëmijët tanë të jetojnë me gjëra që ja vlejnë me të vërtetë. Ti mësojmë të zgjedhin anën e duhur të historisë në vend të anës së gabuar. U përulem me ndjenjën më të sinqertë të respektit familjarëve të Ibrahim Bashës. Djali juaj ishte në anën e atyre që donin siguri dhe qetësi sepse ju ja mësuat këtë. Ju përgjërohem mos mendoni vetëm për atë që mund të ishte dhe mos mendoni vetëm për përfytyrimet ndaj tij por mendoni edhe se sa familje janë mirë falë sakrificave të djalit tuaj. Një fjalë e vjetër thotë që në fund fare fëmijët tona do na bëjnë krenarë kur të bëjnë dallimi në këtë botë. Dh Ibrahimi e bëri këtë. Ai është bërë një shembull frymëzues për çdo punonjës shteti. Ju familjar jeni familje e një dëshmori që ra dje në krye të detyrës.
Lamtumirë mik i panjohur
!”



Meta: Fatkeqësisht terrorizmi të goditi pas krahëve. Të vendosim sa më parë drejtësi!
Kreu i kuvendit Ilir Meta u shprehu ngushëllimet e thella të gjithë familjarëve dhe të afërmve të efektivit Ibrahim Basha. Ai tha se me rënien në krye të detyrës Basha meriton nderim të përjetshëm. Meta tha se dora terroriste e goditi Bashën pas krahëve dhe për këtë duhet vendosur sa më parë drejtësia.

meta te homazhi i ibrahim bashes

“Sot nuk është ditë e zakonshme. Ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të Ibrahimit. Me rënien në krye të detyrës Ibrahim Basha meriton nderimin tonë të përjetshëm. Krah për krahë me aleatët ti ke dhenë kontributin në botë.  Mirënjohje dhe respekt për jetën dhe sakrificën tënde. Fatkeqësisht dora terroriste të goditi pas krahëve . Goditjet terroriste shtuan kështu në mënyrë të dhimbshëm listën e të rënëve në krye të detyrës. Të vendosim sa më parë drejtësi për humbjen e jetës së Ibrahimit. Ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë”, tha Meta.

Lu: Vrasja tragjedi kombëtare, kombi krenar për këta djem
Ambasadori amerikan në vendin tonë Donald Lu tha se vrasja e Bashës ishte një tragjedi kombëtare. kryediplomati tha se i gjithë kombi shqiptar duhet të jetë krenar për këtë djalë. Lu ka shprehur konsideratat e tij më të larta për të gjithë efektivët që shërbejnë në forcat RENEA, duke i cilësuar ata si më të mirët.


Në emër të aleatëve të Shqipërisë në NATO që kanë shërbyer bashkë me Bashën në Afganistan e Irak, ne e nderojmë shërbimin e tij në këto vende. Basha ka shërbyer në vende krah për krahë vëllezërve shqiptarë e atyre të SHBA-së në Kandahar një prej vendeve më të rrezikshme. Shërbeu në 3 aksione në Afganistan dhe 2 në Irak. Ai ka marrë disa medalje. Vrasja e tij në Lazarat ishte një tragjedi kombëtare. E vlerësojmë kontributin e tij në luftën kundër krimit. Aftësia dhe profesionalizmi i RENEA-s më kanë impresionuar pasi i kam parë në një stërvitje. Janë forcat më të mira. Në emër të NATOS dhe të SHBA i shpreh ngushëllime familjes dhe të gjithë shqiptarëve”, tha Lu.

lu ne homazhin e ibrahim bashes

Tahiri: Ibrahim, të mund të shihje, e gjithë Shqipëria anembanë është me ty! Përulemi para teje me mirënjohje
Me një fjalim tejet të ndjerë ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri i dha lamtumirën efektivit të RENEA-s, me një dhimbje që sipas tij e ndjen e gjithë Shqipëria.
 
“Ibrahim, Jemi mbledhur këtu, vëllai ynë. Për të të thënë lamtumirë, tani që po shkon në shtëpinë tënde të fundit. Është familja jote këtu. Është nëna dhe motrat, është babai, është vëllai yt i vogël, janë dajat, xhaxhallarët.
 
