Ndërkohë, nga nisja e operacionit prej 15 Qershorit, janë plagosur 4 persona në fshatin e Lazaratit, ku sipas policisë kanë marrë plumba nga të shtënat e grupeve kriminale që janë strehuar në banesa të ndryshme të fshatit në formë të organizuar. Mes të palgosurve ndodhet një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, një bari 19-vjeçar një 39 vjeçar nga Porgradeci, ndërsa në nisje të këtij aksioni një person mbeti i plagosur nga një plumb qorr ndërsa punonte në bahçe.
Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri shprehu qartazi pas një takimi në drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Gjirokastrës me kryekomunarin Dasho Aliko dhe drejtues të lartë të policisë, se tashmë ka ardhur ora e fundit e grupeve të trafikantëve dhe e lidhjeve politike me botën e krimit. Ndërsa po ashtu i bëri të qartë kreut të Komunës Lazarat se nëse nuk është krah policisë, por pranë kriminelëve, atëherë do të konsiderohet si një i tillë, kriminel!
Rreth 800 forca speciale kanë avancuar me ndërhyrjen në fshatin e Lazaratit, të cilësuar si “Republika e drogës”, ku 4 autoblinda janë futur në brendësi të fshatit kundër kultivimit të lëndës narkotike, por tashmë me një qëllim tjetër final: arrestimin e të gjtihë anëtarëve të grupit kriminal që ka sulmuar me armë forcat e policisë si dhe grupin e xhirimit të televizionit A1 REPORT që ndodhej atje për t’i ofruar teleshikuesit çpo ndodhte në këtë fshat. Ndërsa vetëm një ditë nga ky sulm një tjetër operator i televizonit A1 REPORT u mor peng për 20 minuta dhe u dhunua nga grupe kriminale të maskuara e të armatosura.
Banorët e fshatit, të ngujuar në shtëpitë e tyre, kanë apeluar për të ndalur të shtënat për sundimin e ligjit dhe kapjen e këtij grupi kriminal, përmes televizionit A1 REPORT me lidhje të drejtëpërdrejta telefonike…të cilat shpesh shoqëroheshin dhe me zhurmën e breshërive të automatikut nga grupet kriminale.
Thuajse gjtihcka është mbyllur, shkolla e biznese, ndërsa në fshat nuk lëviz askush veç autoblindave të policisë së Shtetit.
Policia tha se ka lokalizuar një banesë nga ku trafikantët qëllojnë me breshëri ndaj policisë, banesë e rrethuar nga uniformat blu.
Policia vijon me evidentimin e asgjësimit të lëndës narkotike duke e asgjësuar atë, por dhe vetë banorët prej orëve të mbrëmjes së djeshme i kanë djegur vetë parcelat me kanabis, duke krijuar një “mjegull” tymi në fshat.
Gjithcka ka ndodhur ore pas ore nga nisja e nderhyrjes se forcave speciale në Lazarat
Policia: Grupi kriminal plagos një 20 vjecar nga Pogradeci, kush nuk është nga Lazarati: Të Largohet
Rreth orës 17:30 nga të shtënat e grupit kriminal në brendësi të fshatit Lazarat, ka mbetur i plagosur në bark një 20 vjeçar, nga Pogradeci. Ky shtetas aktualisht po merr ndihmën e nevojshme pranë spitalit të Gjirokastrës dhe është jashtë rerzikut për jetën.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë personave që nuk janë nga Lazarati, që të largohen nga ky fshat, pasi mund të bëhen pre e sulmit nga grupi kriminal për qëllime të caktuara.
Policia hyn në 20 banesa të lazaratit, drogë e sasi të mëdha municionesh
Ora 16:40 Policia ka kontrolluar në fshatin Lazarat 20 banesa deri në këto momente, ku nga kontrollet e kryera janë gjetur sasi të konsiderueshme bime kanabis të mbjella, boce kanabis, makineri për presimin e kanabisit dhe sasi të mëdha të municioneve luftarake.
Shkëmbim zjarri mes trafikantëve dhe policisë, plagoset një bari 19-vjeçar
Një person ka mbetur i plagosur gjatë një shkëmbimi zjarri mes grupeve kriminale në Lazarat dhe policisë së Shtetit. I plagosuri është transportuar në spitalin e Gjirokastrës, ndërsa burime nga bluzat e bardha të këtij spitali bëjnë me dije se ai është nga Ura Vajguror. Gazetarët e A1 REPORT nga Lazarati thonë se bëhet fjalë për një bari 19-vjeçar me inicialet D.R, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa ka marrë plagë në dorë dhe në këmbë.
