TIRANE- Për herë të parë një javë nga prangosja e 6 prej anëtarëve të bandës së “Babagjyshëve”, “A1 Report” sjell pamjet e dy prej grabitjeve të këtij grupi. Në këto pamje shihet qartë se të kamufluar me një automjet me targa greke, xhama të zinj dhe një tabelë policie, 4 anëtarët e bandës futen për në ambientin e basteve sportive në pronësi të familjes së deputetit Mark Frroku në Kombinat.
 
Sapo zbresin nga automjeti grabitësit ndajnë detyrat, ku tre prej tyre të armatosur deri në dhëmbë me automatik e pistoleta futen në ambientet e brendshme, ndërsa njëri prej tyre vëzhgon situatën nga jashtë.
 
Në një skenë të ngjashme të filmave hollivudianë tre anëtarët marrin paratë nga zyrat e financës duke kërcënuar arkëtaret, e më pas largohen për të humbur gjurmët. Të njëjtën skemë grabitje autorët kanë përdorur dhe gjatë vjedhjes së kryer në një argjendari në Fushë-Krujë, ku në mes të ditës ata futen në ambientet e brendshme të saj dhe nën kërcënimin e armëve marrin çka mundet.
 
Sërish një nga anëtarët e bandës qëndron në pjesën e jashtme ku bënë roje, ndërsa këtu dy prej tyre realizojnë grabitjen.
 
Këto pamje i janë bashkëngjitur fashikullit hetimor të Prokurorisë së Krimeve të Rënda si provë materiale, ndërsa Ilir Kupa i konsideruar si “Kryebabagjyshi” këtë të martë u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij.

Pak ditë më parë Policia e Shtetit bëri publike rezultatet e operacionit babagjyshi ku në pranga kanë rënë, Agustin Sula, Enea Qerushaj, Hajdar Xaka, Edmond Selala, ndërsa në kërkim janë shpallur 6 persona të tjerë.