“Kathimerini”: Edi Rama, lider
europian, dhe i paparashikueshëm

“Kathimerini”: Edi Rama, lider<br />europian, dhe i paparashikueshëm
ATHINE- “Athina pret me shumë interesim ndryshimin e qeverisë në Shqipëri” shkruan në artikullin e tij analitik, analisti i njohur grek, Stavros Tzimas në gazetën “Kathimerini”.
 
“Lideri socialist Rama dhe bashkëpunëtorët e tij të qendrës së majtë marrin drejtimin e vendit nga Sali Berisha, i cili pas shumë viteve në pushtet humbi dhe sikundër deklaroi, largohet përfundimisht nga skena politike”.
 
Sipas analistit të njohur grek, “Sali Berisha kishte mbështetjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare, madje edhe kur ndërtoi një shtet autoritar, kur burgosi kundërshtarët politikë dhe kur favorizoi ekonominë e "piramidës", që shkaktoi kryengritjen e armatosur të vitit 1997”, pasi nuk kishte një tjetër njeri që të krijonte një model të ndryshëm, pas rënies së dikaturës së Enver Hoxhës.
 
“Berisha, me gjithë gabimet dhe tekat, ka kontribuuar në masë të madhe që Shqipëria, një vend pa një traditë të fortë demokracie dhe ekonomie tregu, të gjendet një hap larg nga oborri i Bashkimit Europian. Edhe në marrëdhëniet Greqi-Shqipëri u bënë hapa të rëndësishëm, pavarësisht se ato kanë kaluar një mijë dallgë, por jo gjithmonë për përgjegjësi të palës shqiptare”.
 
Duke iu referuar kryeministrit të ri, analisti shkruan dhe e përmend qysh në titull se Edi Rama është udhëheqës europian në mentalitet, qëndrime e bindje.
 
Tzimas thotë se “tani një udhëheqës i ri erdhi në timon përmes zgjedhjeve të vërteta demokratike, një proces i panjohur ky për politikën shqiptare deri kohët e fundit. Edi Rama, që u shfaq si kryebashkiaku i Tiranës dhe që e transformoi atë, tani ftohet për të udhëhequr Shqipërinë në epokën e re, të lërë pas ekspansionizmin e paraardhësit të tij, të ndryshojë qëndrimet politike, mbetje të periudhës së Hoxhës, e cila në shumë raste e ka ushqyer atë si lider i opozitës, të forcojë funksionimin e institucioneve demokratike dhe t’i japë shtytje kursit europian të vendit”.
 
Sipas gazetës greke, Athina shpreson të ndërrohet faqe në marrëdhëniet me Tiranën, të cilat kanë ngelur inerte, dhe që ngjarjet e fundit në Përmet, apo veprimet provokative të “Agimit të Artë”, janë në gjendje t’i destabilizojnë dhe t’i çojnë vite të tëra mbrapa.
 
“Burimet qeveritare dhe diplomatike greke janë të angazhuara për të mbështetur me entuziazëm kursin europian të Shqipërisë. Mjafton që t’iu jepet një përgjigje nga Tirana për shkrirjen e Marrëveshjes për Ujërat, të cilën vetë Rama e ka bllokuar, mbi bashkëpunimin për TAP, etj.
 
Kryeministri i ri ka reputacionin e një politikani europian por edhe të paparashikueshëm, ndaj është e sigurt që për një kohë ai do të jetë nën mikroskopin e bashkësisë ndërkombëtare. Por edhe të Athinës, që dëshiron të investojë në një fillim të ri”, përfundon analizën e tij analisti grek.
 
Vlen për t’u theksuar se gazeta “Kathimerini”, është një gazetë shumë pranë qeverisë greke dhe shpesh herë është konsideruar si promotore e politikave që ndjek qeveria e djathtë helene, por edhe një gazetë, e cila ka mbështetur fuqimisht memorandumet e imponuara Greqisë. Shpesh herë në faqet e kësaj gazete, tërësisht objektive, analistë të ndryshëm me artikujt e tyre u kanë paraprirë politikave që ndjek më pas qeveria.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

112-vjetori i Pavarësisë/ Urime nga politike, Kurti: Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Memorialit të Adem Jasharit

112-vjetori i Pavarësisë/ Urime nga politike, Kurti: Ky 28 Nëntor na gjen me projektin e Memorialit të Adem Jasharit