Të shtëna mes policisë dhe trafikantëve
Ora 16:05 Raportohet nga gazetarët e A1 REPORT në Lazarat për shkëmbim zjarri të fortë mes policisë dhe banorëve. Policia deri më tani menaxhon 1/5 e fshatit ku ka rrehuar faqen jugore të fshatit. Grupet kriminale qëllojnë me breshëri plumbash dhe janë organizuar në shtëpi të veçanta. Ata qëllojnë me mitroloz të rëndë 12.7 ose arteleri tjetër e rëndë dhe lëshojnë breshëritë e armëve në drejtim të Derviçanit.
Tahiri: Orës së kriminelëve në Lazarat po i vjen fundi, nëse Aliko është me ta, për ne është kriminel!
Debatet e ashpra mes ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri dhe krykomunarit të Lazaratit, Dasho Aliko, kanë shoqëruar takimin e zhvilluar në komisariatin e Gjirokastrës mes ministrit dhe drejtuesve vendore të qarkut, lidhur me situatën në Lazarat.
Kryekomunari ka shprehur shqetësimin se policia po qëllon në drejtim të banorëve që nuk kanë lidhje me trafikantët, ndërsa këto akuza janë hedhur poshtë nga ministrti Tahiri.
Ky i fundit në përfundim të takimit kishte edhe një mesazh edhe për kreun e komunës Lazarat.
Ministri u zotua se aksioni anti kanabis do të vazhdojë deri në momentin që çdo kilometër katror i fshatit Lazarat të jetë nën kontrollin e policisë së shtetit, ndërsa shtoi se ka ikur koha kur lidhjet e botës krimit me politikën sundonin mbi ligjin.
Ndërkohë Tahiri i bëri apel banorëve të Lazaratit dhe më gjerë të mbështesin policinë në këtë operacion.
“Ne jemi të vendosur t’i çlirojmë qytetarët e Lazaratit, t’i clirojmë nga kriminelët. Ky është një grup që kanë pasur lidhje me politikën e prandaj duhet t’i shkëpusim njëherë e mirë lidhjet. Ky aksion do të vazhdojë. Policia e Shtetit do bëjë detyrën pavarësisht se kjo zonë është konsideruar që nuk mund të vijë kontrolli i shtetit. Atij grushti njerëzish që po vënë dorën mbi policinë iu ka ardhur ora. Jam këtu për të mbështetur policinë që po sakrifkojnë për të vendosur shtetin ligjor. Ora e kriminelëve në Lazarat po iu vjen fundi.
Kryetarit të Komunës i kujtova përgjegjësitë që ka para ligjit, detyrën që ka, duhet të jetë përkrahë policisë në të kundërt po është pranë kriminelëve do ta konsiderojmë si të të tillë.
Operacioni do vazhdojë deri sa të shkelim çdo cep në Lazarat”, tha ministri Tahiri pas takimit në drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës me kryekomunarin e Lazaratit Dasho Aliko.
Ashpërsohen tonet, Aliko lë mbledhjen
Ora 14:40 Takimi mes ministrit Tahiri dhe kreut të komunës së Lazaratit është zhvilluar me tone të ashpra ndërsa pas disa orëve nga nisja e saj Aliko është larguar nga mbledhja. Ai ngriti pretendimin se është qëlluar edhe ndaj banesave të tjera dhe jo vetëm banesës ku është përqendruar grupi i trafikantëve. Por ky element është kundërshtuar nga kryepolici Didi dhe ministri Tahiri të cilët thanë se nuk është qëlluar në asnjë banesë të fshatit nga ana e policisë.
Kryekomunari Aliko me takohet me Tahirin në Gjirokastër
Ora 12: 40 Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ka mbledhur në një takim në drejtorinë e policisë së Gjirokastrës kreun e Komunës së Lazaratit Dashnor Aliko. Në takim me ministrin Tahiri edhe kreu i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Bime, prefektja Zamira Rami dhe kreu i policisë së Shetit Artan Didi.
