Në një peticion të firmosur prej tyre, theksohet se vendimi i 12 marsit nuk i përgjigjet shkallës së tragjedisë dhe përgjegjësive për Gërdecin dhe lë pa autorë shkaktarët e vdekjes së 26 viktimave të pafajshme. Vendimi nuk dha drejtësi, por u karakterizua nga një proces gjyqësor i padrejtë dhe deficitar:
• Procesi penal shënoi një rekord seancash gjyqësore (211 seanca) në harkun kohor të thuajse 3 viteve, afërsisht tre herë më shumë se mesatarja e proceseve të tjera të ngjashme. 53% e seancave (112/211 seanca) dështuan për mungesë të avokatëve dhe mosformim të trupit gjykues. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.
• Pavarësisht dëmeve të mëdha materiale, familjarët e viktimave kërkuan dëmshpërblim vetëm të jetëve të humbura dhe ngritën sipas të gjitha rregullave padinë e tyre civile në procesin penal. Gjyqtarët vendosën të veçonin padinë civile nga procesi penal pa dëgjuar zërin e vetë të dëmtuarve. Me justifikimin se padia civile zvarrit procesin, Gjykata e Lartë shpërfilli padinë civile ndërkohë që shumë prej viktimave lanë pas fëmijë të mitur dhe pa asnjë përkrahje. Procesi penal gjithsesi u zvarrit: 211 seanca në 3 vjet.
• Në përputhje me nenin 342 të Kodit të Procedurës Penale, familjarët e viktimave kërkuan që Gjykata të zbatonte ligjin dhe të kryente seanca në çdo ditë pune dhe jo vetëm dy herë në javë. Pas presionit publik dhe ndërkombëtar, Gjykata e shtoi vetëm me 1 ditë më shumë zhvillimin e seancave gjyqësore.
• Prokuroria e Përgjithshme fillimisht u mohoi familjarëve të viktimave të drejtën për t’u informuar lidhur me hetimet, dhe iu përgjigj kërkesave të përsëritura të familjarëve të viktimave vetëm 14 muaj pas tragjedisë, pasi u përball e u detyrua nga Gjykata.
HETIMI 3 VJECAR
Sipas shoqërisë civile, për 3 vjet rresht, familjarët e viktimave kërkuan vazhdimisht një kopje të provave shkresore të disponuara nga vetë Gjykata e Tiranës dhe nga Gjykata e Lartë, për të mbështetur pretendimet e tyre para gjykatës. Asnjë prej kërkesave (4 kërkesa me shkrim) nuk mori qoftë dhe një përgjigje zyrtare.
“Të njëjtin fat patën edhe 10 kërkesat e tjera për informacion drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punës, Ministrisë së Shëndetësisë, QSUT Nënë Tereza, Bashkisë Vorë, Uzinës së Poliçanit, Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri, etj. Në ato 5 raste kur është dhënë përgjigje, këto kanë qënë gjysmake dhe të pashoqëruara me dokumentacionin autentik siç e kërkon ligji. Familjarët e viktimave kanë kërkuar tre herë nisjen e kërkesës nga Prokuroria e Përgjithshme për heqjen e imunitetit të ish-Ministrit të Mbrojtjes z. Fatmir Mediu. Këto kërkesa kanë mbetur pa përgjigje ”, thuhet në peticion.
KËRKESAT
Nënshkruesit e Peticionit shprehin njëzëri solidaritetin e tyre me familjarët e viktimave dhe të plagosurit e Gërdecit; shprehin njëzëri revoltimin e tyre qytetar ndaj maratonës së padrejtësive të Gërdecit, dhe u kërkojnë njëzëri institucioneve përkatëse të tregohen në lartësinë e situatës dhe të realizojnë detyrat me të cilat i ngarkon Kushtetuta dhe ligjet e këtij vendi.:
1. Gjykata e Tiranës të zbardhë pa vonesë vendimin e plotë me qëllim për të mundësuar apelimin nga Prokuroria e Përgjithshme brenda afatit ligjor prej 10 ditësh.
2. Prokuroria ta çojë deri në fund, në përputhje me sa dikton ligji, këtë proçes që përfshin interesin e të gjithëve.
3. Gjykata e Apelit Tiranë të trajtojë me precedencë absolute ngjarjen e Gërdecit. Në vendimin e saj të tregojë seriozitetin dhe profesionalizmin e domosdoshëm në trajtimin e çdo kërkese nga ana e institucionit të Prokurorisë.
4. Këshilli i Lartë i Drejtësisë të monitorojë dhe vlerësojë punën e deritanishme të gjyqtarëve dhe të ndërhyjë për qartësimin e pikave ende të ërrëta të këtij procesi tejet të zgjatur.
5. Institucionet shtetërore të lartpërmendura të trajtojnë pa vonesë dhe brenda kompetencave të veta çdo kërkesë legjitime të familjarëve të viktimave të Gërdecit.
6. Ministri i Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrin e Financave, dhe Gjykatën e Tiranës të marrin masat përkatëse për të përjashtuar familjarët e viktimave të Gërdecit nga detyrimi për pagimin e taksës gjyqësore, duke u garantuar kështu aksesin në gjykatë dhe në drejtësi.
Peticioni, i cili i është shpërndarë medieve mbyllet me emrat e 41 firmëtarëve, mes tyre OJF, analistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
(aq/shqiptarja.com)