“Avioni”, Rama: Film i shpifur 
politik, ne nuk jemi Kolumbi

“Avioni”, Rama: Film i shpifur <br />politik, ne nuk jemi Kolumbi
TIRANE- Kryeministri Edi Rama ka folur lidhur me avionin e bllokuar në bregdetin e Divjakës dhe akuzat për tentativë për trafik droge, teksa e ka quajtur ngjarjen një film të servirur, një shfaqje të shëmtuar, që synon të manipulojë shqiptarët. Po japim të plotë deklaratën e kryeministrit, dhënë dje për mediat.
 
“Dua t’ju rrëfej sot drejtpërdrejtë, hapur, duke ju parë në sy dhe pa rrumbullakosur asnjë fjali, çfarë di, kuptoj e ndjej, teksa një shfaqje e shpifur politike po luhet pre tri ditësh. Një avion i ulur çuditërisht në rërë, nga një pilot profesionist italian, të shtunën, në mes të ditës me diell dhe pasi fluturon aq sa duhet për t’u pikasur nga shumë njerëz, për t’u filmuar e për t’u fotografuar nga të katër anët. Një makinë e ngecur çuditërisht në rrugën aty pranë, plot me drogë e me çanta të lëshuara si pa kujdes. Shoferi, një shqiptar i ardhur nga Italia që s’kishte kaluar kurrë më parë në atë rrugë, dhe i kapur nga policia në pyllin e Divjakës.

Dhe një parti deri dje në pushtet, e cila që në sekondën e parë të daljes nëpër titrat e televizioneve të këtij filmi kaq tërheqës, lëshohet me tërbim me kuç e me maç, kundër meje, kundër ministrit të Brendshëm, kundër Policisë së Shtetit, kundër logjikës së thjeshtë të shqiptarëve, kundër vetë interesit kombëtar në këtë moment. Lëshohet ashtu siç vetëm ajo forcë e verbër e të shkuarës e dimë që di të lëshohet, pa asnjë skrupull, pa asnjë sens mase; pa asnjë respekt për kohën që i duhet të vërtetës të dalë në këto raste; pa asnjë turp për përbaltjen frontale të uniformës blu të shtetit; pa asnjë kujdes se nga e gjithë kjo përbaltje tërësisht politike mund të njolloset jo vetëm e tërë policia, po vetë Shqipëria.

Lëshohet e shoqëruar nga falsifikatorë pronash, bilancesh e deri edhe identitetesh, të cilët vënë në dispozicion ekrane, faqe gazetash apo dritare rrjetesh sociale, për të përmbytur opinionin me fabrikime, deri dhe krejt të paimagjinueshme dhe me komente lehtësisht të kuptueshme. Lëshohet, një për të gjithë e të gjithë për një, e tërë lukunia e pushtetit që rrënoi shtetin e vendin tonë për vite të tëra, që e la 9 muaj më parë Shqipërinë në një gropë dëshpëruese papunësie, varfërie, pasigurie, korrupsioni, krimi, që e mbyti vendin mes plehrave nga të katër anët e pisllëkut në çdo zyrë të shtetit.
 
NDRYSHIMI YNE
Atyre jua kam thënë vazhdimisht në Parlament se mendojnë se mund t’ju marrin për budallenj e duan tinëzisht, forcërisht, sa më parë të përfitojnë nga hallet, nga vështirësitë, nga problemet e panumërta që njerëzit e zakonshëm të këtij vendi kanë sot. Sot, tani që puna e gjithanshme e qeverisë së re është ende në fillimet e veta. Sepse e dinë, që sa më shumë kalon koha aq më shumë ju, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që na keni votuar ose nuk na keni votuar në 23 qershor, do të shihni, do të prekni, do të jetoni me ndryshimet e Rilindjes që pa as më të voglin dyshim ne do të sjellim për Shqipërinë në ekonomi, në shëndetësi, në arsim, në rend edhe në drejtësi.

