Pesë mbrëmje me muzikën dhe Mozartin do të sjellin në skenë festivalin “Flauti Magjik”. Festivali e ka çelur siparin mbrëmjen e së enjtes në skenën e Universitetit të Arteve.

Drejtori artistik i festivali Fatos Qerimaj e ka konceptuar edicionin e pestë si një kombinim midis muzikës xhaz dhe asaj klasike. Mbrëmja e parë nisi me veprën e Mozartit “Flauti magjik”.

Këtë herë, përveç krijimtarisë muzikore në skenë do të jetë dhe aktori i njohur Dritan Boriçi. 

Ndërsa dirigjenti i festivalit është Arben Llozi, i cili rrëfen se repertori i zgjedhur nga Mozart në festival do të vijojë deri tek muzika bashkëkohore, duke trajtuar dhe prekur shumë linja të artit
  
Në këtë festival fabula e veprës së Mozartit vjen brenda një platforme duke e trajtuar fabulën me një koncept narrativ nga aktori Boriçi.
 
Ndër pesë mbrëmjet artistike të festivalit, sipas drejtorit artistik Fatos Qerimaj, tre do të jenë në natyrë.

Në datën 2 qershor festivali mbahet në Durrës pranë detit, më 3 qershor buzë liqenit të Farkës dhe më 7 qershor në Radiotelevizionin shqiptar.
 
Festivali “Flauti Magjik” nisi brenda Universitetit të Arteve për të shprehur alternativat bashkëkohore të artit muzikor dhe përgjatë 4 edicioneve ka promovuar një numër të madh artistësh të rinj dhe profesionistë.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com