TIRANË- Policia ka ndaluar dy nxënës të vitit të parë të gjimnazit “Aleks Buda” në Laprakë, me një pistoletë të ngjashme me “Makarov”.
 
Ngjarja është regjistruar në orët e mëngjesit të sotëm pranë kangjellave të oborrit, por jashtë shkollës.
 
Dy nxënësit të moshës 16 dhe 17 vjeç, kanë pretenduar se arma është manovre, ndërsa policia nuk ka mundur ta konfirmojë këtë me një kqyrje të thjeshtë.
 
Pistoleta e sekuestruar është dërguar për ekspertizë në Laboratorin Qendror të Kriminalistikës, për të saktësuar nëse është me të vërtetë manovre, siç pretendojnë vetë nxënësit, apo është pistoletë luftarake.
 
Ndërkohë edhe një 16-vjeçar është ndaluar nga policia e Durrësit, pasi i është gjetur një pistoletë “Zastava”.
 
A.D, 16 vjeç, nxënës i shkollës “Synej” në Kavajë nuk ka ndaluar pas thirrjes së Policisë, por më pas është kapur prej saj.

*Ne foto: Pistoleta qe ju kap gjimnazistit nga policia e Durresit
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)