E dinë, tanimë, fare mirë se ekonomia ka filluar të japë shenjat e para, po të sigurta të daljes nga agonia, sepse kjo konfirmohet edhe nga institucionet më prestigjioze financiare ndërkombëtare; e kështu ju duhet në një farë mënyre t’i japin lamtumirën skenarit grek aq shumë të ëndërruar dhe të predikuar. E dinë, fare mirë, se nuk mund t’ju thonë më se taksat nuk u ulën për 97% të shqiptarëve, sepse kjo konfirmohet nga xhepi i çdo qytetari që jeton me një rrogë në shtet ose në privat; e dinë fare mirë se nuk mund t’ju thonë më se shtëpitë nuk do të legalizohen falas, sepse kjo konfirmohet nga kushdo që po e merr apo po e pret legalizimin nga shteti, jo nga SHQUP-i. E dinë, patjetër, siç dinë edhe shumëçka tjetër që ka nisur të marrë rrugën e duhur, se edhe Ministria e Brendshme nuk është më shtëpia e bashkëjetesës së patrazuar të shtetit me krimin, ashtu siç dinë, dhe më besoni, këtë e dinë më mirë se çdo gjë, ata që janë kaq shumë në krye të kësaj shfaqje, se policia që ne po kthejmë përditë e më shumë në krye të detyrës, është një kërcënim i pashoq për burimet e vjetra të të ardhurave nga krimi në këtë vend.
 
JO AMINISTI KRIMIT
Nuk jam para jush për fjalimin e radhës, do të kemi ditë, do të kemi muaj e vite përpara për të provuar me fakte dhe me shifra, po mbi të gjitha me nivelin e qetësisë e të mirëqenies suaj dhe të dinjitetit të vendit tonë në sytë e botës se çfarë investimi të mençur ka bërë populli shqiptar në 23 qershor të viti të shkuar. Ashtu sikundër do kemi ditë, muaj e vite përpara për të parë e dëgjuar, drejtësinë që do sot çdo shqiptar, të bëjë drejtësi për krime e vjedhje që kurrë e për askënd nuk do të mund të amnistohen. Sot jam para jush për t’ju thënë se s’ka asgjë, absolutisht asgjë të vërtetë, në asnjë fjalë, absolutisht asnjë fjalë, që lidh emrin tim me të zeza e të këqija ndaj këtij vendi, të cilin e dua me të gjithë fuqinë time, dhe ndaj jush, njerëzve të këtij vendi, të cilëve ju detyrohem për të gjithë jetën me të gjithë forcën e nderit e të zemrës time, për këtë nder të jashtëzakonshëm që më keni bërë duke më vënë në krye të qeverisë së vendit tim.

Unë nuk jam aspak një njeri i pagabueshëm, po jini të bindur se kurrë nuk do ta bëj gabimin që pas shpinës suaj të veproj kundër jush, kundër interesave tuaja e të familjeve tuaja, kundër interesave të Shqipërisë ku rriten e do të rriten fëmijët tanë. Unë nuk jam bërë kryeministër për t’u pasuruar në kurrizin tuaj, po për ta bërë më të pasur, më të sigurt, më të qetë dhe më normal këtë vend, atdheun tonë të tradhtuar e të rrënuar për kaq e kaq vite. Për t’ju mbështetur ju në çdo gjë dhe për çdo gjë e kundër kujtdo që do të vazhdojë të bëjë atë që ata, të cilët sot flasin në emrin tuaj kanë bërë me ju për vite  e vite të tëra.
Nëse kam gabuar apo do të gaboj në zgjedhjet a në vendimet e mia gjatë përpjekjes drejt këtij qëllimi të lartë e të vështirë, jini të sigurt se do të bëhet gjithnjë fjalë për politikat e gabuara të një kryeministri që punon me zemër e mendje për vendin e tij, po kurrë për rrugën e gabuar të një njeriu që abuzon me këtë detyrë kaq të madhe, kundër interesit të vendit e të popullit të tij. Prandaj më lejoni, jo pse jam i hidhëruar vetë.
 
