PRISHTINË - Grupi i këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Prishtinës, nëpërmjet një komunikate për media, akuzon kryetarin Shpend Ahmeti se ka arritur të bëhet aktori dhe penguesi më i madh i zhvillimit demokratik të Komunës së Prishtinës.
Sipas KosovaPress, ata kërkojnë sqarime për arsyen e shtyrjes se mbledhjes së Komitetit për Politikë e Financa e parashikuar që të mbahej sot.
"Grupi i LDK-së konsideron se nga mosprania pa paralajmërim e përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, qoftë të atyre nga politika, qoftë nga administrata, dhe të partive të tjera, u kuptua qartë edhe njëherë për veprimet e njëanshme të këtyre subjekteve dhe gatishmërinë e tyre për të qenë shkelësit e parimeve dhe normave demokratike të zhvillimit të kryeqytetit", thuhet në komunikatë.
Siç shprehen këshilltarët e LDK-së, për këto dështime të politikbërjes kanë reaguar disa herë anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, por nuk është ndërmarrë asgjë./ATSH/