Perandori nuk është më. Valentino Garavani u shua sot në moshën 93-vjeçare në Romë, atdheun e tij të dashur e të zgjedhur ku kishte vendosur të jetonte dhe të punonte përgjithmonë. Nuk është e nevojshme të jesh i apasionuar pas modës për të kuptuar çfarë humbjeje është kjo për botën: fama e Valentinos i kapërcen modën, shijet dhe madje edhe brezat. Të gjithë e dinë kush ishte, dhe të gjithë e dinë se sa shumë krijimet dhe idetë e tij kanë lënë gjurmë në kulturën shoqërore.
“Çfarë dëshirojnë gratë? Të jenë të bukura”. Kështu e përmblidhte ai vizionin e tij, njw vizion i cili e ka udhëhequr në çdo hap, që nga viti 1959, kur themeloi shtëpinë e tij të modës në Romë, deri në vitin 2007, kur vendosi të tërhiqej.
Përpara modës, sfilatave dhe tapeteve të kuq dhe gjithçkaje, synimi i Valentinos ishte t’i bënte gratë të bukura. Ato e kanë kuptuar gjithmonë këtë dhe për këtë arsye e vendosën që në fillimet e tij në Olimpin e krijuesve.
Jeta e Valentinos ishte legjendare. Lindi në Voghera më 11 maj 1932 dhe siç do të tregonte më vonë, ishte i tërhequr nga e bukura që fëmijë. Një nga anekdotat që është kthyer në legjendë është ajo që përjetoi kur, ende adoleshent, shoqëroi familjen në Operën e Barcelonës. Aty, i rrethuar nga dhjetëra zonja jashtëzakonisht elegante të veshura me të kuqe, kuptoi sa shumë u shkon ky ngjyrë të gjithave; në atë moment e zgodhi si ngjyrën e tij simbol, përgjithmonë. Por do të ishte gabim ta tkurrje trashëgiminë e tij vetëm në një tonalitet.
Pas studimeve në Milano, në vitin 1949 transferohet në Paris, ku ndjek École des Beaux-Arts pranë Chambre Syndicale de la Couture Parisienne. Është shumë i ri, vetëm 17 vjeç, por asgjë nuk e ndalon: në atë kohë italianët nuk shiheshin mirë përtej Alpeve, por ai është thjesht shumë i talentuar. Fiton çmimin Woolmark (i njëjti që nisi karrierat e Yves Saint Laurent dhe Karl Lagerfeld, mik i tij shumë i dashur), nis me një praktikë te Jean Dessès, më pas fillon të punojë për Guy Laroche, të cilin e njeh në atelier.
Por nuk i mjafton më: në vitin 1959 kthehet në Itali dhe zhvendoset në Romë, që asokohe ishte djepi i modës së lartë italiane. Fotografitë e para “zyrtare” e tregojnë duke punuar mbi fustanin e nusërisë së motrës, ndërsa një nga veshjet e para është një fustan deri në gju i mbuluar me trëndafila tulle që kalojnë nga rozë në të kuqe, një element dekorativ që do të rikthehet ndër vite.
Në vitin 1960, në Via Veneto, takon Giancarlo Giammetti-n, 22 vjeç, student arkitekture. Është dashuri me shikim të parë dhe kështu lind një nga bashkëpunimet më të rëndësishme, më të qëndrueshme dhe më frytdhënëse të modës: Valentino mundi t’i përkushtohet plotësisht krijimtarisë, ndërsa partneri, me një qasje shumë më të vendosur dhe efikase, u morr me administrimin. Së bashku janë të pandalshëm. Diana Vreeland, e cila ndan me stilistin pasionin për të kuqen, i pagëzon “The boys”.
Në vitin 1962 marka debuton në Firence, në Pitti, në Sala Bianca, por momenti kur Valentino kalon nga një shtëpi e rëndësishme mode në simbol të një epoke është viti 1967, kur prezanton një koleksion tërësisht të bardhë. Orari i sfilatës është katastrofik: i fundit i ditës së fundit, kur blerësit dhe shtypi i huaj janë larguar. Por fjala përhapet se është një rast që nuk duhet humbur dhe në fund të gjithë qëndrojnë, vetëm për të. Valentino do të kujtonte më vonë sa i frikësuar ishte nga ideja për të eliminuar ngjyrën në një epokë të dominuar nga hippie dhe psikodelia, por ishte i sigurt për zgjedhjen e tij. Një triumf.
