Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan ka zhvilluar këtë javë një seri takimesh në Tiranë me udhëheqës të lartë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Bëhet fjalë për Gjeneralin e Brigadës nga Komanda Europiane e Shteteve të Bashkuara, Chris McKinney, i cili siç njofton Ambasada Amerikane, u takua me Ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Arben Kingji dhe drejtues të tjerë të mbrojtjes në Shqipëri.
Sipas njoftimit, në qendër të bisedimeve kanë qenë çështjet e sigurisë rajonale, rritja e shpenzimeve për mbrojtjen dhe rëndësia e lëvizshmërisë ushtarake, veçanërisht përmes Korridorit VIII Pan-Europian.
Një tjetër pikë kyçe në bisedë ishte edhe zhvillimi i kapaciteteve në fushën e mbrojtjes kibernetike, ku sipas palës amerikane, Shqipëria ka bërë progres mbresëlënës.
Njoftimi i plotë i Ambasadës Amerikane
"Gjenerali i Brigadës Chris McKinney nga Komanda Europiane e Shteteve të Bashkuara u takua këtë javë në Tiranë me Ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Gjenerallejtënant Arben Kingji dhe udhëheqës të lartë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Diskutimet u përqendruan në sigurinë rajonale, shpenzimet e mbrojtjes, rëndësinë e lëvizshmërisë ushtarake përmes Korridorit VIII Pan-Europian dhe progresin mbresëlënës të Shqipërisë në aftësitë e mbrojtjes kibernetike'
Komente










