Të dy gjetën vdekjen në krye të detyrës në luftën kundër krimit. Shokët i dhanë lamturimën e fundit duke shtënë në ajër 3 herë me breshëri automatiku, në shenjë respekti dhe përulje për detyrën e tij ndërsa familjarët hodhën lule dhe derdhën lot.
Zyrtarë të lartë të shtetit, miq e familjarë i dhanë lamtumirën komisarit i cili u plagos rëndë gjatë një operacioni policor mbrëmjen e 13 janarit në fshatin Suç, në zonën e quajtur Përroi i Keçit, në Mat dhe ndërroi jetë në spitalin e Foggias në Itali.
"Komisar Skura është simbol i vlerave morale dhe njerëzore. Ky hero nuk rreshti 28 vjet duke punuar për të mbrojtur qytetarët e vendit të tij". tha Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj në fjalën e lamtumirës në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut.
“Dora e rëndë e goditi në 100 vjetorin e ditëlindjes së policisë së shtetit duke e kthyer në simbol të luftës kundër krimit. Re në krye të detyrës”- tha një tjetër koleg i tij duke premtuar se Skura do të jetë një shembull në detyrën e tyre.
I vëllai i komisarit shprehu falenderimet për gjithë përpjekjet që u bënë për ta mbajtur në jetë. “Ishte e pamundur që Musai të jetonte. Musai ishte i familjes Skura që kishte nipa e mbesa, sot është bërë bir i Matit dhe të gjithë Shqipërisë. Ne fëmijët edhe vëllezërit do të ecim përpara në rrugën e tij. Na la krenarinë dhe ne në gjurmet e Musait do punojmë gjithmonë”.
Trupi i Dëshmorit të Atdheut u përcoll drejt Varrezave të Dëshmorëve nga Kortezhi i Policisë së Shtetit, ndërsa zyrtarë të lartë të shtetit, shok dhe miq të tij u përkulën para arkivolit të mbuluar me flamurin shqiptar i cili ishte vendosur në Shtëpinë Qëndrore të Ushtrisë. Në homazhe ishte dhe kreu i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, kryeministri Sali Berisha, kreu i PS-së Edi Rama, kreu i LSI-së Ilir Meta, kreu i FRD-së Bamir Topi, Ministri i Brendshëm Flamur Noka, si dhe shumë të tjerë.
TOPI: DUHEN MASA TEPER NDESHKUESE PER ATA QE VENE DORE MBI SHTETIN
Ora 12: 50 Pas homazheve në një prononcim të shkurtër për median kreu i FRD-së Bamir Topi tha: “Politika duhet patjetër të bëjë reformim me masa tepër ndëshkuese për ata që vënë dorë mbi shtetin”
BERISHA: TE VENDOSUR TE LUFTOJME KRIMIN
Ora 12: 33 Kryeministri Berisha tha se Skura ra në krye të detyrës duke luftuar me fallangat e krimit dhe garantoi se qeveria do të marrë hapat e nevojshëm ligjorë dhe mbështet forcat e policisë në luftën kundër krimit.
“Erdha të shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin e qeverisë shqiptare familjes së komisarit Musa Skura. Ai ra në krye të detyrës në përballje me fallangat e krimit. Shpreh ngushëllimet e mia efektivave të mia të policisë së shtetit për këtë humbje të madh. Komisar Musa Skura ishte njëri nga komisarët më të shkëlqyer më trima, më të vendosur të policisë së shtetit. Ai ishte një qytetar shembullor dhe prind i shkëlqyer dhe me rënien e tij në krye të detyrë lë një boshllëk të madh në zemrat miqve të tij. Erdha për të treguar mbështetjen ndaj policisë në luftën kundër krimit. Sakrifica sublime e komisar Musa Skurës, guximi dhe burrëria e tij do të jetë një frymëzim, sikundër ai i shokëve të tij që ranë dhe u bënë të pavdekshëm për të garantuar rendin. ”
I pyetur nëse do të ndërmarrë ndonjë hap ligjor pasi brenda pak muajsh u vranë dy komisarë të Policisë së Shtetit, Berisha tha: “Çdo lloj hapi ligjor i nevojshëm brenda kuadrit kushtetues, qeveria është e gatshme ta ndërmarrë, por nga ana tjetër drejtësia në të dy rastet po vepron dhe do të veprojë vendosmërisht”
LSI, META: KRIMI GODITI SËRISH DUHEN MASA TË RREPTA
Ora 12 : 14Kreu i LSI-së Ilir Meta e cilësoi një ditë të trishtë për të gjithë shtetin e të gjithë shoqërinë. ”Përsëri krimi goditi shtetin dhe mori jetën një punonjësi shembullor, duke i bërë një sfidë të cilës ne duhet t’i përgjigjemi jo vetëm me solidaritet njerëzor por duke marrë masa të forta e konkrete për forcimin e ligjit për goditjen e krimit që askush të mos e marrë për të lehtë goditjen e punonjësve të policisë.”- tha Meta pas homazheve. Ai foli dhe për sipërmarrjen e LSI-së për ndryshimin e Kodit Penal ku për të gjithë ata që vrasin punonjësit e policisë të ketë burgim të përjetshëm.
