Shteti rus nuk ka ndër mend t’u përgjigjet sanksioneve të vendosura nga perëndimi. Kështu pohoi ministri i jashtëm rus, Sergeri Lavrov gjatë një konference për shtyp, pas sanksioneve të fundit të SHBA-së dhe BE-së, që erdhën si rezultat i tensioneve në rritje pas rrëzimit të avionit malajzian në Ukrainën Lindore.

Lavrov theksoi se sanksionet mund të çojnë vetëm në pavarësinë ekonomike të Rrusisë.

“Sanksionet thjesht nuk mund ta arrijnë qëllimin e tyre. Unë ju siguroj se do të kapërcejmë çdo vështirësi që mund të lindë në disa sektorë të ekonomisë dhe ndoshta do të bëhemi më të pavarur dhe më të sigurt në fuqinë tonë”. 

 Lavrov shtoi se Moska nuk do të veprojë në mënyrë histerike ndaj sanksioneve amerikane dhe atyre europiane për shkak të krizës në Ukrainë. 

“Ne duam ta shikojmë këtë situatë me qartësi. Kjo gjendje nuk mund të injorohet, por as të përgjigjemi me të njëjtën monedhë. Ky do të ishte një veprim jo i denjë për një vend të madh si Rusia. Do të veprojmë në përputhje me rrethanat.”

Anëtarët e Bashkimit Europian, të zemëruar nga rrëzimi i fluturimit 17, pritet të marrin nesër një vendim përfundimtar në lidhje me sanksionet ruse, si mbyllja e tregjeve të kapitalit të bankave ruse, vënia e një embargo mbi shitjen e armëve dhe kufizime mbi përdorimin e energjisë dhe teknologjisë.

Lavrorv reagoi edhe në lidhje me vendimin e tribunalit të Hagës që e detyron Rusinë të paguajë 50 miliardë euro ndaj ish-aksionerëve të një kompanie të falimentuar nafte. Ai shprehet se pala ruse do të përdorë të gjitha mundëistë ligjore në dispozicion për të mbrojtur pozicionin e saj.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)