Policia e Shtetit është e vendosur të çojë deri në fund ndërhyrjen në fshatin e Lazaratit kundër kultizimit të lëndës narkotike, por ajo që tashmë është kthyer në një mision pa kthim është kapja e rrjetit të grupit kriminal të trafikantëve që ka rezistuar me armë nga nisja e këtij aksioni. Kryepolici Artan Didi, i cili udhëhoqi nga Lazarati operacionin antikanabis në ditën e dytë, tha këtë të martë nga Tirana se 26 anëtarët e grupit kriminal të udhëhequr nga Gate Mahmutaj kanë mbajtur “nën kthetra” fshatin e Lazaratit, një grup sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i strukturuar dhe i dirigjuar. Megjithatë, Didi tha se operacioni i policisë në këtë zonë, edhe pse tanimë i pakthyeshëm, do të vijojë në varësi të situatës që të mos shënohen dëme në njerëz. Didi: Nuk tërhiqemi pa kapur trafikantët, s'duam dëme në njerëz
(Në foto: Gjatë aksionit të policisë në Lazarat) Foto të tjera
Operacioni i policisë vijon me autoblindat që kanë hyrë në fshat dhe me postbollqet që kanë rrethuar të gjithë Lazaratin, ndërsa të hënën Policia e Shtetit hyri në fshatnë kapanonin e Gate Mahmutajt ish-të dënuarit të shpallur në kërkim që dyshohet se qëndron në krye të grupit kriminal që po bën rezistencë të armatosur ndaj policisë në këtë aksion që shënon ndërhyrjen e parë në fshatin e ashtuquajtur “Republika e drogës”
(Në foto: Vendi ku zhvillohet aksioni i policisë në Lazarat) Foto të tjera
Lokalizohet banesa nga qëllojn grupi i trafikantëve, policia në veprim
Ora 12:15 Policia e Shtetit thotë se ka lokalizuar banesën nga qëllohet me beshëri armësh. "Nga banesa e Erik e Gurgaz Skenderi dhe Bajo Skendulit po qëllohet ne drejtim të policisë e kanë grumbulluar shumë armatim. Policia ka lokalizuar vendin dhe është duke vepruar.
Policia e Shtetit: Trafikantët po qëllojnë dhe jo policia, Aliko asnjë fjalë
Policia e Shtetit kupton shqetësimin e banorëve të Lazaratit dhe sqaron banorët se nuk janë plumbat e policisë që po bien mbi Lazarat por plumbat e grupit të armatosur që po vepron brenda Lazaratit, plumba të atij grupi që plagosën avokatin para dy ditësh, që plagosën punonjësin e policisë së shtetit duke u gdhirë dita e sotme, janë po ato plumba që kanë shqetësuar fshatrat përrreth dhe lagjen Zinxhira e që kanë vështirësuar lëvizjen në aksin rrugor. I bëjmë me dije Kryetarit të Komunës se shqetësimi vjen nga ky grup i armatosur, grup për të cilin kreu i komunës nuk ka thënë asnjë fjalë deri në këto momente dhe që vepron brenda në fshatin Lazarat
(Në foto: Aksioni i policisë sot në Lazarat) Foto të tjera
Ministria e Brendshme apel banorëve: Mos dilni nga shtëpia, qytetarët të mos hyjnë në Lazarat
Ora 11:20 Ministria e Punëve të Brednshme ka përsëritur thirrjen e saj për banorët e fshatit Lazarat, që të distancohen nga elementët kriminalë dhe të mos dalin nga banesat për arsye të sigurisë së jetës dhe shëndetit të tyre.
“Të gjithë qytetarët e tjerë, duhet të evitojnë plotësisht hyrjen për në fshatin Lazarat deri në një njoftim të dytë zyrtar të policisë. Banorët e zonave përreth fshatit Lazarat këshillohen të bëjnë kujdes me lëvizjen jashtë banesave të tyre, deri në përfundim të këtij operacioni policor. Shërbimet e Policisë së Shtetit janë në gadishmëri të plotë për t’u ardhur në ndihmë në çdo kohë, të gjithë qytetarëve që do të kenë nevojë”, theksohet në njoftimin e ministrisë së Brednshme.
Gjithashtu theksohet se operacioni i Policisë së Shtetit për kapjen e personave që kanë qëlluar me armë ndaj uniformave blu si dhe për identifikimin e shkatërrimin e sipërfaqeve të mbjella me lëndë narkotike në fshatin Lazarat të Gjirokastrës vazhdon me intensitet.
Policia-trafikantëve: Dorëzoni armët, deri tani kemi parandaluar pasojat!
Ora 10:50 “Cdo kundërshtim dhe qëndresë me armë vetëm sa rëndon pozitën ligjore, duke u bërë dhe shkak i pasojave që Policia e Shtetit deri tani është munduar të parandalojë”. Me këtë apel policia e Shtetit u ka kërkuar personave të armatosur të dorëzojnë armët.