SHQIPERIA S'ESHTE KOLUMBI
Dua t’ua them, mua s’më hidhëron më prej kohësh shija e baltës së luftës barbare politike me të cilën më kanë mbuluar që kur futa këmbën në këtë arenë, por sepse e kam të pamundur ta shoh a ta ndjej të lënduar sot, qoftë edhe një njeri të vetëm që ka besuar tek unë, që ka besuar tek ne, që ka besuar tek “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” më 23 qershor t’u them: Kujt lidh emrin tim me trafikun e drogës unë i rezervoj mëshirën time për llumin ku është i zhytur shpirtërisht, moralisht dhe mendërisht.

Por kush lidh Shqipërinë e sotme me Kolumbinë e djeshme, meriton pa mëdyshje përbuzjen e çdo të vdekuri që e deshi dhe e çdo të gjalli që e do këtë vend! Shqipëria jonë e vogël nuk ka qenë si Kolumbia e djeshme e narkotrafikut, as dje, kur qeverisnin këta që sot janë lëshuar me tërbimin e tyre prej lukunie të egër, e padyshim nuk ka asnjë lidhje me Kolumbinë dje, Shqipëria jonë e vogël sot, kur gjatë tre muajve të fundit është kapur pesë herë më shumë drogë, se sa gjatë dhjetë muajve të fundit të qeverisjes së tyre.

Të krahasosh Shqipërinë me Kolumbinë, duke qenë shqiptar në këto kushte, kur pas kaq vitesh Shqipëria dhe shqiptarët kanë vuajtur e vazhdojnë të vuajnë jo pak e jo vetëm për faj të tyre, nga paragjykimet e të tjerëve ndaj nesh e vendit tonë, e ta bësh këtë sot, duke shpifur në mënyrë kaq monstruoze me qëllimin e ulët të manipulimit të opinionit publik, shqiptar e ndërkombëtar, ndërkohë që ky popull meriton, një orë e më parë, një vend më të mirë në gjirin e Familjes Europiane,-do të thotë jo të mos mbështesësh vendin tënd, po të frymëzosh krimin dhe çdo forcë që s’do t’ia dijë fare brenda ose ashtë vendit për fatet, interesat, shpresat e ëndrrat e këtij populli.
 
PLAKU I SHQUP-it
I kam dëgjuar disa, shumë ndër ta edhe dashamirës, kur thonë se unë nuk e mora seriozisht plakun e SHQUP-it kur na tha se çdo natë, në orën 8, nisen nga Divjaka avionë të mbushur me drogë. Po më falni, t’u pyes çfarë ka këtu për të marrë seriozisht? Kush ndër ju dhe pse, për çfarë arsye do ta merrte seriozisht? Po sot, që po flasim edhe pas asaj që ka ndodhur, ka ndonjë shqiptar me mend në kokë, që ta ketë ndjekur tërë ngjarjen dhe të mendojë akoma se në Divjakë paska funksionuar përnatë një linjë ajrore e rregullt e trafikut të drogës? Apo qoftë edhe përjavë ose edhe një herë në muaj, dhe askush të mos e ketë parë, përveç plakut të SHQUP-it?

A nuk ju duket se ka diçka që nuk shkon fare për mendjen e njeriut normal, në tërë këtë film të servirur prej tre ditësh, me tërë këtë zhurmë e me tërë ato manipulime fotografike e analitike, si të ishte një provë ky film se plazhi i Divjakës qenka aeroport, dhe kësaj here u thye një gomë, po normalisht avionët ulen e ngrihen të padukshëm e të papenguar në rërë. Po unë nuk dua të qëndroj këtu, sepse më takon t’ju shpjegoj se po të ma thoshin përsëri në parlament nesër, pasnesër se në Divjakë ngrihen avionë përnatë, do të përgjigjesha përsëri se përnatë në Divjakë ngrihet vetëm një lukuni mushkonjash të rritura njësoj si lukunia e abuzuesve e falsifikatorëve publikë, nën sqetullën e pushtetit, gjithë këto vite, ku u ushqyen gjithfarë parazitësh dhe Shqipëria u gërrye nga gjithfarë parazitësh e pushtetit të plakur që u palos në dysh nga vota plebishitare e 23 qershorit.
 
