Arsim Bajrami padyshim është “kurbani më fatkeq” i PDK-së. Sa herë paria e partisë i ka nxjerrë “hanxharët”, ai ka qenë i pari që është detyruar ta shtrijë qafën. 

Emri i profesor Bajramit është lakuar vazhdimisht nga Hashim Thaçi vetëm atëherë kur është dashur të digjet një kandidaturë partiake. Ndërsa, për avancime në pozitat më të larta shtetërore as nuk ka ardhur në shprehje kredoja shkencore e tij, por si për ironi kanë dalë në sipërfaqe grykësit e tjerë të partisë.

Fatin e “kurbanit” Bajrami do ta ketë edhe në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës të premten (nesër), kur kandidaturën e PDK-së për kryeparlamentar e pret djegia e sigurt.

E emri i Arsim Bajramit do të lakohet vetëm si një kandidat për kryeparlamentar, i cili në seancën e së premtes dështoi t’i marrë votat e nevojshme nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. S’ka si të bëhet ndryshe, pasi që partitë e Bllokut bashkë me Lëvizjen “Vetëvendosje”, që i kanë 63 vota në Parlament, shto këtyre edhe 9 vota të Listës “Srpska”, nuk do t’ia japin votën profesor Bajramit, por nëse u jepet mundësia një gjë të tillë do ta bëjnë për Isa Mustafën e LDK-së dhe këtë të fundit ta zgjedhin kryeparlamentar me së paku 72 vota.

Ndërsa, kandidatura e PDK-së për kryeparlamentar edhe nëse i merr të gjitha votat e partisë, pavarësisht se Gëzim Kelmendi i PD-së ka paralajmëruar se nuk do ta votojë kandidatin e partnerit të madh të koalicionit dhe me votat e deputetëve turq, romë…, nuk do të mundë t’i sigurojë më shumë se 48 vota, apo 13 vota më pak se sa që i nevojiten Bajramit për t’u ulur në “kolltukun”, ku ka qenë për dy mandate ish-bashkëpartiaku i tij, Jakup Krasniqi.

Sigurisht, se po t’i kishte PDK-ja votat e nevojshme në Kuvend, emri i profesor Bajramit as që do të hynte në kombinim për kryeparlamentar.

Realisht, në zhvlerësimin si intelektual ka kontribuar në vazhdimësi që nga paslufta edhe vetë Bajrami. Ai lejoi të bëhet instrument i PDK-së për të ardhur në krye të Universitetit Publik të Prishtinës në vitin 2004, ndërsa pak muaj më vonë e shkarkoi nga pozita juristi nga Bradashi, Agim Veliu, në atë kohë ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Doktori i shkencave juridike, i cili u shkarkua nga njëministër që e kishte të përfunduar vetëm fakultetin juridik, kishte deklaruar se nuk e respektonte një vendim të tillë, pasi që, siç pati deklaruar në atë kohë, është shkarkuar nga një grup i paramilitarëve të LDK-së.

Megjithatë, të gjitha dilemat në këtë mes i pati hequr administrata e UNMIK-ut, e cila e kishte vlerësuar si të ligjshëm vendimin e Qeverisë për shkarkimin e rektorit Bajrami.

Kjo nuk është hera e parë kur Bajrami ishte përçmuar, por që nuk është dorëzuar!

Në vitin 2004 mund edhe të arsyetohej se shkarkimi i tij lidhej me motive të ulëta politike e jo profesionale, pasi partia e tij ishte në opozitë.

Por, katër vjet më vonë, kur erdhi PDK-ja në pushtet, Arsim Bajrami u emërua ministër i Administratës Publike në Qeverinë “Thaçi 1”, mirëpo në gjysmë të mandatit u shkarkua nga kryetari i Partisë së tij dhe kryeministri, Hashim Thaçi. Ky i fundit vendosi ta shkarkojë Bajramin dhe në vend të tij e emëroi Edita Tahirin.

Pavarësisht se ishte shkarkuar nga pozita e ministrit, Arsim Bajrami gjeti kurajën të flasë si një njohës i mirë i Kushtetutës, duke thënë se është e drejtë e kryeministrit për të emëruar, apo shkarkuar ministrat mbi bazën kushtetuese.

Bajrami nuk mbante inat, që u shkarkua nga pozita e ministrit, por vetëm ndihej keq pse kryeministri Thaçi nuk ia tregonte arsyet e vërteta të shkarkimit, sepse procesin e emërim-shkarkimit e konsideronte vetëm si akt ceremonial.

Kjo edhe mund të jetë ashtu, por shkarkimet e njëpasnjëshme ia përforcuan bindjet parisë së PDK-së se Arsim Bajrami, si intelektual që është, nuk bënë zë edhe kur digjet, për dallim nga komandantët e tjerë që kur shkarkohen bëjnë tërmet në parti, prandaj, edhe “djegia” e tij politike tashmë është avancuar dhe të premten do ta bëhet me ceremoni në Kuvendin e Republikës së Kosovës.