Tre të pandehurit mësohet se kanë mohuar akuzat, dhe janë shprehur se nuk kanë lidhje me çështjen.
Gate Mahmutaj është shprehur para togave të zeza në Gjykatën e Krimeve të Rënda se “Nuk kam lidhje me këtë çështje. Kur pashë emrin në listë, u vetëdorëzova. I kam parë veprimet e policisë në kapanonin tim, por nuk kam qëlluar”. Gatja u shpreh se edhe armët e sekuestruara nuk janë gjetur në banesën e tij, apo objektet në pronësi të tij.
Sipas avokatit mbrojtës të Mahmutajt, Petrit Seriani, prokuroria nuk ka asnjë provë ndaj Gates.
Ndërkaq, Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e arrestit me burg edhe për Matias Bocin e Emiliano Aliko, të përfaqësuar nga avokati Baftjar Rusi, nën akuzën “tentativë vrasje të efektivëve të policisë”.
Gjyqtar në këtë çështje ishte Gurali Brahimllari, ndërsa, prokurorë ishin Anton Martini, i cili u larguar për të ndjekur nga afër hetimet në Lazarat, dhe Përparim Kulluri.
Razip Mahmutaj, i njohur si Gate Mahmutaj, i cili u shpall në kërkim gjatë operacionit të zhvilluar nga policia në Lazarat, u vetëdorëzua në policia mbrëmjen e 18 qershorit. Mahmutaj cilësohet nga policia si një prej emrave më problematikë në botën e krimit, pasi edhe më parë është përballur me drejtësinë për akuza të rënda.
Ndërkaq, edhe dy të akuzuarit e tjerë, Boci dhe Aliko kanë mohuar të kenë qenë në Lazarat në kohën kur është zhvilluar aksioni i policisë, duke paraqitur dy DVD për të argumentuar se ndodheshin në Tiranë, në një servis.
Por këto fakte nuk kanë qenë bindëse për gjyqtarin që i ka lenë në arrest me burg tre të pandehurit.
Ndërkaq, Mahmutaj, Aliko dhe Boci janë shprehur se do të apelojnë masën e kërkuar nga prokuroria dhe e caktuar më pas nga gjyqtari i Krimeve të Rënda.
Caktimi i masës së arrestit i jep kohë Prokurorisë për të thelluar hetimet, për të provuar nëse ka pasur angazhim me persona të tjerë, por në seancën e sotme nuk është përmendur nga prokurori përfshirja e grupit kriminal, i cili mund të implikonte edhe persona të tjerë.
Në ambientet e jashtme të gjykatës kanë qenë miq dhe familjarë të të pandehurve, por nuk kanë qenë të pranishëm në seancat.
Pas vetëdorëzimit në polici, tre personat u dërguan në masa të rrepta sigurie në policinë e Tiranës, ku u dha sot nga Krimet e Rënda masa e “arrestit me burg”.
Ndërsa masat për të arrestuarit e tjerë masa e sigurisë është parashikuar të merret nga Gjykata e Gjirokastrës, pasi edhe hetimet po zhvillohen atje.