Largohet nga jeta kompozitori
Dorian Nini, babai i Enxhit

Largohet nga jeta kompozitori <br />Dorian Nini, babai i Enxhit
Dje në orën 7:30 kompozitori dhe këngëtari u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare. Ishte një vdekje e parakohshme, për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme. Dorian Nini mbylli sytë në një spital të Gjermanisë, ku jetonte prej vitesh dhe ku pas vështirësive të shumta mundi më në fund t’i kthehej sërish profesionit të tij. Ai jetonte në Dyrre, një qytet afër Këlnit, ku jepte mësime solfezhi. Dorian Nini është babai i Enxhi Ninit lindur nga martesa me Violeta Gjokën, të cilët prej vitesh janë divorcuar. E bija Enxhi ka zhvilluar një karrierë shumë të sukseshme në Itali ku jeton bashkë me të ëmën.
Dorian Nini u lidh me muzikën që në moshë fare të vogël, qysh se ishte 8 vjeç, kur nisi të studionte për violinë. Ndonëse nuk mundi ta fitonte menjëherë Institutin e Lartë të Arteve për shkak të “njollave” në biografi, ai mundi të spikaste edhe në Ansamblin e Ushtrisë, ku u përzgjodh nga kompozitori Aleksandër Lalo. Pikërisht aty i ra në sy edhe kompozitorit Çesk Zadeja, i cili do t’i besonte një këngë në festivalin e 11-të, “Erdh’ një djalë në fshatin tim”. Kënga u mirëprit nga publiku, por gjatë sulmit që iu bë këtij festivali nuk mund të shpëtonte edhe ai. Menjëherë pas përfundimit të Institutit të Lartë e emërojnë në Pallatin e Kulturës së qytetit të Rrëshenit, ku punoi për shumë vite. Ndonëse larg kryeqytetit dhe jetës së gjallë artistike, Dorian Nini vazhdoi punën e tij edhe në Rrëshen, duke u bërë një nga njerëzit më të dashur për mirditorët. Kompozoi këngën për Mic Sokolin me vargje të Gjok Becit, këngën e Kamer Loshit e shumë të tjera. Në vitin 1982, në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, rrethi i Mirditës zuri vendin e parë. Në vitin 1984 do të kthehej në Tiranë, ku nisi të aktivizohet me kompozimet e tij në Dekadat e majit, në festivalet e fëmijëve e më në fund edhe në Festivalin e fundvitit. Në vitin 1990 largohet nga Shqipëria për në Gjermani, ku jetoi deri sa u nda nga jeta. Pasionin për muzikën ua transmetoi edhe fëmijëve, të bijës, Enxhi Ninit, violiniste e njohur në skenat italiane dhe djalit të vogël Adrianit, i cili është kantautor. Viteve të fundit filloi të riaktivizohej në Festivalin e RTSH-së, duke kompozuar këngë për një brez të ri këngëtarësh, si Dorina Garuci, Erga Halilaj etj. Ndërsa dy vjet më parë, ai do të ngjitej vetë në skenë për herë të fundit. Në edicionin e 49-të të festivalit në Radio Televizionin Publik Shqiptar ai u ngjit vetë në skenë dhe këndoi këngën “Mirë se vini në Shqipëri!”.

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ilir Meta ia fut vrapit nga Qafë Shtama: Oksigjen mbretëror

VIDEO/ Ilir Meta ia fut vrapit nga Qafë Shtama: Oksigjen mbretëror