“100 histori suksesi”
Imazhi tjetër i Shqipërisë

“100 histori suksesi” <br />Imazhi tjetër i Shqipërisë
Një projekt që i përket qendrës “Albania Ekselence”: “100 histori suksesi” në 100 vjet të shtetit shqiptar; do t’u dedikohet gjithë atyre shqiptarëve të ikur gjatë viteve ‘90 jashtë Shqipërisë e që përmes sakrificave prekën majat e suksesit. Organizatorja e projektit, zj.Flora Nikolla ka rrëfyer për “Shqiptarja.com” si nisi projekti dhe si nga dita në ditë ajo ka zgjeruar rrjetin e komunikimit me të gjitha vendet e botës. Kontakton shqiptarët për t’i afruar me atdheun. “Kjo iniciativë erdhi si rezultat i një përvoje shumë të gjatë në gazetari”, thotë ajo. Flora Nikolla punon prej 24 vjetësh në fushën e gazetarisë. Vitet e gjata në profesion e kanë bërë atë që ketë një galeri të pafund personazhesh në report personal. “Gazetari në këtë epokë që ne jetojmë ka mundësi të ndjekë ritmin dhe të vërej sesa shumë shqiptarë, ndoshta miliona, jetojnë jashtë kufijve tanë. Hapja e kufijve me botën, na mundësoi kontakte mes atyre që shkojnë jashtë dhe atyre që vijnë në Shqipëri. Sigurisht ata sjellin një reflektim të veçantë dhe ndikojnë tek gazetari që të reflektojë”, thotë ajo. Në këtë kontekst, i gjithë ky refleksion i madh i ka dhënë gazetares së njohur Flora Nikolla ide dhe impulse të reja që të bëhet protagoniste për të rrëfyer e pasqyruar jetën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë. Ajo thotë për Shqiptarja.com se ky projekti do të shoqërojë manifestimet e 100-vjetorit të Pavarësisë.

Flora, si ju lindi ideja e përzgjedhjes së 100 historive të suksesit?
-Së bashku me një mikun tim, dhe ai është një shqiptar i Ekselencës, që jeton në Kanada, në pragun e vitit të Ri 2012, menduam që të krijohej kjo qendër dhe emrin ta merrte “Albania Ekselence”. Kaluan muajt dhe projekti tashmë ka arritur në fazën e mbarimit të listimit të 80 për qind të personazheve që do të marrin pjesë në librin “100 histori suksesi të 100 vjet shtetit shqiptar”. Kjo punë është bërë për të sjellë një mesazh simbolik. Ne nuk mund të bëjmë vetëm lajme për t’u treguar shqiptarëve dramat, lodhjen, fatit tragjik që kanë pasur, edhe pse nuk është e lehtë të ikësh nga vendi yt. Por, kemi zgjedhur ata që kudo që kanë shkuar kanë treguar pjesën e mirë të Shqipërisë, ata që kanë arritur jashtë Shqipërisë të jenë dikush, të kenë fryte suksesi dhe një personalitet të veçantë.

Ku keni arritur me punën tuaj dhe si i keni kontaktuar personazhet?
-Është bërë një punë e madhe në drejtimin e selektimit. Kjo është një arsye edhe e vendosjes së kushteve për t’u futur në “Albania Ekselence”, ku ne i kemi ftuar në bazë të njohjes, një CV-je, ose të disa dhënave që kemi pasur për këta persona. Pas kësaj, sigurisht, një bord i caktuar në bazë të fushave që përfaqësojnë të suksesshmit ka studiuar sesi ka qenë jeta e tyre, janë vjelë fakte të suksesit nga të gjithë mediumet e mundshme, është kontaktuar me e-mail, telefon, në skype. Madje është bërë një intervistë dhe ne jemi munduar të lidhemi me sa më shumë njerëz dhe të kemi sot një galeri shumë të madhe personazhesh në “Albania Ekselence”. Kemi kontaktuar artistë shumë të njohur jashtë Shqipërisë, që fatkeqësisht nuk njihen në atdheun e tyre. Por kemi edhe mjekë, doktorë shkencash, etj.

Çfarë thuhet në intervistat e tyre?
-Të gjithë ata që kanë marrë ftesat, e kanë mirëpritur idenë e librit. Përgjigjet e tyre janë shumë mallëngjyese dhe thonë se kanë dëshirë të jenë protagonistë të imazhit të vendit të tyre. Por ne nuk kemi si synim mitizimin e emrave, siç ka ndodhur shpesh. Janë vërtetë 100 personalitete, 100 histori suksesi, që duhet t’i dijë, t’i evidentoje dhe t’i njoh shoqëria shqiptare. Ndaj lindi edhe nevoja e kalimit të imazhit të tyre në një libër.

(dhh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete