Mësohet se i arrestuari është Thimjo Irakli Ceka. Operacioni për kapjen e tij është zhvilluar nga Sektori i Krimeve të Rënda te Drejtorisë së Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me Njësinë Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme.
Ndërkohë vijon operacioni për kapjen e katër personave të tjerë të shpallur në kërkim për ngjarjet e fundit në Lazarat për sulmet me armë ndaj policisë, tentativë për vrasje dhe për shpërthimet me tritol.
Brenda muajit Mars në fshatin Lazarat janë bërë 6 sulme me tritol. Sipas një raporti të policisë së Gjirokastrës nga këto sulme që fillojnë nga data 10 mars dhe i fundit në 22 janë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe fatmirësisht jo viktima në njerëz.
Nga hetimet e policisë rezulton se motivi i këtyre ngjarjeve është i lidhur me veprimtarinë policore të goditjes së elementëve kriminal gjatë operacionit policor “Lazarati 2014”. Policia e Gjirokastrës thotë se këto janë veprimeve me qëllime terroriste, të pasqyruara edhe në rrjetet sociale.
Thimjo Irakli Ceka dhe 4 të rinjtë e shpallur në kërkim nga policia si autorë të dyshuar të të shpërthimeve me tritol kohët e fundit në Lazarat por edhe për ngjarje të tjera kriminale, rezultojnë të jenë simpatizantë të ISIS dhe veprave të tyre.
20-vjeçari Thimjo Ceka dyshohet nga policia si autori i goditjes me armë ndaj bluve në Lazarat dhe gjithashtu si autor i dyshuar i shpërthimeve në Lazarat, mes të cilave edhe në tritolin e hedhur në banesën e Hysen Bejko, babait të kreut të PD në Gjirokastër.
Mësohet se 20-vjeçari Ceka po lëvizte me një makinë bashkë me një person tjetër dhe momenti që ka vënë re policinë kanë tentuar të lëvizin. Bëhet e ditur se në ambientet e policisë është shoqëruar edhe personi tjetër, emri i të cilit ende nuk diohet, por mësohet se është pa precedentë të mëparshëm penalë.
( I arrestuari Thimjo Ceka)
Ngjarjet kriminale të ndodhura në Lazarat
Më datën 07.08.2014 rreth orës 00:30, në lagjen Kordhocë të fshatin Lazarat është djegur kasollja e barit, si dhe kasollja e bagëtive, të shtetasit Hysen Bejkaj, ku si pasojë e këtij zjarri janë djegur dy prej krerëve të bagëtive, të llojit gjeth, si dhe një pjesë e barit të thatë. Materialet lidhur me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime hetimore të mëtejshme për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr” parashikuar nga neni 151 i K. Penal.
Më datë 10.03.2015, në vëndin e quajtur Ura e Kordhocës në fshatin Lazarat, është dëgjuar një shpërthim si ajo e shkaktuar nga lëndë eksplozive. Nga kryerja e veprimeve hetimore në vendin e ngjarjes rezultoi se sasia e lëndës eksplozive ishte vendosur në afërsi të kësaj ure por nga shpërthimi i saj nuk ka patur dëmtime materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprat penale të “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Prishja e qetësisë publike” të parashikuara nga nenet 278 dhe 274 të K. Penal.
Më datë 17.03.2015 në lagjen Kordhocë të fshatit Lazarat, në oborrin e pasëm të banesës së shtetasit Hysen Bejkaj, është gjetur një kallëp i dyshuar si lëndë eksplozive i pa shpërthyer si dhe një fitil zjarr-përcjellës me gjatësi 51 cm. Nga veprimet hettimore të kryera nuk u konstatuan dëme materiale pasi lënda shpërthyese nuk kishte shpërthyer. Materialet lidhur me këtë ngjarje i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit” parashikuar nga neni 278 i K. Penal.
Më datë 17.03.2015 rreth orës 20:30 në lagjen Lenxat të fshatit Lazarat, nga automjeti tip Mistubishi me targa KO 7793 B, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policisë të cilët kryenin sherbim në atë zonë. Pas një ndjekje në dinamikë është bërë e mundur bllokimi i këtij automjeti ndërsa autorët janë larguar duke përfituar nga errësira. Në vendngjarje janë sekuestruar një armë zjarri e tipit pushkë dhjetëshe, një armë zjarri automatik kallashnikov pa qytë, gëzhoja, fishekë, dokumenta si dhe tre aparate celularë të cilat u përkasin autorëve. Lidhur me këtë ngjarje, materialet i kaluan Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë për veprat penale “Vrasje e punonjësve të policisë e kryer në bashkëpunim e ngelur në tentativë” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municioneve” parashikuar nga nenet 79/b, 25 e 22 dhe 278/4 i K. Penal.
Më datë 19.03.2015 rreth orës 23:30 në fshatin Lazarat është vendosur një sasi lënde eksplozive në shtyllën mbajtëse të një shtylle elektrike, ku nga shpërthimi i kësaj lënde eksplozive u dëmtua shtylla mbajtese në disa pjesë të saj. Lidhur me këtë ngjarje kriminale, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv” parashikuar nga neni 152/1 i K. Penal.
Më datë 22.03.2015 rreth orës 24:00 në lagjen Kordhocë të fshatit Lazarat në oborrin e banesës së shtetasit Hysen Bejkaj, është hedhur një sasi lënde eksplozive ku si pasojë e këtij shërthimi janë dëmtuar porta kryesore e hyrjes si dhe xhamat e derës së banesës së shtetasit Mevlan Bejko. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar fitili zjarr-përcjellës i përdorur për të aktivizuar lëndën shpërthyese. Materialet lidhur me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv” parashikuar nga neni 152/1 i K. Penal.
Më datë 22.03.2015 rreth orës 21:00 në vendin e quajtur “ish pularia” në fshatin Lazarat, në verandën e banesës së shtetasit Agron Toto është vendosur një sasi lënde eksplozive e dyshuar si tritol, ku si pasojë e shpërthimit të kësaj lënde eksplozive janë konstatuar dëme të konsiderueshme në fasadën e ndërtesës si dhe në xhamat e dyerve dhe dritareve. Materialet lidhur me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjirokastër për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv” parashikuar nga neni 152 i K. Penal.
Më datë 22.03.2015 rreth orës 22:00 në fshatin Lazarat në oborrin e banesës së shtetasit Ferdi Dajlani është hedhur një sasi e dyshuar si lëndë eksplozive. Nga veprimet hetimore në vendngjarje u konstatua se fitili zjarrpërcjellës ishte ndezur në skajin e tij por shpërthimi i kësaj lënde nuk kishte ndodhur dhe si rrjedhojë nu janë kontatuar dëme materiale. Në vendin e ngjarjes u sekuestrua lënda e dyshuar si eksplozive dhe fitili zjarr-përcjellës. Materialet lidhur me këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv i mbetur në tentativë” parashikuar nga neni 152 e 22 i K. Penal.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)