Mësohet se në seancën e djeshme të zhvilluar në orën 14:40 minuta, me relator Artan Broci, trupi gjykues e ka parë të padrejtë vendimin e Këshillit të Ministrave për pezullimin e licencës dhe ka vendosur në favor të universitet "Kristal". Gjykata e apelit ka lënë në fuqi vendimin për pezullim të regjistrimeve të reja, të marrë nga Këshilli i Ministrave, kundrejt këtij universiteti, vetëm për dy degë të sistemit 3-vjeçar: Ekonomik dhe Drejtësi. Pra janë vetëm këto dy degë ku nuk mund të regjistrohen studentë të rinj për këtë vit akademik, dhe kjo vetëm për sistemin bachelor, ndërsa për nivelin master po në këto dy degë regjistrimet janë të hapura. Po sipas vendimit të djeshëm të gjykatës së apelit, trupa gjykuese ka hedhur poshtë pezullimin për të gjitha degët e tjera, si për sistemin bachelor, ashtu edhe në master, të vendosur pas konktrollve të shumta, nga Këshilli i Ministrave. Që do të thotë se të gjithë ata të rinj që duan të marrin një diplomë pranë këtij universiteti privat, mund të shkojnë të regjistrohen. Kjo të paktën sipas gjykatës së apelit. Ndërkohë që shkalla e parë, ku edhe çështja u ankimua fillimisht nga universiteti "Kristal", vendosi në favor të vendimit të Këshillit të Ministrave, por ky vendim nuk është pranuar nga universiteti privat, i cili ka zgjedhur që ndërsa vazhdon gjyqin me Ministrinë e Arsimit në shkallën e parë, të ankimojë vendimin e këshillit të ministrave për pezullim të licencës për një periudhë një-vjeçare.
PEZULLIMI I LICENCES
Më 23 maj të këtij viti, Këshilli i Ministrave vendosi t'i pezullojë regjistrimet e reja, për një periudhë një vjeçare universitetit "Kristal". Vendimi u mor pas zbulimit të skandalit nga mediat italiane, se së paku dy shtetas italianë kishin marrë diplomë universitare nga kjo shkollë e lartë, pa shkelur asnjëherë në Shqipëri dhe pas verifikimeve të një grupi ekspertësh të ngritur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, të cilët konstatuan shkelje të shumta, ndaj i propozuan qeverisë t'i pezullojë licencën. Në gjykatën e shkallës së parë, beteja gjyqësore ka nisur më 29 qershor 2012, dhe universiteti "Kristal" ka kërkuar pezullimin e zbatimit të vendimit të qeverisë, deri sa të përfundojë shqyrtimi i plotë të çështjes, ku ai ka paditur Ministrinë e Arsimit dyhe të Shkencës. Por, gjykata e shkallës së parë, nuk e pranoi këtë kërkesë të "Kristalit" dhe në mes të muajit korrik filloi shqyrtimin e çështjes. Në një nga seancat e mëvonshme mungoi avokati i "Kristal" dhe në tjetrën munguan avokatët e Këshillit të Ministrave. Por pavarësisht kësaj gjykata vendosi "Rrëzimin e kërkesës së Shoqërisë Kristal sh.p.k për pezullimin e ekzekutimit të aktit administrativ të vendimit Nr.354, datë 23.05.2012 të Këshillit të Ministrave". Sipas gjykatës, kundër vendimit lejohet ankim i veçantë sipas ligjit në Gjykatën e Apelit. Ndërsa mund të vijojë në Apel kërkesa për pezullimin e urdhrit të qeverisë, Gjykata e Tiranës ka caktoi datën 19.09.2012 për të paraqitur prova të reja, në kuadër të procesit gjyqësor ndaj Ministrisë së Arsimit, që ky universitetet. Gjatë kësaj seance, që ishte seanca e pestë, gjykata vendosi përjashtimin e trupit gjykues përbërë nga gjyqtari i vetëm Julian Haxhiu në gjykimin e çështjes civile nr. 14184, me palë paditeëe "Shoqëria Kristal" dhe pale e paditur "Këshilli i Ministrave" me objekt anulimin e aktit administrativ të vendimit nr. 354 dt. 23.05.2012 të Këshillit të Ministrave".Pas kësaj dosja është dërguar pranë sekretarisë së gjykatës për procedurat përkatëse të shortit.
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)