9 persona kanë kandiduar për të marrë drejtimin e Komisionit të Prokurimit Publik, pas largimit të Evis Shurdhës në muajin qershor. Në fletoren zyrtare janë publikuar emrat e kandidaturave, që kanë kaluar fazën e parë dhe të atyre që janë skualifikuar.
Kryeministria menjëherë pas largimit të Shurdhës, mandati i së cilës përfundonte në shtator të vitit 2021, me anë të një procedure të përshpejtuar ftoi të gjithë kandidatët që të konkurronin për këtë pozicion.
Pas kësaj procedure Këshilli i Ministrave i ka dërguar Kuvendit edhe listën e kandidatëve të kualifikuar të shoqëruar edhe me pikët përkatëse.
Kandidatë të kualifikuar për kryetar të KPP-së
1. Joniad Myzyri 78 pikë
2. Nikollaq Neço 78 pikë
3. Klodian Gllava 73 pikë
4. Arlinda Pogaj 72 pikë
5. Denis Martopullo 65 pikë
Ndërkohë janë skualifikuar:
I. Kandidatë që nuk plotësojnë kushtet për t’u emëruar kryetar të KPP-së
1. Iva Hysani
2. Fatos Braja
II. Kandidatë që hoqën dorë nga vazhdimi i garës dhe nuk u paraqitën në fazën e intervistës me gojë
1. Taulant Godroli
2. Kelment Greca
Ligji për prokurimet, në nenin 19/2, pika 6, parashikon që mandati i kryetarit dhe i anëtarit të Komisionit të Prokurimit Publik është pesë vite, pa të drejtë rizgjedhje.
Ndërkaq, nga ngjarjet më të bujshme që kanë ndodhur gjatë mandatit të Evis Shurdhës është çështje e Unazës së Madhe, me skandalin e kompaninë fantazmë “DH Albania”, që fitoi tenderin me dokumente të falsifikuara si dhe koncesioni i tunelit të Kardhiq-Delvinës që u ankimua në KPP. Tenderi i tunelit Kardhiq-Delvinë ishte më vlerë 19 milionë euro dhe kompania ‘Gjoka Konstruksion’, pasi garoi e ankimoi vendimin në KPP. Komisioni e konsideroi fituese ‘Gjoka Konstruksion’, ndërsa Ministria e Infrastrukturës e anuloi tenderin. Më pas dha dorëheqjen drejtoresha e Autoritetit Rrugor, Sonila Qato.