S'KA LINJE DROGE
Deri atë ditë, ditën kur u tha se në Divjakë kishte një linjë të përnatshme ajrore, s’kishte asnjë fakt të provuar, zero, as nga strukturat tona përkatëse, dhe as nga Shërbimi Informativ i Shtetit, se ishin ulur apo ngritur avionë për trafik droge në Divjakë apo kudoqoftë. Ende më shumë akoma, gabon kush mendon apo edhe e thotë pa teklif përgjatë shfaqjes abuzive të këtyre ditëve, se ne nuk e morëm seriozisht këtë çështje kur u ngrit në fillim fare. Është e pavërtetë, ne nuk mund të merrnim seriozisht çmendurinë se në Shqipëri, në Divjakë, në Gjadër paska linja ajrore të përnatshme, po e kemi marrë seriozisht që më parë se sa të ngrihej në publik një hipotezë e tillë, pasi dyshimet e paprovuara, siç dolën ilegalisht, por kjo nuk ka rëndësi në këtë moment, në një periudhë që përfshinte kohën e qeverisjes sonë, nga strukturat inteligjente, datojnë shumë më parë se sa qershori 2013.

Por faktikisht, pikërisht, sepse ne jemi krejt ndryshe nga ata, që sot duan të na akuzojnë për gjëra të cilat mbase kanë ndodhur kur qeverisnin vetë, apo edhe janë bërë në hyqmin e tyre përderisa ngrenë akuza ku neve s’na shkon as mendja, ne nuk jemi ngritur me vrap t’i akuzojmë. Përkundrazi, jemi vënë tërësisht në lëvizje, kemi bërë me dije për këto fakte, për këto dyshime të paprovuara edhe partnerët tanë, dhe praktikisht qysh nga shtatori e deri para tre ditësh, s’jemi ndeshur me asnjë fakt të provuar.
 
MBESHTETJA PER TAHIRIN
Ministri ynë i Brendshëm nuk është as ai i pagabueshëm, me siguri ka gjëra që mund t’i bëjë më mirë, por mes shumë gjërave që ka bërë aq mirë, me aq shumë kurajo e sakrificë profesionale, por mbi të gjitha personale e familjare, dhe ndonjë gjëje që mbase s’e ka bërë po aq mirë, s’ka asnjë krahasim që do të meritonte ngurrimin tim më të vogël, për t’u garantuar ju, duke ju parë në sy se çdo shqiptar sot duhet të jetë i bindur për aftësinë, për integritetin e Saimir Tahirit. S’dua t’ju marr kohë duke përsëritur të njëjtat fjalë për Ministren e Mbrojtjes, e cila po kaq padrejtësisht sa këto ditë Ministri i Brendshëm, u vu para pak javësh në shënjestrën e tërbimit të pushtetit të deridjeshëm të rrënimit e të korrupsionit në ushtri. Do t’ju gënjeja nëse do t’ju thosha sot, se unë mendoj që ne i kemi këputur të gjitha fijet e korrupsionit, qoftë në polici apo qoftë në ushtri, ashtu sikundër dua të ndaj me ju bindjen time se lufta që ne kemi hapur frontalisht kundër trafikut të drogës, është vetëm në fazën e parë të saj.
 
LUFTA NDAJ KRIMIT
Lazarati i famëkeqësuar botërisht, as nuk u mboll me drogë në vjeshtën tonë të parë në qeveri, as prodhoi ndonjëherë për ne vota ose edhe haraç të pistë parash, në gjithë këto vite, e as nuk u mor ndonjëherë në mbrojtje nga selia jonë opozitare gjatë ndonjë operacioni policor. Sasia e drogës që kapet papushim prej afro nëntë muajsh, është mbjellë rehat-rehat verën e shkuar, mu nën hundën e pushtetit të sikterisur me 1 milionë vota, që deri ditën e fundit të agonisë së rotacionit, bëri çdo të zezë që mundi me pasuritë, me paratë dhe të drejtat e shqiptarëve për të përfituar babëzisht në kurriz të këtij populli dhe të ardhmes së këtij vendi.

