/ATSH-AFP/ - Vendimi i Ukrainës për të hequr dorë nga statusi i vendit të paangazhuar, që përbën një hap më shumë drejt një anëtarësimi në NATO, është kundërproduktiv dhe do të çojë vetëm në përkeqësim të situatës, deklaroi ministri rus i Punëve të Jashtme, Serguei Lavrov.

"Ligji i votuar nga Parlamenti ukrainas është krejtësisht kundërproduktiv, ai të jep idenë se do të mundësojë një zgjidhje të krizës së thellë që po kalon Ukraina. Duhet të ndërpresim përkeqësimin e klimës së mosmarrëveshjeve", deklaroi Serguei Lavrov në një intervistë të publikuar nga televizioni publik rus.

Ukraina vendosi sot të  heqë dorë nga statusi i vendit të paangazhuar për t'u afruar në NATO, pas aneksimit nga Rusia të gadishullit ukrainas të Krimesë dhe konfliktit me rebelët prorusë në lindje të vendit.

Pjesa më e madhe e 300 deputetë votuan në mbështetje të një projektligji në këtë kuadër, me vetëm tetë vota kundër.

"'De facto', bëhet fjalë për një kërkesë për anëtarësimin në NATO, gjë që transformon Ukrainën në një kundërshtar ushtarak potencial të Rusisë", deklaroi dje në mbrëmje në rrjetin social "Facebook" kryeministri rus, Dmitri Medvedev.