RUSI - Presidenti rus Vladimir Putin ka mbështetur ligjin që pengon shtetasit amerikanë që të birësojnë fëmijë rusë. Ligji u miratua me shumicë votash nga deputetët të mërkurën. Sipas deputetëve, ky vendim merret pas dokumentimit të abuzimit me disa prej fëmijëve nga prindër amerikanë birësues.

Vendimi i parlamentit rus konsiderohet si një kundërpërgjigje për ligjin “Magnitsky” që mori emrin e avokatit Sergei Magnitsky, i cili vdiq në një burg të Moskës në vitin 2009, pas zbulimit të një skeme masive të mashtrimit.

Ligji i shumëdebatuar në Kongresin Amerikan gjatë dhjetorit vendosi sanksione ndaj Rusisë për shkelje të të drejtave të njeriut.

Megjithatë, disa zyrtarë të lartë kanë kundërshtuar këtë nismë të re “anti-amerikane” të parlamentit pasi sipas tyre, shumë fëmijë rusë do të mbeten pa familje dhe shpresë për të ardhmen për shkak të këtij ligji.

(lc/Gre.M/Shqiptarja.com)