“Policia e Shtetit, është e vendosur në arritjen e objektivit për asgjesimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike, vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që gjatë këtyre ditëve kanë kundërshtuar dhe qëlluar me armë forcat e Policisë së Shtetit, duke sjellë për pasojë dhe plagosjen e një punonjësi policie në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, si dhe vendosjen e rendit e të sigurisë publike në Lazarat.
Njëherazi Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë banorëve të fshatit Lazarat, të bashkëpunojnë me policinë dhe të bëjnë të mundur identifikimin e elementëve kriminalë, që janë duke u konfrontuar me armë me policinë, duke njoftuar Policinë e Shtetit për identitetin e personave që po veprojnë në territorin e fshatit të tyre.
Shërbimet e Policisë së Shtetit janë në gadishmëri të plotë dhe të vendosur për të përmbushur me sukses operacionin e ndërmarrë gjatë këtyre ditëve, duke kontribuar në sigurinë e banorëve të Lazaratit dhe të qytetarëve”.
(Në foto: Forcat e policisë në aksionin që po zhvillon në Lazarat) Foto të tjera
Perforcohet policia ne Lazarat, 800 forca speciale ne terren
Strukturat e Policisë së Shtetit vijojnë masat dhe veprimet e ndërmarra në kuadër të planit të operacionit për asgjesimin e sipërfaqeve të kultivuara më bimë narkotike. Në vlerësim të stuatës gjatë mbrëmjes së djeshme dhe ditës së sotme janë përfocuar shërbimet policore, duke vënë në dispozicion dhe forca të tjera shtesë.
Aktualisht në terren janë rreth 800 forca policore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, forcave speciale RENEA, forca të FNSH-së së Fierit, Shkodrës dhe Tiranës, si dhe të Delta Forcë në Vlorë. Po ashtu në këtë opeeracion janë përfshirë dhe shërbime të tjera speciale të Drejtorive të Policisë së Qarqeve të tjera, si forcat elitë të shërbimeve të Tiranës, Shkodrës etj.
Këto forca janë të mbështetura nga mjete të posaçme.
Bazuar në planin e hartuar do vijonë veprimet policore për asgjesimin e parcelave të kutivuara dhe kapjen e vënien para përgjegësisë ligjore të të gjithë personave të implikuar në kundërshtimin me armë të forcave të Policisë së Shtetit. Po ashtu janë ngritur grupe speciale hetimi të orientuara nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe Drejtoria për Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit, të cilët po vijojnë veprimet paralel me veprimet operacionale të strukturave policore në terren për kryerjen e hetimeve dhe fiksimin e e provave material. Policia e Shtetit është e vendosur në përmbushjen e objektivave dhe misionit në kuadër të këtij plan operacioni.
(Në foto: Forcat e policisë në aksionin që po zhvillon në Lazarat) Foto të tjera
Trafikantet plagosin pas mensate efektivin e FNSH
Grupet kriminale të trafikantëve në Lazarat nuk kanë ndalur të shtënat, ndërsa 2 orë pas mesnatës së të hënës kanë plagosur një efektiv të Forcave Speciale të Ndërhyrjes së Fshehtë, në aksionin e bluve kundër kultivimit të lëndës narkotike në këtë fshat.
Pas breshërive të të shtënave me armë të rënda nga 26 pjetarët e një grupi kriminal të udhëhequr sipas policisë nga Gate Mahmutaj, 500 forcat speciale të cilat janë përforcuar gjatë natës edhe me 300 forca të RENEA dhe DELTA nga Tirana, kanë tentuar sërish ndërhyrjen në këtë fshat, por të shtënat e trafikantëve kanë plagosur me plumb në dorë dhe në këmbë policing e FNSH-së të Shkodrës, 32-vjeçarin S.M.
Didi: Nuk tërhiqemi pa 'shkulur' kriminelët
Drejtori i Policisë së Shetit Artan Didi, i cili udhëheq nga Lazarati aksionin e policisë antodrogë, gjatë orëve të mbrëmjes u shpreh se Policia nuk do të tërhiqet nga aksioni në fshatin e Lazaratit pavarësisht rezistencës të pjestarëve të grupeve kriminale. “Nuk largohemi pa shkulur grupin e kriminelëve nga Lazarati”, tha në një prononcim për mediat Didi.
