Gati të gjithë e dinë çfarë vendimi do të marrë “Baba”.
Enver Hasani mund t’i dëgjojë faktet e të gjitha partive politike në seancën e parë dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese, që mbahet sot, por në fund, “dihet”.

Vendos në favor të PDK-së!
Ky së paku është perceptimi i shumë qytetarëve pak ditë para se Kushtetuesja ta japë verdiktin në lidhje me procedurën e zgjedhjes së Isa Mustafës në krye të Kuvendit të Kosovës, më 17 korrik të këtij viti.

Pa u hamendur shumë, dua të besoj se këto janë vetëm paragjykime të disa qytetarëve, të cilët për shkak të bindjeve politike janë në gjendje ta “përbaltin” majën e sistemit gjyqësor të Kosovës.

Sepse në fakt, ky institucion dhe drejtuesit e saj janë, apo thënë më mirë, do të duhej të ishin, të pavarur në vendimet e tyre gjyqësore.
Megjithatë, edhe nëse nuk janë të vërteta këto që thuhen kuluareve të Prishtinës, vetë fakti që shumë qytetarë po shtiren se e dinë para kohe opinionin e Gjykatës Kushtetuese, kjo me të vërtetë është shqetësuese.

Pyetja e parë që mund të shtrohet në këtë situatë është se pse është krijuar ky opinion për Enver Hasanin dhe gjykatësit e tjerë të Kushtetueses?
Fakti që qytetarët e paragjykojnë një vendim të Kushtetueses, flet shumë për degradimin e sistemit gjyqësor të Kosovës.

Në humbjen e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor padyshim se ka ndikuar me veprimet e tij të pamatura edhe vetë kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, dhe gjykatësit tjerë të institucionit që ai e drejton.

Në kohën kur beteja mes partive të Bllokut dhe PDK-së u zhvendos në Gjykatë, Enver Hasani nuk hezitonte të takohej në Mitrovicë me zyrtarin e PDK-së, Bajram Rexhepin, ministër në detyrë i Punëve të Brendshme.

Po ashtu për shumë kënd ende të freskëta janë mesazhet banale që Hasani ia kishte dërguar profesorit universitar Shemsi Reçica, në të cilat lakohej edhe emri i Ramush Haradinajt dhe Blerim Shalës.

Edhe gjykatësi tjetër i Kushtetueses, Kadri Kryeziu, së fundi u qortua nga Gjykata për shkak të pjesëmarrjes së tij në një tubim elektoral të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Kryeziu tregoi edhe me letra se është me PDK-në, ndonëse më herët ka qenë me AAK-në e Ramush Haradinajt, e cila e kishte shpërblyer me postin e zëvendësministrit të Tregtisë në Qeverinë e Kosovës.

Mirëpo, për dallim nga Kryeziu, i cili shkoi haptas në tubimet e PDK-së, problemi më i madh është me gjykatësit tjerë, të cilët shkojnë fshehtas në takime në partinë e Hashim Thaçit.

Ka shumë mundësi që këta gjykatës “partiakë” t’i kenë treguar drejtuesit tjetër të PDK-së, Xhavit Halitit, se çka përmban vendimi i Kushtetueses, i cili ditë më parë deklaroi se vendimi është i gatshëm dhe e di fare mirë çka shkruhet në të!

Nëse zyrtarët partiakë si ky e dinë paraprakisht se kur do të jetë i gatshëm verdikti dhe çka thuhet në të, atëherë pse është dërguar çështja në Gjykatë, ose pse po organizohen kot seancat gjyqësore?

Gjykata Kushtetuesja do të duhej të ishte më kredibilja, më profesionalja dhe më e pavarura, ndërsa vendimet e saj s’do të duhej t’i dinte paraprakisht askush, përpos rrethit të ngushtë të gjykatësve.

Duke i ditur shumëkush para kohe këto vendime, atëherë s’ka si të mos i jepen Kushtetueses epitetet “Gjykata e Thaçit” dhe “Baba i PDK-së”!