Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i shoqëruar nga delegacioni zyrtar, në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës udhëtoi drejt Clevelandit, me rastin e përurimit të Kopshtit Kulturor Shqiptar “Nënë Tereza”. Ceremonia u zhvillua në Kopshtin multikulturor “Rockefeller”, pjesë e të cilit është edhe Kopshti Kulturor Shqiptar “Nënë Tereza”.

Presidenti Nishani, gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast u shpreh se Nënë Tereza ka zhdukur kufijtë duke i afruar njerëzit me njëri-tjetrin dhe e vlerësoi shenjtoren si dritën e shpresës dhe respektit. Kreu i Shtetit theksoi se me përmendoren e Nënë Terezës, Kopshti Kulturor Shqiptar e nderon humanisten e shquar shqiptare, e cila mbetet frymëzim për vlerat më të larta njerëzore dhe krenaria e të gjithë shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Cleveland.

Në fund të ceremonisë, Presidenti Nishani zbuloi shtatoren kushtuar “Nënë Terezës”, akt ky që shënoi çeljen e Kopshtit Kulturor Shqiptar, i cili do të pasurohet më tej me shtatore të personaliteteve të tjerë të kulturës shqiptare.


(er.ci/Shqiptarja.com)