Didi është takuar me forcat e policisë, RENEA-s, FNSH-së dhe DELTA-s në fshatin Derviçan, ku ka lajmëruar përparimin e forcave dhe thellimin e operacionit në Lazarat. Ky aksion përbën dhe ndërhyrjen e parë të Policisë së Shtetit në këtë fshat kundër kultizimit të lëndëve narkotike.
Kryepolici tha në një prononcim për mediat se personat që kanë qëlluar me breshëri armësh të rënda ndaj forcave speciale të policisë janë identifikuar tashmë dhe sa i përket listës me 26 emrat e grupit të trafikantëve të dyshuar se udhëhiqet nga Razim Mahmutaj, kryepolici Didi tha se lista është paraprake dhe se nuk do të penalizohen të pafajshëm. Megjithatë Didi shprehu bindjen se personat që qëlluan nuk janë nga Lazarati.
Ndërsa kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama u ka dhënë përgjigje të gjithë skeptikëve për një ndërhyrje të mundshme të Policisë së Shtetit në fshatin e Lazaratit. Aksioni i mëngjesit të kësaj të hëne i 500 forcave speciale në këtë zonë kundër kultivimit të lëndës narkotike, sipas kryeministrit Rama tregon maturinë e qeverisë, e cila nuk duhet të përkthehet në ngurim. Ashtu sikurse thotë se qytetaria nga ana e tyre nuk duhet të vlerësohet si dobësi.
“Ne themi çfarë bëjmë dhe bëjmë çfarë themi! Gabon kush quan ngurrim maturinë tonë apo dobësi qytetarinë tone”, tha Rama. Këtë qëndrim lideri i mazhorancës e shprehu në rrjetet sociale Facebook e Twitter.
Nderhyrja e policise dhe superaksioni gjate dites se hene
Policia hyri në Lazarat mes breshërive të grupit kriminal të trafikantëve
Policia e Shtetit mes brëshërive të armëve të lëshuara nga 26 pjesëtarë të një grupi kriminal trafikantësh të kryesuar nga Gate Mahmutaj, ka arritur të hyjë pak pas mesdite në kapanonin e tij, nga ambientet e të cilit grupi kriminal qëllonte ndaj policisë.
Rreth 500 forca policie të cilat ndodhen në terren në fshatin e Lazaratit në aksionin e tyre kundërk kultivimit të lëndës narkotike, kanë gjetur në pronat e Mahmutajt, gëzhojat e armëve me të cilat u qëllua kundër Policisë si dhe 7 parcela me 10 mijë bimë narkotike kanabis sativa e 1000 kubikë, të cilët u asgjesuan.
Për të fshehur provat, Mahmutaj, i cili edhe në një lidhje telefonike për A1 REPORT tha se nuk ka lidhje me trafikun, i kishte vënë zjarrin 6 fuçive me marijuanë si dhe sasive të tjera të paketuara ose jo.
FOTO të tjera
Sipas policisë, Mahmutaj është arrestuar kohë më parë dhe është dënuar me 22 vite burgim, por një dekret i Presidentit Alfred Moisiu në vitin 2006 i ka dhënë atij lirinë me anë të faljes. Mahmutaj ishte në listën prej 62 personave që përfituan falje nga Presidenti, ku një pjesë e mirë e të burgosurve u janë falur nga tre, dy ose një vit burg nga dënimet që u janë dhënë.
Prej orëve të para të mëngjesit të kësaj të hëne Policia e Shtetit u përball me një operacion të vështirë në fshatin Lazarat, ku ndërhyrja për asgjësimin e lëndës narkotike hashash, dhe kapjen e personave me precedent penalë, hasi në rezistencën e një grupi trafikantësh me në krye Gate Mahmutaj të cilët prej orësh hapën zjarr ndaj policisë.
Në terren qëndrojnë ende 500 forca policie dhe specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, forcave speciale RENEA, forca të FNSH-së së Fierit, Shkodrës dhe Tiranës, si dhe të Delta Forcë në Vlorë.
Grupi prej 26 trafikantësh, pёrdorën dhe armё tё rёnda si antitank, mitroloz i rёndё e i lehtё, mortaja etj. Të shtënat e armëve të zjarrit vinin nga dy pozicione, teksa përvec magazinës ngjyrë blu në pronësi Mahmutajt, brëshëria e plumbave vinte edhe nga një banesë dy katëshe brenda të cilës, persona të paidentifikuar qëllonin në drejtim të policisë.
