TIRANE- Protesta e shoferëve të furgonave 8+1, e nisur dy muaj më parë,  kishte për synim luftën ndaj konkurrencës së pandershme. Ndërkohë që vetë drejtuesit e këtyre mjeteve, vazhdojnë të punojnë në kundërshtim me ligjin e vitit 1998, që i ndalon të marrin pasagjerë në rrugët e kthimit. Shqetësimi bëhet publik nga vetë drejtuesit e autobusëve që punojnë në transportin ndërurban. Sipas tyre, ditët e fundit u është dashur të përballen me kërcënime dhe shantazhe të ndryshme nga drejtues të furgonave 8+1. “Kanë 15 vjet që punojnë në kundërshtim me ligjin dhe tani vazhdojnë të na bëjnë konkurrencë të pandershme duke ardhur dhe duke na marrë pasagjerë nëpër stacione.

Kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu, duhet të ndërhyjë urgjentisht policia dhe të marrë masa”, pohon për “Shqiptarja.com” një prej shoferëve të linjës Tirana-Korçë. Drejtuesit e autobusëve shprehen të bindur se edhe ngjarjet e dy ditëve më parë kur u goditën me gurë pesë autobusë gjatë aksit rrugor Tiranë-Elbasan, kanë qënë një formë kërcënimi e drejtuesve të taksive 8+1. “Përballemi çdo ditë me sharje dhe presione nga më të ndryshmet, nga individë të veçantë që duan të zhvillojnë transportin ndërurban në mënyrë të jashtëligjshme dhe tani duhet të ruajmë edhe jetën.

Goditjet me gurë të shoferëve dy ditë më parë mund të kishin rrezikuar jetën e udhëtarëve, por fatmirësisht reagimi nga kolegët tanë kishte qenë mjaft profesional”, tregon një tjetër drejtues autobusi. Në mungesë të një terminali modern udhëtarësh, linjat që bëjnë transportin e udhëtarëve nga Tirana në Korçë dhe Elbasan janë të vendosura pas stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Furgonat 8+1 vendosen në mënyrë të jashtëligjshme  në pjesën e fushës që ndodhet në të djathtë të stadiumit “Qemal Stafa” , si dhe në një parking privat aty pranë dhe më pas marrin pasagjerët.

Mungesa e ndërhyrjes nga ana e policisë në stacione, por sidomos gjatë akseve rrugore, ka acaruar së tepërmi marrëdhëniet midis drejtuesve të autobusëve dhe atyre të furgonave. Ndërkohë, qytetarët shprehen se transporti për në qytete duhet të jetë me standarde më të larta dhe policia duhet të ketë më shumë kontroll në këto stacione. “ Ne udhëtojmë edhe me autobusë edhe me furgona. E rëndësishme për ne është  që të shkojmë në destinacionet tona, por edhe këto debatet e shpeshta mes shoferëve kanë filluar të na shqetësojnë”, tregon një udhëtare.

Shkrimi u publikua sot (16.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)