SHKUP - Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni, i cili u ndërpre para dy viteve edhe pse u paralajmërua se do të fillojë sërish, këtë vit nuk është as në programin e Ministrisë së Drejtësisë.

Por gazeta maqedonase “Nova Makedonija” ka bërë vetë një analizë dhe, sipas saj, ka konstatuar se shqiptarët në Maqedoni janë nën 20 për qind nga 40%, që pretendohet.

Indikatorët në bazë të të cilëve ata janë bazuar janë: numri i letërnjoftimeve të lëshuara nga MPB në dy gjuhë, të dhënat e Eurostat për rritjen e numrit të emigrantëve të Maqedonisë, ku sipas tyre kjo shifër është e theksuar më shumë te shqiptarët, zvogëlimi i pjesëmarrjes për të votuar, presionet politike të shqiptarëve, që rë bëhet regjistrimi i popullsisë, si dhe numri i madh i votuesve, të cilët patën ardhur me avion të votojnë në Maqedoni gjatë zgjedhjeve të fundit lokale.

“Frika është sigurisht te shqiptarët, të cilët në disa komuna numri i vërtetë i tyre është nën 20 për qind dhe kjo do të thotë se nuk do të mund t’i shfrytëzojnë të drejtat e parapara me Kushtetutë”, ka thënë për gazetën, analisti maqedonas, Zhidas Daskallovski.

Edhe gjatë regjistrimit të zhvilluar në vitin 2011 kishte disa organizata maqedonase, të cilat konstatonin se shqiptarët janë nën 20 për qind, kurse shqiptarët konsiderojnë se në Maqedoni janë mbi 35 për qind, nëse regjistrimi zhvillohet në mënyrë të rregullt, transmeton “Zhurnal”.

Zyrtarisht në regjistrimin e vitit 2002 në Maqedoni ekzistojnë 509.083 shqiptarë ose 25.17 për qind e popullatës së përgjithshme.

Shqiptarët thonë të kundërtën, se si numri i tyre rritet çdo vit, ku duket qartë tek numri i nxënësve shqiptarë nëpër shkolla, si dhe dallimi në lindjet mes fëmijëve maqedonas dhe atyre shqiptarë, transmeton Zhurnal.

Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)