Reagimi i shtetit ka ardhur e do të vijë vetëm duke u forcuar dhe rrethi do vijë duke u ngushtuar e bërë gjithnjë e më mbytës për trafikantët e çdo lloji. Lidhjet e zyrtarëve të lartë të shtetit me krimin, zyrtarëve të lartë të policisë në radhë të parë sigurisht, Departamenti i Shtetit nuk i raportoi pas ardhjes sonë në qeveri, dhe as lidhjet e këputura prej kohësh nga simbioza shtet-krim këtu në Shqipëri, me policitë e vendeve partnere, nuk u rivendosën para ardhjes sonë në qeveri, po fill menjëherë në momentin kur partnerët e kuptuan se sa seriozisht e ka qeveria jonë, e posaçërisht Ministri ynë i Brendshëm, luftën kundër krimit. Tek rivendosja e këtyre lidhjeve të këputura për shkak se dekonspirohej në mënyrë të vazhdueshme nga Kupola e deridjeshme e Policisë së Shtetit, çdo operacion me rëndësi madhore i përbashkët me partnerët, e ka sot bazën edhe rritja e ndjeshme e bashkëpunimit ndërkufitar, edhe rritja e lexueshme e kapjeve në anën tjetër e sasive të drogës që del nga kufijtë tanë, edhe rritja e konsiderueshme e arrestimeve të të kërkuarve ndërkombëtarisht për krime dhe për drogë, që deri dje i merrnin për veshi publikisht nëpër lokale drejtuesit e policisë.

Policia e Shtetit sot përballet me një presion të dyfishtë, fatkeqësisht gjithnjë e më simetrik.
 
PUSHTETI I HUMBUR
Nga njëra anë presioni i madh konstant i kriminalitetit, që po merr goditje të njëpasnjëshme, po edhe po reagon mesa mundet në rrugën e zmbrapsjes së tij, dhe po reagon falë edhe lidhjeve e interesave të vjetra me zyrtarë të lartë policie, të rënë nga vakti ose dhe ende të pazbuluar si bashkëpërgjegjës me krimin brenda policisë. Nga ana tjetër, presioni i kthyer së fundmi në tërbim i partisë së pushtetit të djeshëm, që në emër të luftës me krimin bën politikë me krimin dhe e frymëzon krimin, madje pa e fshehur dot se është po aq e interesuar sa krimi që ta pengojë, të cenojë, të dëmtojë Policinë e Shtetit. Kjo, miqtë e mi, në gjuhën e tranzicionit quhet luftë interesash e një pushteti të humbur që jep shpirt po nuk heq dorë, dhe interesat e prishura të politikës kur politika flet me histeri për njerëzit, po në fakt është duke menduar dhe punuar vetëm për lëkurën e vet, janë ura zjarri që duan të ndezin veç flakë në rrugën e ringritjes së shtetit. Kurrë nuk kam menduar se rruga jonë do të jetë e lehtë.

Kurrë nuk kam besuar gjërat që të gjithë duam dhe për të cilat unë më së pari siç më takon po punoj me mish e me shpirt, do të bëhen po aq shpejt sa ç’bëhet me votë ndryshimi i një shumice në parlament. Kurrë nuk kam dyshuar se në pjesën e parë të saj qeverisja jonë do të bëhet në një terren të minuar. Por kurrë, as edhe për një çast, nuk e kam vënë në diskutim bindjen se përtej dëshirës së madhe, krejt të natyrshme, pas kaq shumë vitesh lëngatë, për të parë ndryshimin të ndodhë sa hap e mbyll sytë, logjika e thjeshtë e shqiptarëve është një mbështetje e sigurt në këtë rrugë tejet të vështirë, ku rezultatet do të vijnë me radhë, siç po vijnë; do të vijnë me ngulm e mund të madh, siç po i sjellim; do të vijnë me kohën që i duhet një pune kaq të mirë sa kjo e rilindjes së Atdheut tonë të përbashkët, ku për kaq vite u bënë mbrapsht kaq shumë gjëra. Për të ndërtuar një shtëpi, një familjeje i duhen vite të tëra. Po për të ndërtuar një shtet, të gjetur përtokë sa kohë duhet dhe sa shumë ngulm, vullnet e sakrifica duhen?!
 
