Lara Colturi do të ketë garën e radhës në Kupën e Botës të martën në Kronplatz, një nga etapat e fundit para Lojërave Olimpike.

Në një intervistë për Rai Neës, skiatorja e Shqipërisë thotë se nuk do t’i vendosë vetes presion para Olimpiadës Dimërore që do të zhvillohet në Milano-Cortina gjatë muajit shkurt.

“Do të përpiqem ta shikoj si një garë si të tjerat duke shmangur presionin. Do të përpiqem të skijoj ashtu si në stërvitje dhe ta shijoj. Do të jem si në garën e slalomit dhe atë të slalomit gjigant dhe do t’i shikoj si gara të Kupës së Botës, pasi do të jenë të njëjtat kundërshtare”, tha ajo.

Shqipëria do të përfaqësohet nga katër skiatorë në Lojërat Olimpike Dimërore si asnjëherë më parë. Aty shpresohet që të vijë edhe medalja e parë, ku pritshmëritë më të larta janë te Lara Colturi, e cila në sezonin aktual të Kupës së Botës është ngjitur katër herë në podium.