Me anë të një njoftimi policia njoftoi të gjithë banorët e fshatit të Lazaratit të distancohen nga kriminelët si dhe të qëndrojnë në banesat e tyre, duke i bërë thirrje të gjithë qytetarëve të tjerë të evitojnë hyrjet në Lazarat.
Kreu i komunës Lazarat, Dasho Aliko, bashkë me kryepleqtë e zonës duke marrë shkas nga situata zhvilloi një mbeledhje me personat e armatosur, por që që nuk dha rezultat, teksa të shtënat me armë zjarri vijuan sërish me intesitet të lartë. Ai shkoi në banesën e Mahmutajt për të negociuar me ta për tu vetëdorëzuar, ose në të kundërt do të ketë masa drastike nga policia.
“Jam në takim me njerëzit bashkë me Kryepleqtë e fshatrave. Qëllimi i këtij takmi është të shmangim ndërhyrjen e armatosur të policisë. Pas takimit do të jap më shumë detaje. Prioritet për ne është të bindim banorët të mos qëllojnë.” shprehet Aliko
Ndërsa të kontaktuar nga “A1 Report” drejtues të Policisë së Shtetit bëjnë me dije se operacioni nuk do të ndërpritet dhe do të vazhdojë deri në arrestimin e këtij grupi kriminal, paçka kundërshtisë së tyre duke qëlluar mbi blutë.
Një ditë më parë nga këta persona dyshohet se është qëlluar dhe ka mbetur i plagosur një 45-vjeçar nga fshati Lazarat, ndërsa prej 48 orësh operacioni vazhdon pa ndërprerje.
Lazarat, gjithçka ndodhi ne superaksionin antikanabis qe shenon nderhyrjen e pare te policise ne "Republiken e droges"..16 Qershor
Nderhyrja e policisë në kapanonin e Mahmutajt
Në vijim të komunikimeve të mëparshme mbi ecurinë e plan operacionit të ndërmarrë nga strukturat e Policisë së së Shtetit në fshatin Lazarat për asgjesimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike dhe veprimeve të kryera për kapjen e personave, të cilët qëlluan me armë strukturat e policisë, në sajë të masave të ndërmarra rreth orës 12:30 forcat e policisë kanë mbërritur në objektivin e përcaktuar në kapanonet e objektet e shtetasit Gate Mahmutaj.
Gjatë ndërhyrjes ndaj forcave të policisë është qëlluar me armë zjarri, duke rrezikuar jetën e këtyre forcave, por falë ndërhyrjes profesionale u arrit të vihen nën kontroll të plotë objektet e sipërpërmendura, si dhe sipërfaqja e kultivuar me kanabis sativa.
Nga veprimet e kryera në këto objekte pronë e shtetasit Gate Mahmutaj, si dhe në tokën në administrim të tij u gjetën, u fiksuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi të konsiderueshme të gëzhojave të kalibrave të ndryshme, që janë përdorur gjatë sulimit ndaj forcave të Policisë
Gjithashtu u gjetën dhe asgjesuan:
7 parcela me 10 mijë bimë narkotike kanabis sativa, që varionin nga 50 cm-1 metër lartësi
1000 fidanë kubikë të gatshëm për kultvim në kapanon.
Po ashtu u konstatuan, duke u djegur 6 fuçi me marijuanë, të cilave ua kishte vënë zjarrin vetë i dyshuari, me qëllim eleminimin e provës, si dhe sasi të tjera lëndë narkotike të konsiderueshme të pa paketuara (rifugio).
Strukturat e Policisë do të vijojnë veprimet për kapjen e personave, të cilët kanë sulmuar me armë forcat e policisë, të zhvendosur tashmë në brendësi të territorit të fshatit, si dhe për identifikimin dhe asgjesimin e sipërfaqeve të tjera të kultivuara me kanabis sativa.
(Video/ Ja "përleshjet" me arme mes policisë dhe trafikantëve të Lazaratit )
Ora 15:15 Prençi: S'ka negociata me kriminelët, policia të marrë kontrollin
Drejtori i Emergjencave Civile Shemsi Prençi në lidhje telefonike për A1 Report ka folur rreth operacionit të policisë në Lazarat duke folur nëse do të ketë apo jo negociata me trafikantët e bllokuar në Lazarat ai u shpreh se nuk duhet lejuar askush të qëllojë mbi policinë.
“Nuk mund të qajnë nënat e policëve. Këtë fat duhet ta kenë njerëz të tjerë. Nuk do lejohet askush të qëllojë mbi policinë.” shprehet Prençi
Gjatë lidhjes telefonike Prençi ka deklaruar se personalisht është kundër negociatave me ta duke theksuar se “negociatat do ta bëjnë vetëm negociatorët e grupeve speciale pasi kemi te bëjmë me kundërvajtje ndaj forcave të policisë."