APEL QYTETAREVE
Logjikës suaj të thjeshtë do t’i bëj thirrje sot për të mos lejuar që t’ju marrin për budallenj njerëz që ende nuk kanë kërkuar asnjë ndjesë për plagët e dhimbjet, për gënjeshtrat dhe zhgënjimet që ju kanë bërë e shkaktuar deri më pak se një vit më parë; për të mos rënë pre e shkurajimit përpara vështirësive të jetës së përditshme, përpara dhimbjeve që më besoni, çdo ditë që kalon i ndjej shumë e përpiqem që t’i ndjej si ju, përballë problemeve të mëdha të jetës suaj; për të mos u tërhequr zvarrë në rrugën qorre të varfërisë së aspiratave që ushqehet me politikën e tërbimit; për të mos harruar sidoqoftë se pavarësisht se kemi shumë për të bërë e plot problem për të zgjidhur, rruga e re ka nisur, projekti i Shqipërisë Europiane që meritojnë fëmijët tanë po lëviz përpara, portat e Europës nuk janë më të mbyllura me përçmim para nesh, si dy apo tre vjet më parë. Si mendoni ju vëllezër e motra, shqiptarë që keni parë botën tanimë dhe askush nuk mund t’u mbajë peng të gënjeshtrave në një vend të izoluar, do të qëndronte e heshtur Europa që ka folur me zë të lartë për shumë më pak se sa kaq, nëse vërtet Shqipëria do të ishte kthyer pas, në këta muaj të qeverisjes sonë? Lëre pastaj nëse do të kishte shkuar aq teposhtë, sa brenda kaq pak kohe të ishte bërë Eldoradoja e avionëve të drogës në mes të Europës!
 
INTEGRIMI NE BE
Europa jo vetëm s’ka qëndruar e heshtur, po ka shprehur gjithnjë e më qartë optimizmin e rifituar tek Shqipëria e pas 23 qershorit, mbështetjen për reformat e ndërmarra në Shqipëri nga shumica e re qeverisëse, në një terren që miqtë dhe partnerët tanë, e dinë fort mirë se sa i vështirë është, tonet shumë inkurajuese për rezultatet e arritura në këta muaj në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit! Unë jam gjithnjë e më pak prej vitesh i prirur të përmend takimet e mia me kryeqeveritarët e vendeve të tjera, por dua t’ju siguroj se Shqipëria po fiton përditë e më shumë respekt në sytë e botës.
Lejomëni të ndalem për sot këtu, të nderuar bashkëqytetarë e bashkëqytetare, me shpresën se munda t’ju lehtësoj sadopak nga trazimi cinik e tinëzar i këtyre ditëve, ku Europa na pret të mbyllim një kapitull të vjetër e të hapim një të ri në qershor, ndërsa disa këtu ndër ne, shqiptarë si ne ngjajnë sikur sa më shumë afron qershori aq më shumë u hyn dreqi në bark!

Duan të prishin mendjen e ngritur tanimë të Familjes Europiane në prag të statusit? Nuk e di, por do të ishte një gabim fatal, sepse kjo është hera e fundit, kur për statusin mund të marrin edhe ata meritat e tyre. Të tjerat ia lemë ditëve në vijim, nga nesër paradite kur do të takohem me drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe do kemi rastin të komunikojmë përsëri, jo më për mushkonjat, po për fazën e dytë të luftës kundër krimit dhe drogës në rrugën e Shqipërisë Europiane.

(Video, fjalimi i plotë)
  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç