Të kërkosh largimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad si parakusht është e papranueshme për Rusinë, konfirmoi sot kreu i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov gjatë një takimi me homologun iranian, Javad Zarif.

"Nëse disa prej partnerëve tanë e vlerësojnë të nevojshme për të vendosur para përfundimit të periudhës së tranzicionit, që presidenti sirian të largohet nga posti i tij, ky qëndrim është i papranueshëm për Rusinë", theksoi ai në një konferencë shtypi.

Serguei Lavrov rikonfirmoi përveç të tjerave se fati i Sirisë duhet të vendoset nga vetë sirianët, pa ndërhyrje të jashtme apo ndonjë lloj parakushti duke përmendur mosmarrëveshjet e Moskës me SHBA-në dhe disa vende të rajonit për fatin e presidentit aktual dhe legjitim të Sirisë.

"Çdo prekje e integritetit territorial, sovranitetit kombëtar dhe pavarësisë politike të Sirisë dhe Irakut është e papraneshme dhe çdo ndërhyrje e jashtme është e papranueshme", konfirmoi nga ana e tij ministri iranian i Punëve të Jashtme, Javad Zarif.

"Në këto fusha ne kemi një qëndrim të përbashkët me Rusinë", shtoi ai.

Një marrëveshje e arritur në Gjenevë në verë të vitit 2012 mes Damaskut dhe opozitës siriane nën drejtimin e Rusisë dhe SHBA-së, parashikon një tranzicion politik në Siri, por nuk është aplikuar kurrë për shkak të mungesës së konsensusit përsa i përket aplikimit të kësaj marrëveshjeje.

Opozitarët sirianë dhe perëndimorët kërkojnë largimin e Asadit si parakusht, ndërkohë që Moska dhe regjimi sirian theksojnë se kjo nuk mund të ndodhë para fundit të periudhës së tranzicionit./ATSH/

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)