Gazetari dhe publicisti Namir Lapardhaja është përcjellë këtë të mërkurë në banesën e fundit. Homazhet në nderim të tij u mbajtën në Pallatin e Kulturës në Berat, nga ora 11:00 deri në 13:00. E ulur në rresht të parë, bashkëshortja me dy vajzat e saj pritën qytetarë e figura publike që u përkulën para njeriut i cili shquhej për analizat e opinionet në media.
Të pranishmit mes tyre deputeti socialist Erion Braçe, publicisti Preç Zogaj, ish-prefekti i Beratit Roland Bejko, analisti Yzedin Hima ndanë kujtime dhe vlerësime për figurën e tij, duke theksuar kontributin që ai dha në letërsi, në jetën publike dhe në shoqëri.
Analisti Yzedin Hima e cilësoi Lapardhanë si një busull morale jo vetëm të moshatarëve të tij, por edhe të brezave të ardhshëm.
“Unë Namirin nuk e kam njohur thjesht si drejtor i Drejtorisë Arsimore, por e kam njohur si koleg mësues, si koleg në media, si dhe në krijimtarinë letrare. Megjithëse ishte në moshë më të vogël krahasuar me mua, ishte një bashkëbisedues i mrekullueshëm, sikur flisje me një bashkëmoshatar. Kishte një karakter të fortë, energjik, me Namirin jo vetëm mund të bisedoje, por edhe të mësoje. Namiri ishte busulla morale jo vetëm e moshatarëve të tij, por edhe brezave që do vijnë", tha Hima.
Publicisti Preç Zogaj, u shpreh se 'Lapardhaja do mbetet një simbol i shoqërisë, nga i cili kemi çfarë të mësojmë, si ne, ashtu edhe brezat që do të vijnë'.
“Namiri kishte moshën e djalit tim, por unë e kam njohur sikur të ishim moshatarë, unë duke u ‘zvogëluar’, ai duke u rritur. Na ka lidhur libri, dhe këtë gjë e bën vetëm leximi. E kam takuar fillimisht në panairet e librit dhe ishte shumë i interesuar për botimet e reja, sidomos për vëllime me poezi. Ne që shkruajmë poezi, na bën shumë përshtypje kur dikush kërkon të lexojë poezi, dhe prej aty forcuam një lidhje të fortë. Ndarja jonë e përbashkët ishin librat”, shtoi ai.
Ish-prefekti i Beratit Roland Bejko se ikja e papritur e Namirit nga kjo jetë ka lënë një boshllëk të madh në gazetari, teksa theksoi gjithashtu se kjo është një humbje e madhe veçanërisht për familjen e miqtë.
“Namirin e kam njohur rreth 20 vite më parë, pikërisht këtu në këtë vend ku sot po i japim lamtumirën e fundit. Ishte një djalë i brishtë, i edukuar dhe shumë i sjellshëm. Por, sa i brishtë dukej nga jashtë, aq i fortë ishte përbrenda. Me rritjen e tij, jo vetëm në moshë, por edhe në aspektin profesional, Namiri filloi të na bënte të kuptonim se nga ai djalë kishim çfarë të mësonim.
Ai arriti një zhvillim të madh, u bë një figurë e rëndësishme në botën e gazetarisë dhe në jetën aktive të qytetit të Beratit. U kthye në një personazh të rëndësishëm, aq sa herë më duhej të vija në Berat, telefonata e parë ishte për Namirin. Kjo është një humbje e madhe për familjen, të afërmit dhe miqtë. Ka lënë një boshllëk të madh në gazetari. Namiri zuri një vend të rëndësishëm në analizën politike, duke krijuar profilin e tij të veçantë.
Të zësh një vend të caktuar në realitetin shqiptar është e vështirë. Por Namiri, duke ardhur nga një qytet si Berati, arriti ta bëjë këtë me dinjitet. Sot që ai është larguar, ai vend natyrisht mbetet bosh. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shpresojmë dhe të besojmë që Zoti ta ketë pranë tij. Ashtu siç e ngacmoja shpesh: ‘Namir bej’… erdhi dhe u largua si i tillë”, tha ai.
Pas homazheve të mbajtura Lapardhaja u përcoll për në banesën e fundit (në varrezat e Burdulliasit në Berat) mes lotëve, kurora lulesh e karafila të kuq.
Namir Lapardhaja, ndërroi jetë në moshën 40-vjeçare në Gjermani, në orët e para të mëngjesit. Shkaku i vdekjes dyshohet të ketë qenë një trombozë në sistemin e qarkullimit të gjakut.
Një djalë i kulturuar, mendjehapur, që rridhte nga një familje e persekutuar nga regjimi komunist, ai ishte gjithashtu një kritik mendjehapur i ngërçit të së djathtës së sotme shqiptare dhe sidomos problemeve që përjeton opozita e sotme. Ai ishte autor librash, esesh dhe një numri të madh artikujsh që do të mbeten trashëgimia e tij kulturore për shoqërinë dhe familjen e tij.
Lapardhaja ka publikuar herë pas here edhe shkrime te Shqiptarja.com, ku i fundit u publikua vetëm dy ditë para vdekjes së tij, i titulluar "T’i varësh Gaz Bardhit në qafë ndryshimet statutore".
Komente










