“Përjetësisht Dashuria” është drama e cila do të vihet në skenë në Teatrin Kombëtar. Ndonëse ka qenë pjesë e sezonit të kaluar, kërkesat nga publiku kanë bërë që regjisori i saj Mihal Luarasi, ta risjellë në skenën e këtij teatri.

Në një insert të përgatitur nga gazetarja Suada Daci vijnë për shikuesit e “Rreze Dielli” momente nga provat si dhe prononcimet nga regjizori dhe aktorja kryesore, e madhja Drita Pelingu. Sipas regjisorit Luarasi drama ka si subjekt të sajin jetën e dy të moshuarve, të cilët kanë mbetur vetëm pasi fëmijët e tyre janë larguar në emigracion.

Megjithatë në këtë shfaqje nuk trajtohet vetëm mungesa e fëmijëve, por edhe problemet midis tyre dhe personat e tjerë. Por mbi të gjitha trajtohet dashuria e këtij çifti të moshuarish, pasioni që kanë për njëri-tjetrin dhe që i mban ende gjallë. Personazhet kryesorë vijnë përkatësisht nën interpretimin e Drita Pelingut dhe Vangjel Toçes.

I pyetur sepse ka bërë një zgjedhje të tillë regjisori Luarasi ka thënë: “Drama është shkruar nisur nga Drita Pelingu dhe karakteri i saj. Ne njihemi prej kohësh, madje me të kam dhënë shfaqen time të parë rreth 60 vjet më parë. Ndërsa roli mashkullor i shkonte shumë Vangjel Toçes. Ishin aktorët më të përshtatshëm për rolet,”- është shprehur Luarasi.

Gjithashtu për mikrofonin e “Rreze Dielli” është prononcuar edhe aktorja e madhe e skenës Drita Pelingu. Për të ky rol është një nga më të rëndësishmit pasi do të përmbyllë karrierën e saj artistike. Drama “Përjetësisht Dashuria” do të vihet në skenë në datat 28,29,30 shtator si dhe në javën që vijon.

(xh.k/shqiptarja.com)