TIRANE- Ministri Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, deklaroi në Kuvend se brenda muajit maj do jenë gati ndryshimet në ligjin për të përndjekurit politikë, në mënyrë që fillimisht të përfitojnë ata që janë gjallë. Ai tha se propozimet për ndryshimin e ligjit do jenë gati brenda datës 20 maj dhe kanë për qëllim që të japin përparësi në trajtimin e ish të dënuarve që janë gjallë, duke u dhënë përparësi atyre në moshë më madhore.

Grupi ndërministror i përbërë nga përfaqësues të MMSR, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave është duke shqyrtuar ndryshimet në kriteret e përfitimit të dëmshpërblimit. “Ne kemi ngritur një grup ndërministror pune me përfaqësues të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Brenda datës 20 maj do të kemi një propozim, i cili e ndryshon ligjin brenda vitit, ashtu siç kemi premtuar. Brenda vitit ne do ndryshojmë ligjin duke i dhënë prioritet pagesave për ata që janë gjallë dhe ata që janë në moshë të thyer. Në datën 20 maj, ju ftoj të vini në Parlament e të bëheni pjesë e ndryshimit të ligjit, në mënyrë që ish të përndjekurve t’u japim atë që meritojnë”, tha Veliaj në Kuvend, duke garantuar realizimin e një premtimi.

Shkrimi u publikua sot,9 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)