“Ngrirja e Vetingut”, ja 8 
dyshimet e Kushtetueses

“Ngrirja e Vetingut”, ja 8 <br />dyshimet e Kushtetueses
Gjykata Kushtetuese ka marrë vendimin më të paprecedentë dhe të vështirë, ndoshta, që nga themelimi i saj, duke pezulluar ligjin themelor të Reformës në Drejtësi, atë të Vetingut, nga zbatimi i të cilit varet spastrimi i gjyqësorit nga elementët e korruptuar dhe ngritja e sistemit të ri të drejtësisë.

Kur pritej rrëzimi i kërkesës së PD apo shqyrtimi i ligjshmërisë së ligjit, Kushtetuesja bëri një zgjidhje të ndërmjetme, duke e çuar ligjin në Komisionin e Venecias, komision i cili është shprehur në mas të këtij viti, duke konfirmuar Vetingun, parashikuar në Kushtetutën e re. Po cilat janë dyshimet e Gjykatës Kushtetuese, për ligjin e Vetingut, për të cilat kërkon ekspertizën dhe opinionin e Komisionit të Venecias?

Duke iu referuar bazës ligjore të vendimit për pezullimin e ligjit, Kushtetuesja ka dyshime se, ligji i Vetingut bie ndesh me dy nene të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nenet 6 dhe 8. Referua nenit 6, Kushtetuesja ka dyshime se ligji i Vetingut shkel të drejtën e një procesi të rregullt ligjor. Neni 6, përpos të tjerave, e vë theksin tek elementi i afatit të arsyeshëm për shqyrtimin e çështjes së një personi. Vendosja e një afati për procesin e Vetingut ishte një nga pikat e përplasjes mes PD dhe SHBA-BE. Një nga vijat e kuqe të EURLIUS ishte se nuk mund të kishte një afat kohor apo kalendar për secilin rast individual, që do t’i nënshtrohej procesit të skanimit të trefishtë për ligjshmërinë e pasurive, për lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale. Gjithsesi, edhe nëse Venecia kërkon parashikimin e një afati, kjo nuk do ta cenonte procesin e Vetingut dhe efektet e veprimit të ligjit në sistemin e drejtësisë.

Dyshimi i dytë i Gjykatës Kushtetuese, ka të bëjë me të drejtën e respektimit të jetës private dhe familjare, gjatë procesit të Vetingut. Sipas nenit 8 të KEDNJ, të cilit i referohet gjykata, autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në disa raste. Me sa duket, Gjykata Kushtetuese ka parasysh procesin e kontrollit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por, në të njëjtën kohë, PD-PS kanë miratuar me konsensus ligjin e SPAK, i cili parashikon që njerëzit e drejtësisë duhet të heqin dorë nga privatësia, duke plotësuar një deklaratë. Në këto kushte, me të njëjtin standard mund të operohej edhe me kontrollin e trefishtë të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Në vendimin e saj për pezullimin e ligjit të Vetingut, Kushtetuesja u referohet edhe disa neneve të Kushtetutës së Shqipërisë. Kushtetuesja ka dyshime se ligji i Vetingut mund të bie ndesh me nenin 7 të Kushtetutës, i cili parashikon që sistemi i qeverisjes në bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Gjithashtu, gjykata i referohet nenit 17 të Kushtetutës, sipas të cilit kufizimi i të drejtave dhe lirive të parashikuara në Kushtetutë, duhet të bëhet me ligj dhe duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë. Në vendim përmendet edhe neni 32, sipas të cilit askush nuk mund të detyrohet të dëshmojë kundër vetvetes ose familjes së vet dhe as të pohojë fajësinë e tij. Me sa duket, gjykata i referohet procesit të marrjes së pyetje të gjyqtarëve dhe prokurorëve, për ligjshmërinë e pasurive dhe lidhjet me krimin.

Gjykata Kushtetuese e vë theksin edhe tek e drejta e gjyqtarëve dhe prokurorëve për t’u ankuar për vendimet e organeve të kontrollit. Gjykata i referohet nenit 42 të Kushtetutës, i cili parashikon që kushdo, në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj. Gjykata i referohet edhe nenit 49 të Kushtetutës, i cili parashikon që Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional.
 
8 referencat ligjore të Kushtetueses për pezullimin e ligjit të Vetingut 
1. E drejta për një proces të rregullt, NENI 6 KEDNJ. Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë
e çdo akuze penale në ngarkim të tij.
 
2. E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, NENI 8 KEDNJ. Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.
 
3. E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit. Neni 4 i Kushtetutës.
 
4. Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Neni 7 i Kushtetutës.
 
5.  Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë. Neni 17 i Kushtetutës.
 
6. Askush nuk mund të detyrohet të dëshmojë kundër vetvetes ose familjes së vet dhe as të pohojë fajësinë e tij. 2. Askush nuk mund të deklarohet fajtor mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme. Neni 32 i Kushtetutës.
 
7. Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj. Neni 42 i Kushtetutës.
 
8.  Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional. Neni 49 i Kushtetutës.
 
9. Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjykatave ose të gjyqtarëve passjell përgjegjësi sipas ligjit. Neni 145 i Kushtetutës.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

 
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Blinken në Izrael: Moment vendimtar për armëpushimin

Lufta/ Blinken në Izrael: Moment vendimtar për armëpushimin