Magazina qendra e zjarrit
Si epiqendër e sulmit me armë zjarri u bë magazina e të pandehurit Razip (Gate) Mahmutaj, e cila për nga pozicioni ishte dominant në raport me lëvizjet e policisë së shtetit nga fshati Derviçan në drejtim të Lazaratit. Nga kjo pikë rezultoi se në mbështetje të tij erdhën afërsisht 40 persona të armatosur të cilët në orët e para të mëngjesit të datës 16.06.2014 bënë një rezistencë të armatosur prej disa orësh. Më pas, persona të ndryshëm përfshirë edhe disa prej të pandehurve u futën në brendësi të fshatit duke zënë pozicione të ndryshme, duke krijuar kështu vatra të ndryshme zjarri.
Kjo kundërshti me armë zjarri ka qënë më aktive gjatë datave 16-17 të muajit qershor 2014, por në mënyrë më pak agresive ka zgjatur edhe gjatë ditëve të tjera, deri rreth datës 21.06.2014, ku policia e shtetit mori nën kontroll të gjitha rrugët e fshatit. I pandehuri Razip (Gate) Mahmutaj, fillimisht duke shfrytëzuar pozicionin dominant që kishte në fshat vendi ku ndodhej magazina e tij, falë protagonizmit të treguar edhe në të kaluarën në kundërshtimin e policisë me armë zjarri, ka motivuar shumë pjesëtarë të fshatit përfshi edhe disa prej të pandehurve të këtij proçedimi penal t`i bashkohen atij, që të kundërshtojnë me armë zjarri policinë gjatë operacionit të datave 15 qershor 2014 e në vijim.
Mahmutaj frymëzoi grupin
Kundërshtimi i policisë së shtetit ka vazhduar për një kohë jo të vogël, ka qënë konseguent, duke pasur si qëllim zbrapsjen e tyre, pasi kështu ata mendonin se do të ruanin të pa prekura parcelat e mbjedha me lëndë narkotike, apo dhe shtëpitë e tyre nga kontrollet pasi në to mbanin sende të kundraligjshme siç rezultuan më pas, si lëndë narkotike, armë zjarri, municione luftarake, etj.
Nga veprimet e ndërmarra prej të pandehurve në drejtim të kundërshtimit të policisë me armë zjarri rezulton se midis tyre ka një bashkëpunim jo rastësor, por të një niveli që për nga përmasa, pjesëmarrja dhe shtrirja plotëson konfigurimin e një bashkëpunimi të veçantë siç është ai i grupit të strukturuar kriminal. Në këtë bashkëpunim spikat roli i të pandehurit Razip (Gate) Mahmutaj si motivues, organizator ndërsa i të pandehurve Arjan (Servet) Basha, Florjan Shurdhi, Ramadan Basha, Gurgaz Skënderi, Enrik Skënderi, Engliend Aliko, Matjas Bocai, Arbjon Aliko dhe Alfred Proko e shtetas të tjerë për të cilët vijon hetimi si mbështetës të tij.
40 persona
Rezultoi se në mbështetje të Gate Mahmutaj erdhën afërsisht 40 persona të armatosur të cilët në orët e para të mëngjesit të datës 16 qershor 2014 bënë një rezistencë të armatosur prej disa orësh.
Të pandehur
Gate (Razip) Mahmutaj Zakonshëm
Enrik Skënderi Zakonshëm
Gurgaz Skënderi Zakonshëm
Albion Aliko zakonshëm
Alfred Proko zakonshëm
Arjan Basha
Ramadan Basha
Servet Basha
Emiliano Aliko
Drini Aliko
Alfred Trofa
Drini Aliko
Matias Boçaj
Vandam Mahmutaj
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)