Janë miqtë, shokët dhe kolegët e tu. Është çdo shqiptar sot me ty. Kjo është Familja jote e madhe. E përulemi para teje me mirënjohje e respekt të thellë, Ibrahim. Fati i keq e deshi që një dorë e pabesë të të merrte jetën. Dora e frikës dhe terrorit, që padrejtësisht u ngrit mbi ty. Jo përballë, siç i ka hije trimave. Siç i ka hije një trimi si ty. Por fshehtas, pabesisht. Ka shumë dhimbje këto 24 orë! Të mund të shihje sa shokë e miq ke pasur në të gjithë Shqipërinë e sa shumë të janë bërë.  E gjithë Shqipëria, anembanë, është me ty, po të përulet me mirënjohje Ibrahim.  Thonë se heronjtë njihen kur flënë nën dhe', por t'i hero ishe edhe për së gjalli. Me shokët e tu, të vendit tënd e të huaj, në forcat e Aleancës së Bashkuar, duke luftuar në ato vendet e largëta e me luftë të vërtetë, për ta bërë botën më të mirë, më të drejtë, më të lirë e më demokratike. E tani e gjithë Shqipëria u shtang, pse dora e terrorit të mori jetën, këtu në vendin tënd. Ku luftë nuk ka, por ku për më shumë se dy dekada ka pabesi të pashoq që ka mbjellë plagë të neveritshme në trupin e vendit tonë. Siç ishte edhe fshati ku ca kriminelë të morën jetën ty. Luftove për të bërë të lirë e të sigurt vende të tjera e popuj të tjerë, por jetën e dhe për popullin tënd e për vendin tonë. Në atë fshat të mbajtur peng për dekada, për t'i marrë lekët e drogës dhe votat e pushtetit. Ku turpi i trashëguar mbi kurrizin e të gjithëve çoi në këmbë djem si ti për t'i bërë ballë vështirësive për një Shqipëri të re. Dora e pabesë që u ngrit mbi ty ka mbi dy dekada që rritet për t'i bërë karshillëk Shqipërisë, për të sfiduar shtetin, ligjin dhe drejtësinë. Ajo dorë, dje të mori jetën.  Në atë fshat me plot njerëz të ndershëm, por ku kanë mbetur ende ca kriminelë të përdorur. Të cilin vjet e çliruam nga droga e krimi, por që nuk kemi mbaruar.  Se ti dhe shokët e tu në Policinë e Shtetit, në FNSH dhe Repartin RENEA dini diçka që publiku jo shpesh e di. 
 

tahiri te homazhi i ibrahim bashes

Krimit i mjafton të ketë sukses 1 herë në 100 apo 1000 raste. Qoftë një herë të vetme. Ndërsa policisë i duhet të ketë sukses çdo herë. Punonjësit të policisë i duhet të ketë sukses çdo ditë të jetës.  Dhe e djeshmja ishte dita jote pa fat Ibrahim. Na kanë vrarë të gjithë nga pak miku jonë! Ajo dorë ka goditur shtetin dhe ligjin.  Eshtë ngritur kundër shoqërisë. Kundër çdo shqiptari të ndershëm.  Këtë e di familja jote. E dinë miqtë e tu.  E dinë kolegët e tu në Policinë e Shtetit, që edhe tani janë në Lazarat për të vazhduar punën tënde e për t'i dhënë goditjen e ligjit kujdo që ka guxuar e guxoi të vërë dorë mbi shtetin, mbi Policinë e Shtetit. Mbi ty, Ibrahim. Nuk je vetëm, as tani. Çdo punonjës i Policisë së Shtetit është me ty. Ne jemi me ty. Shqipëria është me ty. Tani më shumë se kurrë. Dhe nuk ka kurajo më të madhe për punonjësit e Policisë së Shtetit sesa jeta jote. Nuk ka shembull më të fortë për të gjithë ata që luftojnë, me armë siç bëje ti apo në çdo mënyrë tjetër, për ta bërë Shqipërinë një vend më të drejtë.
 
