Guidat turistike, të cilat “ligji për turizmin” i përcakton si profesion, duhet të cerfifikohen. Për këtë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, po harton aktet nënligjore, ku do të përcaktohen kriteret e certifikimit.

Gjatë konferencës  së dytë Kombëtare të Guidave Turistike me temë “Standardizimi i guidave turistike për një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri”, zv.Ministri z. Ervin Mete  tha se është e nevojshme rritja e cilësisë në dhënien e informacionit për turistët që vizitojnë Shqipërinë.

“Kemi nevojë për profesionalizëm sa i përket informacionit që jepet dhe kemi nevojë për një standardizim dhe rritje cilësie në dhënien e këtij informacioni po kështu, sepse udhërrëfyesit janë pika të rëndësishme kontakti, ndonjëherë edhe të vetmet, për turistët që vizitojnë Shqipërinë ndaj informacioni që ata përçojnë mbetet një referencë e rëndësishme, ndoshta edhe disi formale për turistët. Të ndërgjegjshëm për këtë nevojë ne, në ligjin e turizmit kemi vendosur certifikimin e udhërrëfyesve për të cilët, së bashku me asistencën e Risi Albania, po punojmë për standardizimin e këtyre kritereve, në mënyrë që pastaj të mund të certifikohen dhe këto vlera, qofshin ato historike, kulturore, kulinare, natyrore të Shqipërisë, të mund t’i transmetojnë në një mënyrë cilësore dhe sa më afër standardeve ndërkombëtare,” tha ai.

Edhe për drejtoreshën e Përgjithshme të turizmit Sonia Popa ëhstë domosdoshmëri konsolidimi i figurës së udhërrëfyesit pasi Shqipëria po shndërrohet në një destinacion turistik që po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të rajonit, atyre europiane e me gjerë. 

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)