“Nga afër askush s’është normal”
Sëmundjet mendore dhe stereotipet

“Nga afër askush s’është normal”<br />Sëmundjet mendore dhe stereotipet
TIRANE - Miku më i mirë i të vërtetës është koha dhe në të njëjtën kohë, paragjykuesi më i keq! Në kulturën tonë, kur përshëndetemi me të dashurit tanë, themi ‘’Shëndet mbi të gjitha’’ dhe me të drejtë, se tek e fundit çfarë ka më të rëndësishme në këtë jetë. Sa herë që na ndodh të sëmuremi nuk kursejmë asgjë, por kur vjen puna tek sëmundjet mendore, priremi në mënyrë të pandërgjegjshme ta shtyjmë në kohë, ta neglizhojmë apo dhe ta mohojmë sëmundjen!

Çrregullimet mendore mund të prekin këdo! Ka shumë gjasa që secili prej jush të ketë njohur një person me probleme të shëndetit mendor. Çrregullime të tilla si ankthi, depresioni, çregullime të të ngrënit, keqpërdorimi i alkoolit dhe drograve, demenca dhe skizofrenia- mund të prekin këdo, në çdo moment të jetës. Tema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për vitin 2011 ‘’Nga afër, askush nuk është normal’’, jo rrallë u bë objekt batutash ndër qytetarë, por statistikat alarmante shoqëruese ‘’1 në 4 persona vuan nga çrregullime të shëndetit mendor në botë’’, ngriu papritur buzëqeshjen e shumë prej tyre.

Këto sëmundje shkaktojnë paaftësi më shumë se çdo sëmundje tjetër, ndaj dhe kujdesi për to duhet të jetë më i madh! Pavarsisht kësaj, njerëzit e prekur nga këto sëmundje dhe ata që jetojnë me ta, ndjejnë frikë, hidhërim, ankth në vend të mirëkuptimit dhe mbështetjes. Ky lloj qëndrimi jo vetëm që i çon më tej drejt mërzisë dhe izolimit, por bën që këta të sëmurë të mos kërkojnë as ndihmën mjekësore duke u futur kështu në një rreth vicioz.

Çfarë janë çrregullimet mendore?

Ky term përfshin një sërë sëmundjesh të cilat shoqërohen me prishjen e funksionimit normal të individit në jetën e përditshme duke ndikuar mënyrën sesi ndihen, humorin, të menduarit, ndërveprimet ndërpersonale më ambjentin përreth etj.

Çfarë i shkakton sëmundjet mendore?

Një tërësi faktorësh akuzohen për këtë ku përfshihen trashëgimia gjenetike, kimia e trurit, mënyra e jetesës, ndodhi të së kaluarës, marrdhëniet me njerëzit. Të gjitha këto ndikojnë, por nuk ka vetëm një faktor të izoluar. Gjithsesi, cilido qoftë shkaku, të sëmurët përjetojnë ndjenja jo normale që influencojnë në prishjen e ekuilibrave socialë dhe familjarë.

A mund të trajtohen sëmundjet mendore?

Po, mund të trajtohen, si me medikamente ashtu edhe me psikoterapi ( biseda me psikoterapeutin). Psikiatria, tashmë, i diagnostikon shumë mirë patologjitë si dhe e njeh dekursin e tyre, duke arritur edhe efikasitet në trajtim.

Çfarë bën psikiatri?

Psikiatri është një mjek i specializuar për diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve mendore! Ai e ndjek nga afër pacientin për t’i përshtatur një trajtim duke u bazuar në nevojat individuale të tij. Ata janë të kualifikuar për të përshkruar medikamente dhe bashkëpunojnë edhe me specialistë të tjerë të shëndetit. Shpesh shihen si ‘’burgosësit’’ e pacientëve në dhoma izolimi, por kjo nuk është e vërtetë. Mund të ndodhë vetëm në rrethana të veçanta, si në rastet kur pacienti është i rrezikshëm për veten dhe për të tjerët. Por kjo ndodh shumë rrallë!

STIGMA NË PSIKIATRI

Në Greqinë e lashtë, për të evidentuar individët që kryenin krime, iu bëheshin shenja në trup me anë të prerjes ose djegieve që quheshin stigmata. Sot qëndrimet denigruese dhe negative përkundrejt personave me probleme të shëndetit mendor janë po aq të rënda për ta. Stigma në psikiatri lidhet pikërisht me qëndrimet (paragjykimin) dhe sjelljet negative (diskriminim) kundrejt tyre.

Nga vjen stigma?

Stigma lind për shumë arsye. Të sëmurët mendorë sillen ndryshe, për shembull një person me depresion mund të duket i trishtuar apo i mefshtë ndërkohë që në fazën e manisë mund të jetë tepër i gëzuar, pa një arsye të dukshme madje mund edhe të irritojë ata që ka përreth. Kur dikush identifikohet si i ndryshëm, është e vështirë që të pranohet. Rrethi vicioz që krijohet çon në humbjen e besimit tek vetja dhe me kalimin e kohës krijohet bindja se është i çuditshëm dhe nuk përshtatet dot.

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza