Kryeministri Kosovës, Hashim Thaçi së bashku me Baroneshën Ashton dhe kryeministrin e Serbisë, Daçiq janë kandidatë për Çmimin Nobel për Paqe, pasi ata kanë mundësuar një marrëveshje historike që çel rrugën e paqes mes dy shteteve të rajonit.
Edi Rama propozon ngritjen e një grupi të përbashkët deputetësh të të gjitha grupeve parlamentare, për hartimin e Letrës së Kuvendit të Shqipërisë drejtuar Kryetarit të Komitetit të Çmimit Nobel, Thorbjorn Jagland, në mbështetje të kandidaturës së Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, si çmin Nobel për Paqen.
Në letrën drejtuar përfaqësuesve të partive politike në vend, zotit Ilir Meta, kryetar i LSI, zotit Lulzim Basha, kryetar i PD, zotit Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU, zotit Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ, zoti Fatmir Mediu, kryetar i PR, zoti Nard Ndoka, kryetar i PDK, zoti Dashamir Shehi, kryetar i LZHK, Rama kërkon në emër të Partisë Socialiste, kontributimin e përbashkët “në mbështetjen e kandidaturës për çmimin Nobel të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që së bashku me kandidaturën e përfaqësueses të Lartë të Bashkimit Evropian, baroneshës Catherine Ashton dhe atë të Kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç, vlerësohen si protagonistët e një marrëveshjeje historike, që çel rrugën e paqes mes dy shteteve të rajonit tonë, duke i dhënë fund historisë së gjatë të konflikteve në rajonin ku jetojmë”.
“Përgjatë një procesi aq të domosdoshëm për të ardhmen aq edhe të vështirë për të shkuarën, Kryeministri i Kosovës tregoi largpamësi të guximshme dhe vendosmëri të madhe, në dobi të interesit të lartë kombëtar, po edhe në dobi të një bote më të mirë.
Marrëveshja e arritur ndërmjet Kryeministrit të Kosovës dhe Kryeminsitrit të Serbisë, ishte, siç e cilëson me plot të drejtë baronesha Ashton, “një hap më larg nga e kaluara dhe një hap më afër Evropës”, për të dyja vendet.
Prandaj për këtë kontribut kaq të rëndësishëm për krejt Evropën Juglindore, le të bashkojmë edhe në zërin tonë me promovuesit e kësaj ideje”, shprehet Rama.
Ai propozon “ngritjen e një grupi të përbashkët deputetësh të të gjitha grupeve parlamentare, për hartimin e Letrës së Kuvendit të Shqipërisë drejtuar Kryetarit të Komitetit të Çmimit Nobel, Thorbjorn Jagland, në mbështetje të kandidaturës së Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, si çmin Nobel për Paqen”.
“Gjithashtu le t’i kërkojmë mbështetje grupeve respektove politike në Parlamentin Evropian, në asambletë parlamentare të Këshillit të Evropës, OSBE e me rradhë organizatat e tjera, me të cilat partitë tona bashkëpunojnë, për t’u shprehur në favor të nismës që promovon si kandidatë për Nobelin për Paqen, protagonistët e marrëveshjes së arritur mes Kosovës e Serbisë”, përfundon Rama.
Letra e kryeminstrit Rama për mbështetjen e kandidaturës së Hashim Thaçit për Nobel për paqe