Dalëngadalë, të gjitha yjet që kanë emër bëhen fillimisht klientet e tij, më pas miqet e tij. vajzat e famshme, diva, këngëtare, gra të kurorëzuara: të gjitha përfundojnë, të lumtura, në oborrin e perandorit. Jackie Kennedy vesh një fustan të tij si në funeralin e bashkëshortit të parë, John Kennedy, ashtu edhe në martesën me Aristotel Onassis (pikërisht nga koleksioni i Bardhë). “Nuk kishim asnjë ide, dinim vetëm që kishte blerë disa fustane”, do të tregonte vite më vonë Giammetti. “Pastaj një mëngjes u zgjuam nga gazetarët, të çmendur, që donin të dinin gjithçka për martesën”.
Jackie bëhet një nga njerëzit më të afërt me stilistin, pothuajse muza e tij jozyrtare. Një shembull i shkëlqyer i aftësisë së Valentinos për t’i veshur gratë është një nga fustanet më të famshme të veshura nga Jackie: një lloj sari me një shpatull prej sateni ngjyrë jeshile mente, me skaje të zbukuruara me kristale. Pas saj, të njëjtin model e vesh Jennifer Lopez në Oscarët e vitit 2002. Dy bukuri krejt të ndryshme, por fustani u rrinte për mrekulli të dyjave. Kjo nuk është për këdo.
Edhe pse marrëdhënia sentimentale përfundoi pas dhjetë vitesh, në vitin 1970, Valentino dhe Giammetti mbetën shumë të lidhur. Familja e tyre e zgjedhur u zgjerua gjithnjë e më shumë me miq, partnerë, nipër dhe fëmijë – një klan shumë i bashkuar dhe shumë elegant. Valentino ndërkohë zgjedh Parisin si qytetin e tij të modës. Vendoset në Place Vendôme dhe kjo për të ka kuptim: është më francezi nga krijuesit italianë, më i afërti me ndjeshmërinë e haute couture franceze.
Karriera ecën si tren: vesh Liz Taylor në martesën e saj, shumë familje mbretërore (si Marie Chantal e Greqisë), dhe krenohet se gjashtë aktore kanë fituar çmimin Oscar të veshura prej tij: Julia Roberts, Jessica Lange, Cate Blanchett, Mercedes Ruehl, Sophia Loren, Jessica Tandy. Feston me Andy Warhol dhe Madonna, bën ski në Gstaad, punon në Palazzo Mignanelli në Romë, i rrethuar nga qenushët e tij të dashur, simbol po aq sa e kuqja. Në chateau-n e tij pranë Parisit organizon festa legjendare. Qoftë për Gwyneth Paltrow apo Kim Kardashian, nuk ka rëndësi: janë gjithmonë perfekte.
Valentino mishëron ëndrrën në gjithçka: nga mënyra si shtron tavolinat, te sfilatat, ku në fund del gjithmonë i përsosur për të përshëndetur publikun me krahun lart. Në vitin 1998 shet markën për 300 milionë dollarë, përpara shumë të tjerëve. Ai dhe Giammetti ruajnë rolet e tyre, edhe në vitin 2002 kur marka blihet nga grupi Marzotto. Në vitin 2006 merr Legjionin e Nderit në Paris dhe shfaqet në një cameo te “Djalli vesh Prada”. Në vitin 2007 shpall tërheqjen nga moda aktive. Për lamtumirën, zgjedh Romën: tre ditë spektakolare, një festë para Koloseut, një ekspozitë historike në Ara Pacis dhe një sfilatë që mbyllet, çuditërisht, me fustane rozë.
Hidhërimi i vërtetë zbulohet në vitin 2009 me dokumentarin Valentino – The Last Emperor. Filmi pritet me duartrokitje të gjata në Venecia dhe bëhet sukses global. Edhe pas tërheqjes, trashëgimia e tij vazhdon: Pierpaolo Piccioli dhe Maria Grazia Chiuri sjellin një rini të dytë për maison-in. Edhe larg pasarelave, Valentino mbetet figurë qendrore.
Një nga skenat më të bukura ndodh në korrik 2019, në Paris, kur pas sfilatës së Picciolit, rrobaqepëset e vjetra të shtëpisë i vrapojnë për ta përqafuar. Ai përlotet.
Do të na mungojë shumë./LaRepubblica
Komente








