TIRANE- Aleatët e PD-së kanë dhënë dakordësinë për të marrë pjesë në protestën simbolike të organizuar nga e djathta. Në një takim që Basha pati me aleatët i ka njoftuar ata për aksionin politik, duke ju kërkuar që të organizojnë mbështetësit e tyre për të ardhur në Tiranë.
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbledhur dje kryetarët e partive që janë në koalicion me PD, për t’ju bërë të ditur aksionin politik që do të zhvillojnë për blerjen e zgjedhjeve në Korçë nga PS.

Dje, në orën 9:30, Basha ka thirrur kreun e PDK-së, Nard Ndoka, kreun e PDIU-s Shpëtim Idrizi kreun e PR-së, Fatmir Mediun si dhe kreun e LZHK, deputetin e dalë nga listat e PD, Dashamir Shehin, ku ka paraqitur vendimin e PD për të thelluar aksionin politik nëpërmjet një proteste paqësore që do mbahet ditën e hënë, përballë Kryeministrisë. Të gjithë aleatët i kanë dhënë “ok” pjesëmarrjes së tyre. Burime brenda takimit pohojnë se aleatët do të sjellin edhe mbështetësit e tyre nga e gjithë Shqipëria me makina që do të vihen në dispozicion nga vetë forcat politike.

Mblidhet kryesia
Lulzim Basha ka ngarkuar të gjithë deputetët për të mbledhur degët e Partisë Demokratike në rrethe për të mobilizuar të gjithë mbështetësit e së djathtës për të marrë pjesë në protestën simbolike që do të organizohet ditët e hënë përpara Kryeministrisë si një kundërshtim ndaj gjestit të blerjes së votave në qytetin e Korçës nga PS. Megjithatë dje pasdrekë të gjithë kryetarët e partive në rrethe kanë marrë një ‘sms’ nga selia qendrore e PD ku ka ftuar të gjithë mbështetësit e PD që të marrin pjesë në protestën që do të zhvillohet në orën 14:00 përpara Kryeministrisë. Të gjitha shpenzimet do të mbulohen nga PD e rrethit

Reagimi i Palokës
Deputeti i PD-së Edi Paloka i ka bërë thirje qytetarëve të reagojnë për aktin e blerjes së votës, duke ju bashkuar protestës që do të zhvillohet ditën e hënë. “Ajo që ka ndodhur në Korçë është një sinjal alarmi për të gjithë, ne e thamë, nuk është se është diçka që nuk dihej, por tashmë u pa nga të gjithë. Ky është fundi i demokracisë, fundi i pluralizmit.

Të hënën ne do të kemi një protestë simbol para kryeministrisë për këtë akt të rëndë, më tepër thirrje ndaj qytetarëve që të reagojnë për këtë akt të rëndë. Është për të ardhmen tonë, nuk është shaka e Ramës, nuk është për t’u zgërdhirë”. Sipas tij, ky aksion politik nuk do ta dëmtojë mundësinë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, ndërsa i kërkon ndërkombëtareve të mos ndikohen nga kjo situatë.

Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)