Ne sot përulemi me respekt e mirënjohje, me premtimin se nuk do të reshtim kurrë të vëmë para drejtësisë dorën e krimit që u ngrit mbi ty.  Sfidat na bëjnë më të fortë. Vështirësitë na e bëjnë rrugën më të qartë. Sakrifica jote na e bën vullnetin më të hekurt, për ta bërë Shqipërinë më të paqtë e më të lirë nga kërcënimi i frikës.  Atdheu nuk mund të kishte miq më të mirë se ty, Ibrahim.  Hero për së gjalli, dëshmor sot. Më i gjallë se kurrë. Prehu në paqe miku ynë, të ndrittë shpirti gjithmonë! 
Lamtumirë!




Koleg i RENEA: Ndihemi krenarë për punën tënde, do jesh ndër vite hero i kombit
Me zërin që i dridhej nga pikëllimi e dhimbja, një nga kolegët e forcave RENEA, me të cilin, Ibrahim Basha ndau një pjesë të karrierës së tij tha se ndjehet krenarë për punën e Ibrahim Bashës. Ai tha se Basha ishte një prej shokëve me të cilin nisi rrugën në FA dhe në Ministrinë e Brendshme, i cili do jetë ndër vite hero kombëtarë.

efektivi reneas

“Ndihemi krenarë për punën tënde. Kam bindje të plotë se persona si ty do konsiderohen ndër vite heronj të kombit tonë. Së bashku nisëm një rrugë që mendonim që do ta përfundonim bashkë. Nisëm bashkë  rrugën në Forcat e Armatosura, po së bashku vendosëm ti bashkohemi Ministrisë së Brendshme që të japim kontributin për vendin tonë. Na mbetet ne Ibrahim që të vazhdojmë rrugën që nisëm bashkë. Respekti dhe mirënjohja e gjithë shoqërisë do jetë e përjetshëm”, - 
tha një koleg (shok) i të ndjerit Ibrahim Basha.

xhaxhai i ibrahim bashes

rama etj te homazhi i ibrahim bashes

nishani te homazhi i ibrahim bashes

didi i prere

Muslimanët përcjellin me falje vellane e tyre besimtar

Të lidhur në lutje me njëri-tjetrin qindra besimtarë myslimanë përcollën me nderime efektivin e RENEA-s Ibrahim Basha, vëllain e tyre siç besimtarët i drejtohen njëri-tjetrit, i cili humbi jetën nga breshëria e plumbave të një grupi të armatosur në fshatin e Lazaratit.

Trupi i pajetë i 31-vjeçarit i cili vdiq agjërueshëm në krye të detyrës u përcoll me namazin e xhenazes (ritual islam) në Xhaminë e Et’hem Beut. Qindra miq e qytetarë të thjeshtë ndoqën lutjen e imamit të Tiranës ylli Gurra, ndërsa dhimbja për këtë humbje nuk mundi të ndalte lotët në sytë e tyre.

Sot me shumë dhimbje përcjellim një nga qytetarët më të denjë më të përkushtuar, më të pakursyer në shërbim të vendit, të sigurisë sonë, qetësisë së jetës sonë, në shërbim të rendit, të lumturisë të cilitdo musliman, qytetar për të sotmen dhe të nesërmen. Vëllai ynë një agjërues i ditëve të para që nuk do të kursente as jetën as gjakun, as familjen për të qenë atje ku zoti e thotë në kuran: Atje ku atdheu e kërkon, ku shërbimi e kërkon, ku zemra e secilit prej nesh rreh të jetë në shërbim të zotit. Sot po përcjellim një nga djemtë e mrekullueshëm, besimtar i denjë që la pas 9 motra, një baba i përkushtuar. Saç ishte e shenjtë jeta e oficerit aq është i shenjtë edhe ndëshkimi i kujto që ngriti dorën ndaj tij. Oficer Brahimin e përcjellshim për xhenet në parajsat e larta”, u shpreh Myftiru i Tiranës. 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Deputeti i PDK-së flet për Report Tv: Fjalimi i Ramës në parlamentin e Kosovës gjithpërfshirës, dha mesazhe se jemi një! Negativiteti i Vetëvendosjes, i pashpjegueshëm

Deputeti i PDK-së flet për Report Tv: Fjalimi i Ramës në parlamentin e Kosovës gjithpërfshirës, dha mesazhe se jemi një! Negativiteti i Vetëvendosjes, i pashpjegueshëm