TIRANE- Një tjetër i dënuar i tragjedisë së Gërdecit i ka shpëtuar burgut pasi ka marrë azil në Francë. Gjashtë vite pas tragjedisë së Gërdecit ku humbën jetën 26 persona dhe mbetën të plagosur qindra të tjerë, shkon në dy numri i personave që fitojnë azil politik nga të dënuarit për shpërthimin e 15 marsit 2008, në punishten e demontimit të armëve. Ish-drejtor i planifikimit të buxhetit në Ministrinë e Mbrojtjes, Armand Tartari, në kohën kur drejtohej nga ministri Fatmir Mediu, ka fituar azil politik në Francë. Kjo gjë është bërë e ditur nga avokati i Tartari i cili ka deklaruar se, klienti i tij është azilant politik në Francë.
 
AZILI, TARTARI I DYTI
Tartari, i dënuar me 1 vit burgim, u arratis nga Shqipëria dhe prej një viti qëndron në një kamp refugjatësh në Francë, ku dhe ka fituar azilin politik. Ish-drejtori në Ministrinë e Mbrojtjes Armand Tartari ka fituar azilin politik më 15 maj të këtij viti ndërsa ky është azili i dytë i fituar nga të akuzuarit për tragjedinë e Gërdecit, pas azilit të fituar pak kohë më parë nga ish-shefi i shtabit të ushtrisë, në periudhën e tragjedisë në Gërdec, Luan Hoxha. Hoxha fitoi azil në SHBA, ndërsa Tartari ka mundur që pas një viti të fitojë azil politik në Francë.
 
KUSH ËSHTË TARTARI
Armand Tartari, 39 vjeç, banues ne Tiranë është akuzuar për veprën penale ushtarake “shpërdorimi i detyrës”, kryer nga kuadri komandues, në bashkëpunim. Tartari, ish-drejtor i Drejtorisë së Planifikimit, Programimit, Buxhetimit në MM, në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Miratimit të Çmimeve, me bashkëpunimin e anëtarëve të këtij komisioni kanë caktuar si çmime të shitjes së municioneve, dyfishin e çmimeve të ofertës së shoqërisë amerikane SAC inc, që kishte përgatitur Ylli Pinari, ish-drejtor i Meico-s. Këta persona janë gjykuar nga ana e gjykatës së kryeqytetit dhe janë dënuar me vite të ndryshme në burg.
 
TË DËNUARIT
Së bashku me Armand Tartarin me vendim të formës së prerë dhënë nga Gjykata e Apelit u dënuan dhe shumë persona të tjerë mes tyre Mihal Delijogji, Dritan Minxolli, Ylli Pinari. Aktualisht pas hekurave ndodhet vetëm Sokol Ngjeçi dhe ish-drejtori i ndërmarrjes në Gërdec, Dritan Minxolli. Në fillim të muajit në datë 5 maj Gjykata e Tiranës bëri një tjetër ulje dënimi për një nga të pandehurit, duke ulur me 90 ditë dënimin e Sokol Ngjeçit. Ai është dënuar me 10 vite burg, dhe tashmë pas kësaj uljeje i kanë mbetur dhe 14 muaj burg.
 
TRAGJEDIA E GËRDECIT
Për tragjedinë e Gërdecit ku humbën jetën 26 persona dhe pasojat po i vuajnë edhe tani mijëra të tjerë Gjykata e Lartë ka vendosur se, ka qenë një aksident teknologjik. “Në rastin e shpërthimit të fabrikës së Gërdecit nuk kemi të bëjmë me vrasje me dashje, sepse askush nga të pandehurit nuk ka synuar këtë pasojë, vdekjen e 26 personave dhe rrafshimin e disa fshatrave”, thuhet në vendimin e gjykatës. 

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)