Sipas burimeve ende jo zyrtare, dyshohet se janë 4 persona nga Lazarati që kanë qëlluar, ndërsa mendohet se kanë dashur të tërheqin vëmendjen e policisë për të kaluar drogën.
Shkëmbimi i zjarrit ka qenë agresiv në momentet e para duke kërcënuar seriozisht jetën e efektivëve të policisë. Pozicionimi i personave që hapën zjarr mbi policinë, diku mes kodrave të lagjes Zinxhira dhe fshatit Lazarat, favorizonte si sulmin ndaj policisë edhe largimin në kohë të tyre.
Ende nuk ka një informacion zyrtar nëse janë kapur apo jo 4 personat, ndërsa dyshohet se ata janë në Lazarat, por që policia nuk ka ndërhyrë brenda fshatit. Përveç dëmeve materiale që kanë shkaktuar plumbat, fatmirësisht nuk ka pasur të plagosur.
Si pasojë e zjarrit të shkaktuar me qëllim për të penguar avancimin e policisë u dogjën rreth 3 ha pisha 4–vjeçare ndërsa vazhdon të digjet një sipërfaqe e madhe shkurresh dhe kullote pranë fshatit. Zjarri vijon edhe në këto momente pasi ndërhyrja e repartit zjarrfikës është e pamundur për shkak të terrenit.
(gm/Shqiptarja.com)