PRESHEVE - Qindra studentë të Universitetit të Prishtinës parakaluan sot rrugëve të Prishtinës në mbështetje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Studentët bënë thirrje për mbështetjen e shqiptarëve në jug të Serbisë, për tejkalimin e situatës së krijuar pas refuzimit te përfaqësuesve shqiptarë që të largojnë nga qendra e Preshevës, një pllakë përkujtimore kushtuar pjesëtarëve të rënë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Ministria serbe e drejtësisë tha se dje në mesnatë ka skaduar afati për largimin e pllakës përkujtimore dhe tani priten veprimet e organeve shtetërore.

Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës kanë refuzuar largimin e pllakës përkujtimore, me gjithë paralajmërimet e autoriteteve serbe se largimi i saj do të bëhet edhe me forcë.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç tha të martën se shteti serb “nuk do të nxisë konflikte të reja, por as nuk do të lejojë provokime të hapura”.
Daçiç tha se ka më shumë se 20 përmendore të ngjashme në komunat jugore të Serbisë mirëpo ato gjendet përskaj rrugës apo vende të tjera dhe vetëm në Preshevë është vendosur në hapësirë publike dhe në qendër të qytetit. Daçiç u bëri thirrje përfaqësuesve të shqiptarëve që të largojnë pllakën përkujtimore në vend se këtë ta bëjnë forcat e rendit.

Debatet rreth kësaj çështjeje kanë nxitur tensione në Luginën e Preshevës, përfaqësuesit e së cilës të martën janë takuar me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Kryeministri kosovar tha sot se çështjet duhet të zgjidhen me bisedime të drejtpërdrejta të përfaqësuesve të shqiptarëve dhe autoriteteve në Beograd me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtarë.

“Situatat që nuk janë në interesin e askujt të evitohen përmes një procesi të dialogut, kontakteve të drejtpërdrejta të rregullta, secili entitet ka identitetin e vet që duhet të respektohet e nderohet nga të gjithë dhe në asnjë rrethanë të mos krijohen situata problematike me kosto të panevojshme”, u shpreh Thaçi.

Redaksia online
(voa/eç/shqiptarja.com)