TIRANE- Orët e fundit, Policia e Shtetit, ka mbaruar hartimin e planit të përgjithshëm të masave, për të siguruar një fundvit sa më të qetë. Burimet zyrtare pranë Policisë së Shtetit thanë se Drejtori i Përgjithshëm Artan Didi u‘a ka shpërndarë këtë plan masash vartësve të tij në 12 drejtoritë e qarqeve. Një prej elementëve kryesorë që parashikohen në garantimin e festave sa më të qeta këtë fundvit, është përpjekja e uniformave blu për të parandaluar shqetësimet që vijnë si pasojë e fishekzjarreve, kapsolleve apo lojërave të tjera plasëse. Efektivët e komisariateve janë instruktuar që të vlerësojnë seriozisht çdo ankesë që vjen kryesisht nga të moshuari apo personat me probleme shëndetësore, si dhe të kufizojnë këto lëndë të rrezikshme në duart e fëmijëve dhe adoleshentëve.

Sigurimi i akseve kryesore në rrugët e Shqipërisë si dhe kufizimi në maksimum i flukseve të mjeteve që mund të shkaktohen nga dyndjet e emigrantëve për festa, janë të tjera objektiva të këtij plani masash. Ndërkaq, marrja në ruajtje e objekteve me rëndësi të veçantë nga ana e policisë si dhe rritja e vigjilencës nëpër qendrat e banuara si sheshet publike, bulevardet, rrugët, etj. Ndërkaq edhe lëvizja e qytetarëve në rrugë apo veprimet e dyshimta do të jenë objekt i vëzhgimeve nga patrullat lëvizëse. Momentalisht, Drejtoria e Policisë së Tiranës ka kaluar me shërbime 12 orëshe, të cilat do të zgjasin deri në datën 3 janar 2014, ku pritet që intensiteti i festimeve të jetë i ulët. Kjo drejtori ka planifikuar masa konkrete për përmirësimin e parametrave të qarkullimit rrugor në Tiranë në bashkëpunim me misionin Pameca.

Aktualisht sipas planifikimit u vendosën shumë nxënës të shkollave të mesme të Tiranës, që kanë marrë sensibilizimin teorik, për të asistuar praktikisht pranë punonjësit të policisë rrugorë të veshur me (jelek të qarkullimit), me qëllim sensibilizimin e ndërgjegjësimin qytetar për respektimin e rregullave në fushën e qarkullimit rrugor. Krahas sa më lartë, Njësia Rajonale e Qarkullimit Rrugor Tiranë, është maksimalisht e angazhuar, për t`ju ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës, për një lëvizje sa më normale në segmente të ndryshme rrugore. Në 24 orët e fundit nga shërbimet e policisë së Kryeqytetit qarkullimi rrugor sëbashku me Patrullën e Përgjithshme, kanë vendosur në total 1413 gjoba, kryesisht të vendosura për moszbatim të sinjalistikës, etj.
 
 Shkrimi u publikua sot (21.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)