“Antenat e epokës sime”, libri ku strehohen
33 shkrimtarë të shquar të botës

“Antenat e epokës sime”, libri ku strehohen<br />33 shkrimtarë të shquar të botës
“Antenat e epokës sime” është libri i gazetarit grek Anteos Hrisostomidhis, botuar në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “Toena”. Libri është bazuar në intervistat e autorit, në bashkëpunim me Michela Hartoularin, të cilët kanë kontaktuar dhe ftuar në ekranin televiziv përfaqësues të shquar të letërsisë botërore për nevojat e emisionit televiziv “Eponymous”. Autori tregon paskuintat e një emisioni për librin, i cili ishte konceptuar nga redaktorët që të mos u drejtohet vetëm intelektualëve çehrengrysur, një emision që nuk do të jetë i mërzitshëm, sikundër janë shpesh emisionet mbi librin, një emision që do të bëjë lidhjen mes shkrimtarit dhe qytetit ku ai banon, legjendës së tij të gjallë, shkruhet në parathënien e këtij libri. Me pak fjalë, një emision që të mos e përbuzë gjuhën themelore të televizionit, pamjen.

“Fatbardhësia ma pati bërë të mundur, si rrjedhim i vendit të punës, të njihja disa nga shkrimtarët më të rëndësishëm të epokës sonë; dhe mund të fillohej pikërisht me këta”, shkruan Anteos Hrisostomidhis. Dhe siç ndodh gjithmonë me idetë e ndritura, edhe kjo ide ka lindur rastësisht. “Mendimi, po thosha, lindi në makinë, teksa po ktheheshim në Berlin, pas ekskursionit tonë njëditor në Dresden. Biseda, nga romani i Mulisch-it, kaloi te hallet tona - ky atdheu ynë, sikurse e dimë të gjithë, na bie gjithmonë ndër mend në çastet më të papritura, në viset më të pabesueshme, dhe na mundon me problemet e tij të pazgjidhura. Pse jo? Një emision për librin...”. Vazhdimi i kësaj ideje është një histori e zakonshme. U gjendën edhe producentët, me të cilët zuri fill kjo peripeci.

“U gjend, natyrisht, edhe njeriu i dytë, që do të bënte tok me mua dokumentarët, Mikela Hartulari. Mikela do të bëhej edhe kumbara e emisionit: ndodheshim në Londër për xhirimet e episodit mbi McEwan-in, kur Lambropulosi na telefonoi nga Athina, duke ngulur këmbë se donte MENJËHERË një titull për emisionin; duhej t’ia dorëzonte kanalit mëngjesin e së nesërmes, qysh herët. Po ktheheshim nga një restorant. Gjendeshim pranë Muzeut Britanik. Qielli i Historisë po anohej i rëndë sipër kokave tona, kur Mikela bërtiti: “Antenat e epokës sonë!”. Të them të vërtetën, nuk mbeta pa mend, por edhe nuk më vinte, atë çast, ndonjë ide më e ndritur.

Dhe ideja e Mikelës u bë titulli i emisionit”, rrëfen gazetari Anteos Hrisostomidhis. Duke ndjekur aventurën e këtij emisioni ku autorët përpiqen të bëhen një burim idesh të pashtershme, duke sfiduar dita-ditës me joshjen e shikuesit. “Në ciklet e para, përzgjedhja e shkrimtarëve varej së tepërmi nga shijet tona vetjake. Sa më shumë e çmonim një shkrimtar, aq më shumë dëshironim ta kishim në emision. Me kalimin e kohës kuptuam se interes po aq të madh paraqitnin edhe disa shkrimtarë “mesatarë”. Çdo shkrimtar ka diçka për të të dhënë, sidomos kur është kufizuar brenda një teme të caktuar. Ndaj dhe e patëm vendosur qysh në krye të herës, që këta emisione nuk duhet të jenë tërësisht letrarë, nuk duhet të bëjnë fjalë vetëm për librat.

Kësisoj, shpesh, përzgjedhja e çdo shkrimtari varej edhe nga çështja të cilën do të shtjellonim me të”, kujton Anteos Hrisostomidhis. Duket sikur ky libër ka lindur si një nevojë e domosdoshme për t’i dhënë lexuesit atë që është përftuar përtej interesit të shikueshmërisë së një emisioni. Kështu një listë e gjatë shkrimtarësh vijnë me një profil të parë nga këndvështrimi i një gazetari televiziv. Anteos Hrisostomidhis tregon: “Me José Saramago-n mund të kuvendoje edhe mbi krizën e të majtës së sotme; me Amos Ozin dhe me Abraham Yehoshua-n, natyrisht, mbi problemin palestinez; Amin Maalouf-in, për përplasjen mes Lindjes dhe Perëndimit; Margaret Atwood-in, për letërsinë e femrave; P. D. James-in, për letërsinë policore; Hans Magnus Enzensberger-in, për nazistët; Nadine Gordimerin, për racizmin; Alan Hollinghurst-in, për homoseksualizmin; Dario Fonë, për teatrin, e kështu me radhë”.

Pastaj vijon rrëfimi për atë mundimin tjetër të gazetarit, dialogu me personalitet që nuk pranojnë të japin intervista. Kjo është një sfidë interesante që vetëm ata që punojnë më media e kuptojnë se ku mbërrin caku i kësaj sfide. “Disa shkrimtarë nuk pranuan të takoheshin me ne. Christa Wolf prej vitesh nuk jepte intervista. Nobelisti Imre Kertesz, me të cilin kisha pasur kënaqësinë të drekoja pak mote më parë, në shtëpinë e Ulla Berkéwicz-it të botimeve Suhrkamp, më njoftoi se do të dëshironte, por, fatkeqësisht, nuk mundej: i dridhet dora e djathtë (për fat të mirë, jo kur shkruan) dhe ai i shmanget daljes në ekran.

Televizionit i bën bisht edhe amerikani DeLillo, kurse bashkatdhetari i tij Philip Roth as që e mori mundimin t’u përgjigjej ftesave tona të njëpasnjëshme. Edhe dy nobeliste të tjera nuk denjuan: Wislawa Szymborska dhe Elfriede Jelinek, të dyja besnike të mendimit se shkrimtarët nuk kanë ç’të thonë më tepër nga ç’kanë thënë në libra...”, rrëfen gazetari. Së fundi, në faqet e këtij libri, kuptojmë rolin e paçmuar të punës së gazetarit, duke mbledhur së fundi “thesarin” e intervistave të shkrimtarëve të mëdhenj, të cilët janë zëri dhe ndërgjegjia e epokës ku jetojmë. Ky është mesazhi i këtij libri.
 
Shkrimi u publikua sot (10.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Rama: Kur erdhëm në pushtet vendi ishte në periudhën më të errët pas vitit 1997! Rendi ishte përtokë

Rama: Kur erdhëm në pushtet vendi ishte në periudhën më të errët pas vitit 1997! Rendi ishte përtokë