Drejtori i Emergjencave Civile, Prençi ka folur edhe për sulmin që është kryer ndaj stafit të A1 Report, duke thënë: “Grupet kriminale e kane mbajtur te izoluar atë fshat dhe tani që janë në momentet e tyre te fundit, tentojnë të hakmerren edhe ndaj mediave”
Lidhur me operacionin, Prençi saktësoi se territori i Lazaratit është patrulluar edhe më parë nga Toka dhe nga ajri, por prej 10 vitesh nuk është operuar në këtë mënyrë.
Forca speciale janë të vendosura te mos largohen më nga Lazarati deri në çarmatimin e tij
Ora 14:45 Policia: Banorë distancohuni nga kriminelët, mos dilni nga banesa
Prej dy ditësh Policia e Shtetit ka ndërmarrë një operacion të gjerë në zonën e Lazaratit në Gjirokastër ndaj disa personave të armatosur të cilët kanë qëlluar me armë ndaj uniformave blu. Në kuadër të këtij aksioni, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit u bëjnë thirrje të gjithë banorëve të fshatit Lazarat, të distancohen nga elementët kriminalë që janë duke u konfrontuar me armë me policinë dhe për arsye sigurie, të evitojnë daljen nga banesat e tyre. Të gjithë qytetarët e tjerë, të evitojnë plotësisht hyrjen për në fshatin Lazarat deri në një njoftim të dytë zyrtar të policisë.
Personat, emrat e të cilëve janë listuar nga policia si të dyshuar për goditjen me armë ndaj forcave të policisë dhe që pretendojnë se nuk kanë lidhje me këtë ngjarje, të drejtohen në Komisariatin me të afërt për të dhënë dëshmitë dhe sqarimet e tyre.
Banorët e zonave përreth fshatit Lazarat këshillohen të bëjnë kujdes me lëvizjen jashtë banesave të tyre, deri në përfundim të këtij operacioni policor. Shërbimet e Policisë së Shtetit janë në gadishmëri të plotë për t’u ardhur në ndihmë në çdo kohë, të gjithë qytetarëve që do të kenë nevojë.
Ora 14:20 Banorët e Lazaratit: Kriminelët para drejtësisë, nuk kanë lidhje me banorët
Një nga banorët e fshatit të Lazaratit Qazo Dalani, duke folur për A1 Report, tha se edhe pse situata është e rënduar ndërsa theksoi se grupi i trafikantëve që ka qëlluar ndaj policisë është strehuar në Lazarat dhe se nuk kanë lidhje me vetë banorët e fshatit.
Ai theksoi ndër të tjera se policia po qëndron korrekte dhe se kërkon që kjo maskaradë siç e cilësoi ai të marrë fund.
“Situata mbetet e tensionuar në fshatin tonë, dhe aq më keq këtu ka persona në kërkim që strehohen këtu. Deri tani që po flasim, policia ka qëndruar korrekte, dhe ne duam që kjo maskaradë të marrë fund siç i ka lezet një populli Evropian. Këta të strehuar kriminelë përfitojnë nga populli ynë i thjeshtë dhe që nuk kanë asnjë lidhje me veprat e tyre kriminale. Po ka të shtëna armësh, por policia është sjellë mjaft mirë. I bëj thirrje edhe një herë që kjo maskaradë të marrë fund dhe ky grup mercenarësh të vihet para drejtësisë.” shprehet Qazo Dalani një nga banorët e Lazaratit
Ora 12:50 Policia futet në banesën e Mahmutajt, ngushtohet rrezja e kërkimit
Forcat e policisë kanë arritur të futën në kapanonin e shtëpisë së Gate Mahmutajt nga ku 26 trafikantët e armatosur rëndë po qëllonin në drejtim të forcave blu. Mësohet se trafikantët kanë arritur të largohen nga banesa e Mahmutajt duke u zhvendosur në një banesë tjetër.
Ndërkaq policia ka arritur të zbulojë në këtë banesë drogë dhe municione, ndërsa banesa është vënë nën kontrollin e policisë duke zvogëluar rrezen kërkimit për 26 trafikantët. Ndërkaq po vijon puna për kapjen e trafikantëve.
Ora 12: 15 Dasho Aliko negocion me Mahmutajn e trafikantët
Kryetari i Komunës Dasho Aliko është futur në banesën e Razip Mahmutajt në tentativën për të negociuar me ta për të ndaluar sulmin dhe të shtënat e tyre drejt policisë.
Mësohet se kryekomunari Aliko është në banesën e Mahmutajt dhe kërkon të bindë 30 trafikantët dhe vetë Mahmutajn të dorëzohet dhe të ndalë sulmet ndaj efektivëve blu, në të kundërt sipas policisë ndaj tyre do të ketë masa drastike.
Kryetari i Komunës Lazarat Dasho Aliko tha për A1 Report se është në një takim me banorët e Lazaratit dhe Kryepleqtë e fshatrave për të shmangur ndërhyrjen e amratosur të policisë.
“Jam në takim me njerëzit bashkë me Kryepleqtë e fshatrave. Qëllimi i këtij takmi është të shmangim ndërhyrjen e armatosur të policisë. Pas takimit do të jap më shumë detaje. Prioritet për ne është të bindim banorët të mos qëllojnë.” shprehet Aliko
Ndërkohë 26 personat të drejtuar nga Razip Mahmutaj janë të armatosur rëndë dhe me kapuçë për të mos u identifikuar nga snajperat. Që prej nisjes së aksionit të policisë në fshatin e Lazaratit ata i janë kundërpërgjigjur me të shtëna armësh nga banesa e Mahmutajt ku ndodhen të strehuar.
(Në foto: Aksione të policisë në kontrollin e çdo automjeti përgjatë Lazarati) Foto të tjera
Njoftimi i policisë për aksionin në Lazarat
Strukturat e Policisё sё Shtetit nё kuadёr tё masave tё marra pёr identifikimin e asgjesimin e sipёrfaqeve tё kultivuara me bimё narkotike, prej disa ditёsh kanё ndёrmarrё njё operacion nё shkallё tё gjёrё nё fshatin Lazarat pёr asgjesimin e njё sipёrfaqe tё identifikuar tё kultivuar me kanabis sativa.
Gjatё veprimeve tё ndёrmarra nga strukturat e Policisё sё Shtetit nё kuadёr tё kёtij operacioni nga njё grup personash tё identifikuar ёshtё qёlluar me armё zjarri nё drejtim tё forcave tё policisё, ku si pasojё e tё shtёnave kundёr kёtyre forcave, mbeti i plagosur dhe njё 45 vjeҫar, banor i fshatit Lazarat.
Strukturat e Policisё sё Shtetit, pёrkatёsisht forca tё Drejtorisё sё Policisё sё Qarkut Gjirokastёr tё mbёshtetura dhe nga forcat speciale RENEA dhe forcat e Ndёrhyrjes sё Shpejtё po vijojnё veprimet, me qёllim asgjesimin e sipёrfaqes sё identifikuar tё kultivuar me bimё nakotike kanabis sativa dhe kapjen e personave qё qёlluan nё drejtim tё forcave tё policisё, disa banorё tё fshatit dhe disa nga zona tё tjera.
Nё drejtim tё forcave pjesёmarrёse nё operacion prej mbrёmjes sё djeshme po vijon tё qёllohet me armё zjarri nga ky grup personash, duke pёrdorur dhe armё tё rёnda si antitank, mitroloz i rёndё e i lehtё, mortaja etj.
Nga vepiemt e ndёrmarra ёshtё identifikuar vendi, prej nga ky grup personash po qёllon me armё zjarri, ku janё lokalizuar nё banesёn e shtetasit Gate Mahmutaj, person me precedentё kriminalё, i arrestuar nga forcat RENEA, i dёnuar me vendim gjykate dhe i falur mё pas nga Presidenti i Republikёs.
Nga strukturat e Policisё sё Shtetit nё kuadёr tё kёtij operacioni po bashkёpunohet me Prokurorinё e rrethit.
Po ashtu ёshtё kёrkuar bashkёpunimi i pushtetit lokal dhe i banorёve tё fshatit Lazarat, qё tё distancohen nga ky grup personash dhe tё japin kontributin e tyre nё drejtim tё kapjes sё kёtyre personave.
Policia e Shtetit po vijon me masat e ndёrmarra nё kuadёr tё kёtij operacioni.
Autoblindat e policisë që rrethojnë Lazaratin gati për të ndërhyrë
(Në foto: Forca të FNSH pjesëmarrës në aksion) Foto të tjera
A1 Report brënda fshatit të Lazaratit, ja situata në rrugë