RAMA: NE NË PUSHTET ANGAZHOHEMI TË LUFTOJMË KRIMIN, POLICIA E TRADHETUAR
Ora 12 : 10 Kryetari i PS-së Edi Rama zhvilloi homazhe përpara trupit të pajetë të Musa Skurës. Rama premtoi se me të ardhur në qeveri do të angazhohet solemnisht në përballjen me krimin.
“Erdha për t’i dhënë lamtumirën një tjetër komisari kurajoz. Janë dëshmorë në një luftë me krimin që ka fituar një epërsi të frikshme në kushtet kur fatkeqësisht policia është tradhtuar, braktisur dhe po rrënohet dita ditës nën një drejtim tërëisht të padenjë. Duke ngushëlluar këto familje, që i shtohen familjeve të dëshmorëve të betejës së stërzgjatur me krimin dëshiroj, që në nderim të kujtimit të tij, të angazhohem solemnisht, se dita e një përballjeje ku policia do të rimarrë terrenin e humbur dhe krimi do të zbrapset është shumë e afërt.”- tha Rama.
TRUPI I PAJETE I MUSA SKURES MBERRITI NE PORT
Ora 10: 30 . Trupi i pajetë i Dëshmorit të Atdheut ishte parashikuar të mbërrinte rreth orës 08:00 - 09:00 në Portin e Durrësit por deti i trazuar vonoi ankorimin e tragetit me gati 1 orë e gjysëm. Trageti mbërriti në portin e Durrësit rreth orës 10:25 minuta. Në terminalin e trageteve ishin të pranishëm Prefekti i qarkut të Durrësit, Genc Alizoti, zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Met Rrumbullaku, drejtues të policisë, kolegë, familjarë, bashkëshortja Lavdie Skura, dy djemtë, Izmiri 23 vjec dhe Florjani, 21 vjeç, si dhe studentë në Universitetet e Peshkopisë dhe Tiranës.
"Për të pritur trupin e pajetë të komisar Musa Skurës nuk kanë dalë dot djali i tij i vogël, Marjusi, 9 vjeçar si dhe i ati, 92 vjeçar, Bajrami, të cilëve ende nuk u kanë treguar për fatkeqësinë", tha për ATSH-në, Izmiri, djali i madh i komisar Skurës.
Musa Skura ndërroi jetë mbrëmjen e 21 janarit në një spital të Foggias në Itali. 48 vjeçari humbi jetën në spitalin "Padre Pio" Itali, pasi u plagos në krye të detyrës gjatë një operacioni policor mbrëmjen e 13 janarit në fshatin Suç në zonën e quajtur Përroi i Keçit. në Mat. Të dyshuarit kanë hapur zjarr ndaj policëve, në momentin që këta të fundit kanë shkuar për të bërë arrestimet. Gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i plagosur edhe i dyshuar kryesor, Fitim Alla. Pas ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Ushatarak, Skura u dërgua për mjekim të specializuar por shëndeti i tij u përkeqësua dhe zemra e tij ndali mbrëmjen e 21 janarit. Lajmi për vdekjen e tij u mësua një ditë më pas.
Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë u vendos që Musa Skura të shpallet “Dëshmor i Atdheut” dhe familjes t'i akordohet një ndihmë financiare prej 5 milionë lekë.
Njëkohësisht drejtori i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj gjatë vizitës në familjen Skura, dy ditë më parë konfirmoi se shpenzimet mortore do të përballohen nga shteti, ndërsa për Musa Skurën do të ketë një ceremoni shtetërore.
VENDIMI I DJESHEM I QEVERISE
“V E N D I M PËR DHËNIE NDIHME FINANCIARE FAMILJES TË TË NDJERIT MUSA BAJRAM SKURA, ISH- PUNONJËS I POLICISE SË SHTETIT, VRARË NË KRYE TË DETYRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 13, të ligjit nr.119/2012, datë 17.12.2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e ndihmës financiare, prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, për familjen e të ndjerit Musa Bajram Skura, ish- punonjës i Policisë së Shtetit, vrarë në krye të detyrës.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA”
Redaksia online
(eç/sg/shqiptarja.com)